30 Nëntor, 2022

Vjosa “e egër” dhe shqiptarët e butë

 Vjosa “e egër” dhe shqiptarët e butë
Nga Laert Dogjani
Kombet e Bashkuara parashikojnë mungesë të ujit prej 40% deri në vitin 2030.[i]

Në terma edhe më ekstreme, autorë, shkencëtarë dhe zyrtarë të shumtë parashikojnë se lufta e ardshme botërore do të zhvillohet për shkak të mungesës së ujit dhe jo të naftës.[ii]

Në shumë vende të Europës, Francë dhe fqinjët tanë italianë janë vendosur furnzime me orar të ujit. Mund të duket e paimagjinueshme, por në verilindje të Italisë në prill 2022 është kërkuar thirrja e gjendjes së emergjencës për shkak të mungesës së ujit.[iii]

Shqipëria, si rast klasik i asaj që në shkencat politiko-ekonomike quhet “mallkimi i burimeve të tepërta natyrore” ose “paradoksi i varferisë” së vëndeve që kane shume burime natyrore, renditet sipas GIZ dhe Bankës Botërore [iv] në krye të listës së vendeve të rajonit që preken nga ndryshimet klimatike dhe mbetet ndër administrueset më të dobëta ndër vite të ujit të pijshëm pavarësisht se renditet e dyta në Europë për pasurine e burimeve ujore.

Sipas të njëjtave burime, efektet negative të ndryshimeve klimatike në rastin e Shqipërisë theksohen edhe më tepër në rastin e prodhimit të energjisë elektrike nga hidrocentralet, pra do të kemi më shumë reshje te fuqishme ose mungese të tyre të gjate çka do të thotë më shumë permbytje, më shumë dëme në bujqësi nga përmbytja, më shumë thatësirë dhe përsëri dëme në bujqësi dhe më pak prodhim energjie elektrike.

Të gjitha këto ndërkohë që jemi zyrtarisht në emergjencë për sa i përket furnizimit me energji elektrike.

Në këtë kontekst sa kompleks, por dhe aq të thjeshtë, pasnesër do të zhvillohet në Tepelenë një aktivitet ndërgjegjësues nga shoqata mjedisore të cilat janë aktive në rrjete sociale dhe terren në lidhje me ruajtjen e Vjosës si “lumi i fundit i egër në Europë” pa hidrocentrale.

Paradoksalisht, pjesëmarrësit vijnë nga Shqipëria dhe Kosova të dyja importuese neto të energjisë elektrike, kjo e fundit me kufizime të ndjeshme të saj. Ndërkohë që zhvillohet ky aktivitet që synon ruajtjen e Vjosës së “Egër”, duhet të kujtojmë për to dhe një publik më të gjerë disa fakte për të cilat shoqatat mjedisore nuk japin zgjidhje apo përgjigje:

1.Nuk ka term të njohur apo konventë/traktat ndërkombtar mbi atë se çfarë është një “lumë i egër”. Vetë shoqatat gjatë fushatës së tyre e kanë ndryshuar termin, tashmë thonë “lumi i fundit i madh i egër në Europë”.

2.Edhe sipas termit të tyre, Vjosa nuk është “lum i egër“ për sa kohë në rrjedhën e Vjosës që gjendet në Greqi janë ndërtuar hidrocentral, devijuar për bujqësi dhe planifikuar hidrocentrale të tjerë

3.Shfrytëzimi i lumenjeve kur ata rrjedhin në disa shtete rregullohet me marrëveshje. Bazë për marrëveshje jane konventa dhe traktate ndërkombtare. Ngjashëm dhe ndoshta më ekstrem se shfrytezimi i Vjoses nga Greqia ishte tentativa per devijimin e Radikës (degë e Drinit te Zi) në Rep. e Maqedonisë së Veriut në 2014.

Konventat ndërkombëtare i japin të drejta të shtuara Shqipërisë si vend në rrjedhën e poshtëme të lumenjve dhe per shkak se deti ku ata derdhen gjendet në Shqipëri.

Fare pak informacion publik egziston nëse Shqiperia ka arritur marrëveshje me RMV dhe Greqinë për administrimin e lumenjve. Sa për shembull dhe kontekst të ditëve të fundit, Radika ka prurje prej 50m3/s çka ndikon fizibilitetin e HEC që planifikon të ndërtojë Bechtel në Skavicë. Informacioni fundit publik mbi statusin e këtyre marrëveshjeve janë nga prof. K. Krisafi[v]

4.Shoqatat mjedisore që promovojnë Vjosën “e egër” dhe kundërshtimin e tyre për mosndërtimin e hidrocentraleve paraqesin një studim tepër të debatueshem, në mos të dyshimtë, në mbështetje të tezës së tyre. Studimi i SAVI[vi] nuk tregon se si Shqipëria do t’u përgjigjet sfidave të ndryshimeve klimatike dhe shfrytëzimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore.

Po ashtu fryn në mënyrë të jashtëzakonshme të ardhurat që do të vijnë nga turistë të natyrës ndërkohë që turistët e bregdetit që sjellin të ardhura më të larta duan energji të freskohen (importi i kësaj të fundit sot subvencionohet nga taksat tona).

Në rrjete sociale, Leo Di Caprio si mbështetës i Vjosës “së egër” tërhoqi vëmendjen edhe të kryeministrit, por në të njëjtën kohë akuzohet si hipokrit, për sa kohë nuk bën turizëm me çantë në Vjosë (apo ndonjë lumë tjetër) por në jaht me naftë. Më konkretisht, pyetje pa përgjigje nga mbrojtësit e Vjosës “së egër”.

