Trëndafili i Budapestit që erdhi, mori, iku, mbretëresha e munguar Donika Kastrioti dhe historia si lojë qokash personale

Nga Bedri Islami
Shqipëria ka pasur një herë një mbretëreshë që rridhte nga familja princërore e Aranitëve, Donika Kastrioti.
Në 20 vite të saj të martesës ajo qëndroi me mbretin e shqiptarëve, Gjergj Kastriotin dhe nuk e braktisën atdheun deri në frymën e fundit të Skënderbeut dhe disa vite përtej vdekjes së tij.
Donika, bija e Gjergj Aranitit të Kaninës, princit luftëtar dhe bashkues i princave rreth një figure, nuk ka sot as një bust, as një shtatore, asnjë shkollë – në dijeninë time – nuk ka emrin e saj.
Përse? Sepse nuk e braktisi atdheun që në sulmin e parë që bënë pushtuesit. Dhe invadimi turk para 5 shekujve ishte më mizor, më vrastar, më përbindësh se sa ajo që ndodhi me 7 prill 1939.
Donika, kur iku nga ky vend nuk mori asgjë me vete, veçse birin e saj, Gjonin dhe e përgatiti për luftën e ardhshme.
Në dallim prej saj, gruaja e Ahmet Zogollit, të vetëshpallur mbret me ndihmën e fashizmit, Duçes, sunduesi që braktisi gjithçka dhe ia mbathi pa hedhur një pushkë, pasi grabiti gjithë çfarë mundi, tani ka një përmendore – shtatore, e cila përurohet në Tiranë me bekimin e qeverisë.
Ndërsa Gjergj Kastrioti është heroi ynë kombëtar më i ndritur, gruaja e Zogollit, e cila qëndroi një vit në Shqipëri, ankohej se nuk mori dot lugët, pjatat, pirunjët e florinjtë.
Ajo mund të ketë qenë trëndafili i Budapestit, punonjëse në një galeri arti, por për Shqipërinë nuk mundi të bënte asgjë.
Erdhi, mori, iku. Thonë ishte grua e mirë – mundet, por gra e burra të mirë ka pasur boll ky vend, që tani nuk dihet se as varret ku i kanë.
Mbi bazën e cilit vendim është ngritur kjo shtatore? Përse nuk merret një vendim i tillë për Zonjën e Aranitëve, nuse në Kastriotët?
Po bëhet historia lojë qokash dhe njohjesh, dëshirash personale kryeministrore, sikur shiten piktura në copa letre!
Medet!