Zgjedhjet e pjesshme, Berisha dhe Basha me kandidatë të veçantë: Fillon ‘lufta’ në bazë

Qysh prej të premtes, presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka shfaqur një dëshirë të pamatë për të dekretuar zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki që kanë mbetur pa kryetar.
Për të qenë në rregull me letrat, ai i kërkoi KQZ-së t’i dërgonte dokumentacionin për secilën prej bashkive ku priten zgjedhje
Celibashi i ktheu përgjigje për tre bashki (Shkodër, Dibër dhe Vorë), për tre të tjera (Lushnjë, Rrogozhinë, Durrës) nuk ishte vënë në dijeni.
Për këtë arsye ai ndërmori hapin e dytë. I çoi një kërkesë qeverisë ku i kërkonte informacion mbi tre bashkitë e tjera që nuk kanë kryetar.
E thënë shkurt, Meta kërkon të shpallë zgjedhjet e pjesshme sa më parë, ndërsa nga kampi i opozitës aty ku po vlon gjithçka nuk ka një koment zyrtar.
Më saktë nga Lulzim Basha, të cilin vetëm një ditë më parë, Meta e sulmoi në një studio televizive, duke paralajmëruar se për datën e zgjedhjeve ai nuk do të pyesë asnjë nga partitë aq më tepër ata të opozitës.
Meta në fakt tha një të vërtetë që sipas të gjitha gjasave pritet të ndodhë sa kohë që brenda kampit blu po punohet paralelisht për gjashtë bashkitë që pritet të jetë testi i parë për mbështetësit e Berishës në njërën anë dhe ata të Bashës në anën tjetër.
“Unë si president jam i detyruar të shpall një datë zgjedhjesh për bashkitë e mbetura pa kryetar. Shpallja e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore, nuk ka lidhje me Bashën dhe as me ndonjë parti tjetër.
Nëse partitë nuk janë gati për të hyrë në zgjedhje, atëherë le të dalin kandidatë të pavarur dhe çdo qytetar që do të kandidojë”, tha Meta.
Dhe lufta në bazë ka filluar.
Belind Këlliçi para do ditëve ishte në Berat i caktuar si kryesues i grupit te punës për zgjedhjet dhe paralelisht po kryhen sondazhe nga deputetë të rreshtuar me Berishën.
Edhe Tritan Shehu e tha troç përmes një postimi në Facebook se përgatitjet nga Komisioni i Rithemelimit kanë filluar në të njëjtën kohë me procesin e riorganizimit dhe zgjedhjeve të brendshme.
“Ky do të jetë një proces i hapur, gjithë përfshirës e demokratik, që synon në konsolidimin e mëtejshëm të PD në Qark, si pjesë e Partisë Demokratike në terësi, në përpjekje për tu bërë sa më efektive në luftën opozitare, për të cilën ka nevojë vendi…”, shkruan Shehu.
Ndërkohë nuk mungojnë edhe akuzat e ndërsjellta mes Berishës dhe Bashës.
Berisha ka nisur një strategji të re, duke sulmuar edhe familjarët e Bashës, aty ku në fakt PD-ja ka puntuar prej ditësh, duke akuzuar Berishën se familjarë të tij po merren me pastrim parash,.
Po i kthen reston Berisha duke drejtuar të njëjtën akuza për bashkëshorten e Lulzim Bashës. Që do të thotë se të dyja palët duan të bëjnë pis njëra tjetrën në një qëllim të vetëm; se kush do të jetë më i besueshëm dhe me i ”pastër” para demokratëve aty ku po synojnë secila pale të marrë mbështetje.
“Lufta” ka filluar edhe përmes strukturave paralele. Berisha po sulmon hapur kryetarët e emëruar të Bashës në degë si ai i Fierit, Durrësit dhe Patosit duke u nxjerrë dokumente si të akuzuar për vjedhje, trafik droge apo përfitim fondesh në kundërshtim me ligjin. Ndërsa pala tjetër duke u mbrojtur përmes deklaratash zyrtare dhe mohuar gjithçka.