27 Nëntor, 2022

Vila misterioze e Enverit

 Vila misterioze e Enverit

Nga Ardian Vehbiu

Unë e kam gjetur Tiranën me “bllok” – jo dhe aq larg mëhallës sime, mu përtej kanalit septik të Lanës, shtrihej një hapësirë e mbrojtur me roje të armatosura, ku mua – banorit të qytetit – nuk më lejohej të shkelja. Nuk ishte truall privat, as kasermë, as bazë raketash – por vetëm lagjja ku banonte një kastë njerëzish të ndryshëm nga unë, me të cilët nuk më lejohej kontakti, sikurse nuk më lejohej të thithja të njëjtin ajër.

Blloku në Tiranë për mua fëmijën ishte natyralizuar, dhe jo vetëm nuk kisha më kuriozitet që të “hyja” atje dhe të verifikoja se çfarë kishte aq të veçantë, por edhe kisha filluar të mos e vija më re. E dija që ishte aty, por sikur nuk e perceptoja më si pjesë të qytetit – i shmangesha me lehtësi të madhe, i vija rrotull pa e kuptuar, njëlloj siç i vjen drita rrotull një mase të madhe gravitacionale (siç e kish parashikuar qëkur Einstein-i, blloku i lakonte vijat e drejta).

Kur kam lexuar The City & the City, të China Miéville, e kam kuptuar më mirë këtë padukshmëri të qytetit sekret brenda qytetit, duke gjetur edhe shpjegimin pse banorët vdekëtarë të Tiranës, si unë, ishin mësuar ta përjashtonin bllokun nga eksperienca e jetës urbane, duke e zëvendësuar me nevojën abstrakte për shmangie.

Vetëm ndonjëherë, kur qëllonte të kaloja te Libri Universitar në vjeshtë, e kapja veten duke menduar, pa dashur, si gjethet e vyshkura mbledhur togje-togje mund ta shtyheshin lirisht, nga era, drejt asaj hapësirës tjetër, që paksa përvijohej në sfond.

Ishte Blloku, por ishte edhe Shtëpia e Enverit, që njëfarësoj përhihej ende, në zgrip të Lagjes së Ndaluar, kur e shihje nga Bulevardi. Kur dilnim për xhiron e mbrëmjes, por edhe ditën – unë atje kaloja rregullisht, viteve të studentllëkut – nuk e kishim për gjë të soditnim dritaret e zyrës së Enverit në ndërtesën e Komitetit Qendror, me gjithë pajisjet e ajrit të kondicionuar, që në fillim nuk e kuptonim se ç’ishin.

Enveri në zyrë: kjo ishte një klishe e tillë që të na siguronte se, sa herë që gjendeshim ne aty poshtë, në hijen e pishave, gjendej edhe ai aty lart, ulur në skrivani, duke “kënduar” shkresën vetullngrysur.

Por Vila e Enverit, siç do ta quanim më pas, nuk komunikonte kështu; ndoshta ngaqë, megjithë përpjekjet fotografike të Sulo Gradecit, nuk e përfytyronim dot jetën private të liderit, madje na dukej se një burrë shteti i atij kallëpi nuk mund të kishte jetë private, njëlloj siç nuk mund të ketë jetë private një statujë ose një mbishkrim në faqe të malit.

Mbaj mend, kur kam qenë student, një shaka të rëndë që dëgjova rastësisht në një tavolinë, dhe me të cilën pata frikë edhe të reagoj: për ekipin e mjekëve të atashuar në bllok që ish ulur të festonte i çliruar, pasi shoku Enver më në fund kish dalë jashtë, pas një bllokade shumëditore të zorrës. Madje më të çliruar ishin ndier mjekët, se koloni i udhëheqësit.

Meqë të njëjtën shaka e kam lexuar më vonë për Maon, mbase ai që e tha atëherë mund ta ketë bërë për provokim. Rrëfeje dhe mbaj shënim kush do të qeshë me kapsllëkun e liderit total. Por mbase edhe konstipacioni, në ato nivele, duhej parë si formë tinëzare e luftës së klasave.

