28 Shtator, 2023

Tre episodet e fundit të serialit Berisha-Basha

 Tre episodet e fundit të serialit Berisha-Basha

Nga Edi Oga

Seriali tragjikomik, prodhim i Partisë Demokratike në periudhën e saj më të vështirë, po shkon drejt fundit, përsa ditën e djeshme, mes debatesh e sherresh, “autorët dhe skenaristët” e këtij seriali kaq të ndjekur, me ose pa dashje, zbuluan përfundimin e tij!

Në datën 11 dhjetor, luhet episodi i tretë nga fundi.

Sali Berisha, personazhi kryesor i serialit, mbledh në kuvend mbështetësit e tij, të cilët me padurim kërkojnë të shohin “kokën” e Lulzim Bashës në një “tepsi”.

Me procedura të përshpejtuara dhe të rrëmujshme, përpara mbrëmjes së asaj dite, kuvendi shkarkon kryetarin aktual dhe shpall zgjedhjet e reja në parti.

Sigurisht që ky i fundit bashkë me “shqytarët” e paktë që i kanë mbetur, e shpall të paligjshëm kuvendin e si rrjedhojë nuk i njeh vendimet e tij.

Në fund të këtij episodi, të nesërmen e kuvendit, berishistët rrethojnë kështjellën me emrin SHQUP dhe i kërkojnë të dorëzohet.

“Skënderbeu” jo e jo, por as “Kont Urani” dhe asnjë “fisnik” tjetër nuk gjendët aty.

Pa luftë e pa rezistencë, dezhurni i godinës dhe roja i parkingut përzihen nga “kështjella” dhe në fund, Flamuri berishist ngre në majë të godinës, flamurin berishist!

Në datën 18 Nëntor, luhet episodi i parafundit.

Nën masa të rrepta policore, në Pallatin e Kongreseve, Basha dhe “shqytarët” e tij mbledhin Kuvendin e tyre. Jashtë godinës, mijëra berishistë tentojnë të pengojnë punimet e kuvendit, por nuk ia dalin dot.

Me ndihmën e pushtetit dhe të diplomacisë, kuvendi aprovon disa rezoluta që berishistëve nuk u pëlqejnë aspak.

Çështja e “vulës” shpallet çeshtje juridike dhe i dërgohet për zgjidhje drejtësisë. Rreth godinës gëlon urrejtja, por kryetari dhe “shqytarët” largohen nga një derë e fshehtë.

Episodi i fundit, për hir të së vërtetës nuk është shkruar akoma. Meqenëse drejtësinë e ka në dorë Rama, këtij do t’i duhet të ulet e të shkruajë skenarin e këtij episodi.

Meqenëse filmi do të shfaqet në Netflix dhe duhet të pëlqehet patjetër nga publiku taksapagues amerikan, kuptohet që gjithçka do të përfundojë me “happy end”!

Më pas, kryeministri do të duhet të ulet sërish në tryezën e punës, për të krijuar një tjetër opozitë imagjinare, po ky është një serial i ri, një “sequel” i këtij që po shohim…

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *