28 Janar, 2023

Urdhërat për SPAK, me kë e ka Edi Rama

 Urdhërat për SPAK, me kë e ka Edi Rama

Nga Enton Abilekaj

Nëse do të ishte thjesht një urdhër për SPAK, Rama nuk ka pse ta lëshojë publikisht. Kontaktet e tij me SPAK janë të qarta, që në hetimin e patronazhistëve, tek hetimi i dosjes 184, 339, etj. Është e njohur aftësia e Ramës për të marrë në telefon direkt, këdo që i duhet dhe, në varësi të kontrollit që ka mbi të, ta urdhërojë, shantazhojë, komplimentojë e kështu me radhë deri në lëpirje. I vetmi që përjashtohet është ai që urdhëri publik i drejtohet SPAK.

Ai urdhër i drejtohet si kërcënim opozitës së re që po i del përballë, Berishës dhe Metës, frikës që ka Rama nga një opozitë e fortë që nuk e ka gjuhën e lidhur tek ortakët e tij dhe është e lirë të denoncojë aferat e mëdha. Edhe për të marrë maksimumin bëmave të pandëshkuara të së shkuarës së tyre. Urdhëri publik për SPAK, u drejtohet ndërkombëtarëve si ankesë dhe paralajmërim për rebelim ndaj Reformës në Drejtësi.

Duke qenë se veçanërisht SHBA, por edhe BE, kanë akses në SPAK dhe ushtrojnë një influencë konkuruese në institucionet e reja të Drejtësisë, Edi Rama ndihet i kërcënuar ose i tradhëtuar. Kupa u derdh me arrestimin e Alqi Bllakos. Jo se deputeti ishte i afërt me kryeministrin, por sepse arrestimi i tij ishte i paautorizuar dhe i pakontrolluar nga i gjithëpushtetshmi. Arrestimi i tij ishte konfirmim i një fuqie konkuruese madje sfiduese në kontrollin e Drejtësisë. Pas kësaj, Rama nxitoi të tregojë që Reforma nuk bëhet pa votat e tij, prandaj nuk mund të dalë kundër tij.

Nuk mund të rikuperojë dëmin e bërë tashmë, por i del përpara të panjohurës, që mund të jetë dërrmuese për qeverinë e tij, arrestimin e ndonjë ministri apo bashkëpunëtori më të ngushtë që është në detyrë. Ai nxiton të vendosë vijën e kuqe të bashkëpunimit, që ndërkombëtarët mos ta nxisin SPAK të ngrejë stekën, por të kthejë kokën mbrapa, tek dëmet e së shkuarës.

Të mos merret me rrugët e florinjta, me koncesionet shkatërrimtare të buxhetit, me Rilindjen Urbane 2 miliardëshe, por t’i kthehen edhe një herë 1 miliardëve të Rrugës së Kombit, Gërdecit, bllokut të Ilir Metës dhe 21 janarit që e pasoi. Urdhëri publik është paralajmërimi i fortë që Rama u bën dubluesve të pushtetit të Drejtësisë, që atë influencë që kanë fituar falë votave të tij, janë duke e humbur përfundimisht.

Këtë mund t’ua komunikonte gjithashtu privatisht ndërkombëtarëve, por pasiguria që mesazhi shkon në vendin e duhur, e detyron ta bëjë publikisht. Urdhëri për SPAK mbi të gjitha, u shkon si jusitifikim atyre që nuk i mbrojti dot, ose i shiti për të shpëtuar të tjerët. I drejtohet Saimir Tahirit, Lefter Kokës dhe më pak Alqi Bllakos. Komunikimi direkt me ta është i rrezikshëm, pakënaqësia e tyre, dyshimi për besëprerje nga Rama, është akoma më i rrezikshëm. Për këtë arsye duhet ky mesazh i koduar, ku Rama pranon se nuk është ai kontrolluesi i Drejtësisë dhe se është shumë i pakënaqur nga SPAK.

Ata duhet të binden që nuk e kanë nga Rama, nuk i shiti ai. Jo më kot, mbajti një fjalim të gjatë për “shitjen e shokëve nga i Gjati” në Kongres. Frika nga zemërimi i atyre që janë mbrapa hekurave dhe nuk kanë asgjë për të humbur, është arsyeja kryesore e komunikimit të paprecedentë të Kryeministrit me Drejtësinë. Edi Rama e di se duke urdhëruar publikisht arrestimin e Berishës dhe Metës, vetëm sa u jep atyre imunitet, duke e komptomentuar më keq SPAK-un e mbushur me dyshime. Por qëllimi i tij nuk është që të ketë Drejtësi. E kundërta i duhet tani, kur dosjet e denoncimeve për aferat e qeverisjes së tij janë bërë stivë në Prokurorinë Speciale.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *