Vëllai i Belind Këlliçit në prehrin e “Rilindjes”, punon si këshilltar tek Belinda Balluku

Skandali i rrjedhjes në publik të pagave për rreth 630 mijë shqiptarë ka nxjerrë në pah ndër të tjera fijet e thella të lidhjeve të politikanëve. Mes këtyre fijeve, sipas të dhënave që kanë marrë dhenë në publik Belind Këlliçi nuk është thjesht dhëndër i Rilindjes, por zbulohet edhe lidhja e tij me Belinda Ballukun, ministren e Infrastrukturës.
Ndërsa Belindi bën opozitarin kundër Qeverisë, vëllai i tij, Reshard Këlliçi është ulur në prehërin e Rilindjes me një pagë më shumë se tre herë më të lartë se paga mesatare në Shqipëri. Kjo zbulohet te dosja e mbi 630 mijë pagave që kanë dalë në publik, ku Reshard Këlliçi rezulton i punësuar si këshilltar ligjor pranë shoqërisë AlbGaz me pagë rreth 1.9 milion lek të vjetra.
Shoqëria është themeluar në janar të 2017-s për të ushtruar aktivitetin si Operator i Sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes të gazit natyror dhe ajo është në pronësi 100 për qind të shtetit shqiptar me aksionet që zotërohen nga Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Belinda Balluku.
Kjo lidhje duket se ka qenë edhe arsyeja e “ndarjes” së votave mes Belinda Ballukut dhe Belind Këlliçit në zgjedhjet e 25 prillit. Ministrja dhe deputeti i PD-së dolën ndër kandidatët më të votuar nga qytetarët në këto zgjedhje, ku Balluku ishte edhe më e favorizuara nga komisionerët, që siç doli nga verifikimi i votave nga KQZ-së rezultonte me më shumë vota nga sa kishte marrë realisht.
Reshard Këlliçi me sa duket ka qenë edhe ndërmjetësuesi, udhëzuesi e kumbari i aleancës së fshehtë të Belind Këlliçit me Belinda Ballukun gjatë fushatës elektorale të 25 prillit. Mes zonave që mbulonte Këlliçi gjatë fushatës elektorale ishte dhe ajo e Kombinatit, ku kundërshtare kishte ministren e Infrastrukturës.
Kundërshtia me sa duket ka qenë vetëm në letër, sepse në realitet Belind Këlliçi e shmangu fushatën në Kombinat. Ai u përqëndrua në zonën e Astirit, Yzberishit dhe fshatrave të tjera të ish-Komunës së Kasharit, duke i lënë territor të lirë Belinda Ballukut në Kombinat.
Belinda Balluku mori 15 mijë e 361 vota nga këto zgjedhje, ndërsa Belind Këlliçi 11 mijë 601 vota. Nga verifikimi paszgjedhor rezultoi se Belinda Balluku kishte marrë 36 vota më shumë nga sa ishte votuar realisht.
Tashmë në rolin e opozitarit dhe mandatin e deputetit në Kuvend, Belind Këlliçi ka nisur betejën politike kundër Qeverisë. Në akuzat e shqiptuara prej tij në këto muaj i ka marrë me radhë të gjithë ministrat dhe drejtuesit kryesorë të mazhorancës socialiste, me përjashtim të emrit të Belinda Ballukut.
Tashmë, Këlliçi është i rreshtuar në krah të Sali Berishë në përplasjen e brendshme për kontrollin e Partisë Demokratike dhe fijet e interesat që e lidhin me Belinda Ballukun duket se po orientojnë edhe opozitarizmin e Berishës, duke shënjestruar në Qeveri vetëm “armiqtë” e brendshëm të ministres së Infrastrukturës.
Pra në një formë a në një tjetër, ai po i kthen nderin ministres së Infrastrukturës, që i mban në punë si këshilltar ligjor në Albgaz të vëllain, Reshardin.