Vetëvaret një 13-vjeçar në Lushnjë, dyshohet duke bërë video në ‘Tik Tok’

Një 13-vjeçar me inicialet A.S., humbi jetën të shtunën pasdite, pasi ishte vetëvarur me spango në qafë në dhomën e tij në Golem të Lushnjës. Ai u gjet i pajetë nga prindërit, ku edhe pse u dërgua në spital nuk mundi të mbijetojë.
Pasi e kanë kërkuar në lagje dhe e kanë thirrur disa here, familjarët kanë shpërthyer derën e mbyllur të dhomës, ndërsa kanë gjetur me një spango në qafë dhe një karrige e rrëzuar të miturin.
Dhunë dhe vetmi në profilin e “Tik Tok” me emrin ‘Djali i keq’!
Ndërsa policia vijon hetimet për zbardhjen e arsyeve që mund të kenë çuar të miturin të varë veten, mes dyshimeve është edhe fakti se ai mund të ishte duke bërë një video në rrjetin social ‘Tik-Tok’. Pikërisht një lojë në dukje argëtuese dyshohet se mund të jetë shndërruar në një tragjedi.
Dyshimet shtohen edhe më shumë, pasi në profilin e tij në ‘Tik-Tok’ i mituri paraqet një imazh mjaft depresiv, dhunë dhe vetmi. Profilin e kishte hapur me emrin ‘Djali i keq’, ndërsa shkrimet e tij tregoni një gjendje depresioni të rënduar, por edhe shumë të vetmuar
“Vetmi nuk do të thotë të jesh vetëm, por të kesh një zemër të vetmuar”; “Jeta ime është mbushur me errësirë, prandaj unë rri në errësirë”; “Jetë pa lidhje, probleme pa zgjidhje, botë me shumë ngjyra, njerëz me dy fytyra”, ishin disa nga postimet e të miturit në ‘Tik-Tok’.
Ekspertet janë duke këqyrur profilin e tij në këtë platformë sociale, pasi dyshimi kryesor i vetëvarjes së tij lidhet pas një loje në ‘Tik-Tok’, që ka përfunduar në tragjedi.
Ministrja Kushi e shqetësuar dhe e tronditur
Pas kësaj ngjarjeje tragjike, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka ngritur alarmin, duke u shprehur e shqetësuar për përgjegjësinë e shkollës dhe familjes në këtë aspekt.
Në një postim në Facebook, ajo thekson nevojën e një debati të gjerë publik për këtë emergjencë shoqërore. “Jam e tronditur nga ngjarja e fundit e 13 vjeçarit në Lushnjë! Aksesi i fëmijëve në internet për një kohë të gjatë dhe në informacione të pakontrolluara dhe të parekomandueshme për moshën e tyre, është një nga çeshtjet që unë kam ngritur vazhdimisht në takime të ndryshme”, – shkruan Kushi.
Ajo thotë se edhe para pak ditësh e ka ngritur si alarm këtë gjë në takimin e zhvilluar në kuadër të projektit “Shkolla për Shëndetin”, ku theksoi nevojën e një debati të gjerë publik për këtë emergjencë shoqërore.
“Jo vetëm shkollat dhe institucionet, por edhe familjet dhe çdo individ duhet të marrë sot përgjegjësinë për këto raste fatale!”, – nënvizon Kushi.