Nuk kam qenë në Shqipëri, kur bllokut në Tiranë iu hoq perdja e padukshmërisë dhe kureshtarët u lejuan t’ia shkelnin rrugët dhe t’ia kundronin hiret arkitektonike. Dhe për Vilën e Enverit gati kisha harruar që ekzistonte, po të mos ma kujtonte një travelog i një gazetari amerikan, të cilit – kur e kish vizituar herët në vitet 1990 – i ishte dukur si shtëpia e ndonjë dentisti të suksesshëm në Chicago.

(Edhe ky yni, do t’i ketë thënë ndonjëherë ndonjë kundërshtari në plenum: unë të shkul dhëmbët.)

Sërish, pas shumë vjetësh, u gjenda në Tiranë kur thanë se do të hapej Vila e Enverit për publikun; u gjenda me njerëz që donin të shkonin atje, shkova edhe unë dhe ndenja ca minuta në radhë, por sa më shumë që rrija, aq më shumë më shtohej një siklet i pashpjeguar, aq sa pastaj e mora në sy të largohem, me arsyen se nuk kisha asnjë interes t’i shihja nga afër dhe t’i prekja kolltukët, majolikat dhe vaskat e familjes Hoxha.

Mora vesh pastaj se ata që kishin hyrë, pas një pritje të sfilitur, ishin angazhuar edhe në art performativ dhe kishin habitur dynjanë.

Ka ndërtesa të shkalura, të cilave nuk duhet t’u afrohet njeriu me mendjelehtësi; dhe ajo vilë e tillë ende më duket. Atje kanë zënë fill makthet, fantazitë për procese politike, akuzat, urdhër-përgjimet, urdhër-arrestet, udhëzimet për torturë, tablotë sinoptike dhe vendimet për internimin e fëmijëve të vegjël – më shumë edhe se te zyra e sekretarit të parë me dritare mbi Bulevard; si ana e pasme e delirit të madhështisë dhe e veprave grafomaniakale, si kontribute të pakërkuara në mendimin marksist-leninist planetar.

Një diktator që firmos mbase solemnisht dënime me vdekje në zyrën e vet (i rrethuar nga rafte me librat që ka shkruar vetë) edhe mund ta përfytyroj; një burrë të hijshëm, pater familias, të rrethuar nga gjelbërimi dhe kultura frënge, por që sërish jep e merr me paranojën e vet të pashqitshme dhe përfytyron si do t’i firmosë ato dënime, i ulur në kolltuk ose duke u ngrohur në diellin mesdhetar të lagjes tiranase, nuk e përfytyroj dot.

E pranoj më lehtë Enverin si shifër, si parim drejtues abstrakt të një sistemi totalitar, se Enverin njerëzor, që “kumbiset” në minder, ulet të hajë supë me barishte, luan me mbesën në oborr. Ky përfytyrim i dytë më duket obscen, dhe e dëboj nga vetja.

Njëlloj nuk kam pranuar dot rehabilitimin e Vilës së Enverit dhe përdorimin e saj për evente, kremtime dhe promovime; sepse tek ai vend vetë koncepti i rehabilitimit e humb kuptimin (sa herë që dëgjoj për një festë që mbahet atje, më bëhet sikur rikthehet përkohësisht galdimi rrezëllitës i proktologëve të delta-force-s antikaps). Ndoshta ajo vilë duhej lënë në mëshirë të elementeve, që të mbulohej nga dredhëza dhe ku të mbinte fiku; që t’i vithisej çatia dhe të vinte e të shndërrohej në strehë për gjallesat e vogla të qytetit – pëllumbat, macet e rrugëve, kumrijet, grerat, dallëndyshet, lakuriqët e natës, qentë e pamiratuar nga Bashkia. Dhe të kthehej, dora-dorës, në një cenotaf sui generis, në një varr të zbrazët jo aq të Enverit, sa të viktimave, përfshi edhe ato të mbetura ende pa varr, të diktaturës. Mbase vetëm ashtu do të fillonte e djeshmja e padukshme të materializohej edhe në sytë e atyre që janë tepër të rinj, për ta kujtuar.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *