Unë dua një opozitë tjetër!

Nga Meri Lika
“Kur nuk je i dobishëm, duhet të dish të tërhiqesh!”
Me këto fjalë, në 4 maj të këtij viti, Pablo Iglesias, kandidati i Podemos dhe ish zv.kryeministër në qeverinë e mëparshme, njeriu që ndryshoi përgjithmonë politikën spanjolle, në një fjalim brilant, u tërhoq nga politika pas humbjes së zgjdhjeve.
Unë jam opozitare e lindur, ashtu si ndodh në natyrë kur gjallesat kanë reflekse të fituara dhe të kushtëzuara, opozitarizmin e kam refleks të kushtëzuar i cili më është trashëguar nga prindërit e mi. Si e tillë gjithmonë përballë një pushteti dua një opozitë të fortë.
Duke qenë se politika ka ndikim shumë të madh në jetët tona, më është e pamundur të rri indiferente pavarësisht se jam qytetare pa parti.
Në botën e qytetëruar, demokratike etj, etj, periudha kur një parti humbet zgjedhjet dhe kalon në opozitë (ose vazhdon sërish në opozitë) është periudha kur partia krijon figurat e reja, riformulon përmbajtjen dhe harton mesazhet që do të përcjellë tek zgjedhësit.
Të jesh në pushtet është ëmbël, butë, komod.
Por, të jesh në opozitë e aq më tepër në një parti e cila dikur ka qeverisur dhe që sipas logjikës demokratike kërkon të qeverisë sërish në të ardhmen, është një lloj “pensioni” i përkohshëm i cili shërben për pastrimin e strukturës dhe për riorganizim të saj.
Koha kur një parti është në opozitë është një kohë rinovimi, ristrukturimi, ringritje dhe prandaj është normale që në periudhën kur partia politike është në opozitë të kërkohen figura të reja që frymëzojnë dhe japin besim.
Unë mendoj se askush nuk është i domosdoshëm në politikë por, tek ne politikanët e mësuar me mjaltin e pushtetit (qoftë ky edhe mjalt opozitar), edhe kur “korrin” disfatë pas disfate, nuk e mendojnë veten të larguar e as të zëvendësuar, sepse ata realitetin e ri opozitar e konsiderojnë vetëm për partinë pa e përfshirë veten e tyre në të.
Edhe pse nuk jam marrë kurrë me politikë, unë gjykoj se, ashtu si në gjithë botën e zhvilluar e në shoqëritë demokratike, procesi opozitar ka disa faza:
Faza e parë është: Ndëryshim i lidershipit.
Lideri i partisë që kalon në opozitë jep dorëheqjen dhe largohet, sepse vetëm kështu bëhet i mundur riorganizimi i partisë.
Më pas vjen: Përcaktimi i rolit politik në pozicionin që ndodhet partia.
Nuk është i njëjti rol i opozitës si kur pozita ka fituar 52% dhe kur ka fituar 60% apo 70%
Pas rolit politik duhet: Strategjia që do të njdek partia.
Duke mos pasur pushtet politik, lideri i ri rimendon strategjinë që do të ndiqet.
Dhe në fund është: Mesazhi që do t’i drejtohet elektoratit
Ky mesazh është shumë i rëndësishëm, sepse ai përfaqëson programin dhe aksionin politik që opozita do të ndjekë përkundër pushtetit.
Tek ne nuk ndodh kështu. Kryetari i partisë më të madhe opozitare edhe pse ka humbur dy palë zgjedhje të përgjithshme (pa i përfshirë zgjedhjet lokale), nuk bën dot një akt dinjiteti dhe morali për të dhënë dorëheqjen dhe t’i japë mundësi partisë të riogranizohet.
Duke dashur të mbysë debatin që i rrezikon postin në parti, kryetari aktual i saj është duke asfiksuar opozitarizmin, ai harron se me “dhunë”, presion dhe imponim nuk fitohet asgjë.
Tenxheret me presion, nëse nuk i shfryn shpërthejnë, e unë nuk e dua një opozitë që është e gatshme të shpërthejë si tenxhere me presion.
Nuk jam aspak e shqetësuar për partinë demokratike, por jam e shqetësuar se ndërkohë që opozita lufton për të hequr kryetarin humbës, në krahun tjetër marshimi shkatërrues i korrupsionit qeveritar, vazhdon i qetë dhe i pashqetësuar nga asgjë dhe nga askush.
Nuk po mundet opozita të bëj opozitë? Mos vallë nuk do? Mos vallë nuk di? Mos ndoshta fiton më shumë pa bërë asgjë? A është kjo, opozita që na duhet?
Unë dua një opozitë tjetër!
Unë dua një opozitë të hapur, ku secili të thotë atë që mendon, ku secili të mund të konkurrojë, ku secili të mund të fitojë, ku secili të kontribuojë, sepse vetëm kështu opozita do të jetë një armë e fortë përballë këtij pushteti sa qesharak aq dhe të korruptuar.