5.Pretendohet se energjia elektrike që na nevojitet duhet të vijë ndër të tjera nga panelet fotovoltaike dhe importi. Panelet fotovoltaike janë një teknologji shumë e mirë dhe me potencial të jashtëzakonshëm për Shqipërinë.

Problemi është se sipërfaqja e tokës në dispozicion është tepër e vogël. Pa bërë shumë teori, besoj biem dakord së shfrytëzim i qëndrueshëm i tokës në Shqipëri ndjek hierarkinë si vijon: bujqësi, banim dhe kompensim të pronarëve.

Njëlloj besoj biem dakord se shfrytëzim i qëndrueshëm i ujit ndjek hierarkinë, ujë i pijshëm, ujitje, prodhim energjie elektrike të pastër. 1/3 e energjisë elektrike që konsumojmë në Shqipëri importohet.

Ajo vjen kryesisht nga TEC-e me linjit që prodhojnë fqinjët. Linjiti është ndotësi më i madh me tym dhe grimca. Bankëatch paraqet në videon si vijon se si tymi dhe grimcat e këtyre TEC-eve me linjit ndotin dhe helmojnë gjithë rajonin.

Hierakia e leverdisë ekonomike dhe e pastërtisë së energjisë në rastin e Shqipërisë është HEC-e, fare pak energjie nga dielli dhe era, TECe me gaz, TECe me qymyr lokale nese duam të zëvendesojmë importin e energjisë elektrike që prodhohet nga TEC-e me linjit (jo me qymyr) që prodhojnë fqinjët.

https://www.youtube.com/watch?v=aFh4gWSxFF8

6.Pozicioni i Vjosës në Jugun e vendit është me avantazh tjetër të jashtëzakonshëm për sa kohë humbjet në rrjetin tonë mbeten relativisht të larta megjithëse në vazhdimësi në rënie.

Zhvillimi i turizmit dhe çdo industrie që përdor energjinë elektrike kërkon burime elektriciteti të tilla sa më pranë vendit ku konsumohet. Kjo ishte dhe arsyeja pse TEC-i dhe Petrolifera u ndërtuan në Vlorë edhe në atë kohë me protesta por sot potencialisht me shumë vlerë për gjithë rajonin.

7.Stundimi i paraqitur nga ambjentalistët nuk paraqet si do përballohen kostot e përmbytjeve që shkakton Vjosa aq më tepër në një vend i cili pa administrimin e lumenjve do të vazhdonte të kishte një kënetë të madhe në ultësirën perëndimore.

Me dashamirësi ndaj shoqatave mjedisore dhe protestave të tyre të cilat për shumë kënd mund të duken luks në një vënd ende të varfër në ekonomi, bujqësi dhe energji por në rastin konkret po pretendojnë një standard që lumenjve të shumtë që vijojnë e rrjedhin në Shqipëri e derdhen në detin tonë nuk ia jep asnjë vend tjetër fqinj apo në Europë.

Ndoshta jo më kot, lumenjtë e tjerë në Europë janë “zbutur” megjithëse këto vende kanë nivel zhvillimi ekonomik më të lartë se Shqipëria dhe preken më pak nga ndryshimet klimatike.

Kështu një kompromis i madh kombëtar e politik do të ishte ndertimi i të gjitha hidrocentraleve të mëdha në kaskadë ku është e mundshme shkencërisht, ndalimi i ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël, ndërtimi i TEC-eve me gaz natyror, përmirësimi i cilësisë së karburantit që përdorim, zbatim të moratoriumit që ndalon prerjen e pyjeve dhe të shfrytëzimit të inerteve të shtratit të lumenjve.

Holanda i thau kënetat rrotull fushave gazmbajtëse në Groeningen.

Pasi shfrytëzoi gazin dhe arriti nivel të lartë ekonomik ato po kthehen në gjendjen e mëparshme me rezultate tepër të shpejta të biodiversitetit. Kjo duhet të jetë rruga që duhet të ndjekim edhe ne.

*Autori ka 20 vite eksperiencë në sektorët e Bankingut, Ushqimit, Teknologjisë dhe Energjisë.

Opinionet janë personale të autorit dhe nuk përbëjnë qëndrim të Revistës

[i] https://www.reuters.com/business/sustainable-business/esg-watch-new-study-sounds-alarm-about-risk-stranded-assets-due-water-scarcity-2022-05-16/

[ii] https://nypost.com/2018/10/19/the-wars-of-the-future-will-be-fought-over-water-not-oil/

[iii]https://www.repubblica.it/cronaca/2022/04/22/news/veneto_crisi_idrica_bacini_montani_trentino_lettera_zaia_governo_nordest_guerra_acqua-346383795/

[iv] https://dosja.al/dw-shqiperia-vendi-i-bp-me-i-prekur-nga-ndryshimet-klimatike-nderhyrja-qe-do-behet

https://www.worldbank.org/en/country/albania/brief/climate-change-in-albania

[v] https://www.youtube.com/watch?v=_ChC8dOE0c0

https://www.zeriamerikes.com/a/proteste-radika-vjosa/1842908.html

[vi] https://portavendore.al/wp-content/uploads/2020/12/prezantoi-studimin_compressed.pdf

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *