4 Dhjetor, 2022

Veliaj fut “mik” gruan, partnerët e Ajola Xoxës negociuan për kontratën e incineratorit të Tiranës

 Veliaj fut “mik” gruan, partnerët e Ajola Xoxës negociuan për kontratën e incineratorit të Tiranës

Zbulohen detaje të reja, lidhur me aferën e ndërtimit të inceneratorit të Tiranës, një projekt ky ende në letër që është përllogaritur në një shtrirje kohore prej 30 vjetësh, ndërsa xhiroja financiare mësohet se shkon diku tek 400 milion euro.

“Ora News” ka siguruar të plotë dokumentet e inceneratorit të Tiranës, ku një ndër shumë faktet kompromentuese të kryebashkiakut, Erion Veliaj, janë dhe disa emra juristësh që kanë marrë pjesë në negocimin final, të kontratës së këtij koncesioni.

Ky dokument tregon qartë se në datën 25 gusht 2017, Klodian Zoto, pronari i kompanisë fituese “Integrated Energy”, autorizon 5 persona që të përfaqësojnë kompaninë në fjalë në të gjitha mbledhjet që do kryhen, me qëllim negocimin deri në fund të kontratës, si dhe të nënshkruajnë në emër të saj çdo dokument të nevojshëm.

Sipas këtij dokumenti, 5 emrat janë Flonia Tashko, Florian Hasko, Denisa Tollkuci, Rajmonda Braja dhe italiani, Giuseppe Ciaffaglione, i cili rezulton të jetë dhe firmëtar i kësaj kontrate koncesionare.

Po çfarë i lidh disa emra negociatorësh, me kryebashkiakun e Tiranës, Erjon Veliaj?

Nga verifikimet e kryera rezulton se kjo lidhja qëndron pikërisht tek juristët, Flonia Tashko dhe Florian Hasko, që të dy pjesë e studios ligjore “Tashko-Pustina”.

Pjesë e kësaj studio ligjore ka qenë për disa vite dhe Ajola Xoxe, gruaja e kryebashkiakut Veliaj, e cila pa dyshim ka përpiluar dokumente dhe ka ushtruar influencën e saj në mbarimin e punëve të kësaj studio.

Dokumenti që kemi mundur të sigurojmë është i muajin Prill 2013, ku gjeorgjiani-izraelit Amiran Dzanashvili, që bleu “Xhoi Lloton” në Shqipëri, autorizonte për veprime juridike, juristët e kësaj zyre, Florian Hasko, Floran Pustina, Ajola Xoxen dhe Jolita Hoxhollin.

Lidhja shoqërore, por dhe partneriteti në punë i Ajole Xoxes me këtë zyrë avokatie që ka negociuar kontratën për inceneratorin dhe landfilldin e Tranës, dukshëm është i qartë.

Dy nga kolegët e dikurshëm të Ajola Xoxes, Florian Hasko dhe Flonia Tashko, kanë negociuar kontratën e inceneratorit të Tiranës, biznes ky që në shumë dokumente shkresorë rezulton të jetë miratuar edhe nga bashkëshorti i Ajola Xoxes, Erjon Veliaj.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *