Vladimir Putin: Rënia e Bashkimit Sovjetik katastrofë gjeopolitike, kam punuar taksist për të mbijetuar

Presidenti rus Vladimir Putin ka folur për një dokumentar që pritet të shfaqet në Rusi, ku ndër të tjera ka treguar edhe pjesë nga jeta e tij.
Ai ka përsëritur edhe një herë se rënia e Bashkimit Sovjetik ishte një katastrofë gjeopolitike, teksa ish-agjent i KGB-së ka punuar si taksist për të mbajtur frymën gjallë, pas rënies së komunizmit.
Edhe pse kanë kaluar 3 dekada nga rënia e komunizmit, Putini thotë se kjo mbetet një “tragjedi” për “shumicën e qytetarëve”.
“Në fund të fundit, çfarë është rënia e Bashkimit Sovjetik? Ky është kolapsi i Rusisë historike nën emrin e Bashkimit Sovjetik”, thotë shefi i Kremlinit.
Fundi i Bashkimit Sovjetik solli një periudhë paqëndrueshmërie ekonomike në Rusi, që ngjalli shumë pasiguri te qytetarët. Rusia kaloi nga komunizmi në kapitalizëm.
Në këtë periudhë pasigurie, me inflacion të lartë dhe ku sistemi po ndryshonte kryekëput, Putini thotë se i duhej të punonte si shofer taksie për të pasur pak para më shumë.
“Ndonjëherë më duhej të fitoja para shtesë,” tha presidenti rus për gazetarët. “Është e pakëndshme të jem sinqertë, por kështu ishte.”
Rusia ishte qendra e Bashkimit Sovjetik dhe përfshinte republika të ndryshme nga Baltiku në Perëndim deri në Azinë Qendrore. Edhe Shqipëria ka qenë nën sferën e influencës së Bashkimit Sovjetik gjatë diktaturës komuniste.
Në vitin 1991, për shkak të problemeve të rënda ekonomike që solli komunizmi, Bashkimi Sovjetik u shpërbë dhe Rusia u bë një komb i pavarur, sikundër edhe republikat e tjera.