2 Dhjetor, 2022

Tirana “kantier” ndërtimi dhe kryeqytet i “ndotjes”, në 2020 u dha 1 leje ndërtimi në çdo 42 orë

 Tirana “kantier” ndërtimi dhe kryeqytet i “ndotjes”, në 2020 u dha 1 leje ndërtimi në çdo 42 orë

Është e hënë, java fillon me shpejtësi në Tiranë. Në rrugën “Kongresi i Manastirit” ndodhen shumë ndërtesa banimi dhe mes tyre edhe gjimnazi “Andon Zako Çajupi”. Fare pranë gjimnazit ndodhet dhe një kazan plehrash, i cili, që pa nisur mirë dita, është i tejmbushur. Situatë e njëjtë edhe në zonën e rreth-rrotullimit te Pazari i Ri, ku 4 kazanë plehrash shërbejnë si pikë grumbullimi për një zonë të populluar nga banorë, turistë apo biznese, mbetjet e të cilëve e tejkalojnë vëllimin e 4 kazanëve.

Si ndikojnë këto mbetje në habitatin tiranas? Si janë nivelet e ndotjes? Si reagon Bashkia e Tiranës?

Nivelet e ndotjes sipas kategorive tregojnë qartë se Tirana vuan në pothuaj të gjithë sektorët me vlerësim të lartë ose tepër të lartë, duke shënuar nivel të moderuar vetëm në ndotjen prej dritave dhe ndotjen akustike. Përqendrimi i partikulareve në ajër (PM2.5), në Tiranë është dy herë më i lartë se ai i rekomanduar nga OBSH, ndërsa niveli i dyoksidit të azotit është 86.2, me vlerën e lejuar që sugjerohet të jetë më e ulët se 50. Tirana renditet si një ndër kryeqytetet më të ndotura të Europës dhe Shqipëria renditet e 55-a nga 106 shtete për vendet më të ndotura në botë. Dyfish më i lartë është niveli i ndotjes së Tiranës krahasuar me nivelin e lejuar nga BE, sipas një studimi të zhvilluar nga CoPlan.

Sipas INSTAT-it, në vitin 2019 rezulton të jenë menaxhuar rreth 1,08 milionë tonë mbetje urbane në nivel kombëtar, duke shënuar një rënie me rreth 18%, krahasuar me vitin 2018.

Ky trend në ulje ka vijuar edhe për vitin 2020, në të cilin sasia e mbetjeve të ngurta ka rënë në 1.04 milionë tonë. Sasia vjetore e mbetjeve urbane të menaxhuara për banor në shkallë vendi në vitin 2020 është 369 kg/banor, nga 381 kg/banor që ishte në vitin paraardhës. A kemi të bëjmë me një rënie të menaxhimit apo me një rënie të sasisë së gjeneruar të mbetjeve të ngurta?

Në të njëjtën kohë, kur qyteti i Tiranës vuan, jo vetëm nga prodhimi dhe menaxhimi i mbetjeve të ngurta, por dhe nga cilësia e ulët e ajrit, një pyetje, e cila ngrihet, është: Si ndikojnë ndërtimet në qytet apo edhe keqmenaxhimi i papastërtisë që rezultojnë në uljen e cilësisë së ajrit në Tiranë? Në vitet e fundit Tirana është kthyer në një kantier ndërtimi. Të dhënat e Bashkisë së Tiranës tregojnë për 96 leje ndërtimi vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021. Vetëm në zonat e Alliasit dhe të Kasharit në dy vitet e fundit, përgjatë pandemisë, janë dhënë mbi 50 leje ndërtimi.

Një vendim i Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, i vitit 2018, detyron ndër të tjera të gjitha subjektet të marrin masat e nevojshme për të frenuar ndotjen e hapësirës publike nga gomat dhe pajisjet e automjeteve të tipave dhe tonazheve të ndryshme, të cilat dalin nga kantieri i ndërtimit pa marrë masat për pastrimin e tyre, ndotjen e hapësirës publike jashtë rrethimit të kantierit të ndërtimit nga inerte apo materiale të tjera ndërtimore, si dhe ndotjen e hapësirave publike gjatë transportimit për rastet kur kamionët, të cilët transportojnë materiale ndërtimore, nuk janë të mbuluar, duke parashikuar gjobitjen e tyre në rast të shkeljes së këtyre detyrimeve.

ACQJ, gjatë muajve të verës, por dhe gjatë muajit nëntor 2021, kreu një verifikim në terren të zbatimit të këtij vendimi dhe të situatës së ndotjes nga ndërtimet e reja në qytet, duke vënë re se shumë firma, jo vetëm që nuk e zbatonin këtë urdhër, por dhe shkaktonin ndërhyrje në infrastrukturën e komunitetit, që sillnin përkeqësim të theksuar të situatës mjedisore.

Në vijim të një kërkese për informacion drejtuar Bashkisë së Tiranës, nga ana e kësaj të fundit u konfirmua se në vitin 2021 ka patur vetëm një shkelje të ndëshkuar në vlerën prej 20 mijë lekësh, por pa përmendur emrin e kompanisë.

Përgjigje e Bashkisë së Tiranës mbi pyetjet e bëra nga ACQJ

Në fakt, nuk kanë qenë të pakta rastet që, kur kryhet një rikonstruktim apo kthimi i një zone në kantier ndërtimi, shkelet Kodi i Etikës së punës dhe urdhri i bashkisë dhe vendi përreth punimit shndërrohet në pikë hedhjesh të inerteve. Shembull i përgjithshëm, një rrugë prishet, për të hapur kanalizimet, të cilat i shërbejnë kantierit, duke ndërhyrë në infrastrukturën rrugore, por duke krijuar dhe ndotje të jashtëzakonshme për zonën. Shembuj të tillë mund të shihen kudo, si në qendër të Tiranës, po ashtu dhe në periferi.

Ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore nga ndërtuesit e ndryshëm që kanë çuar në shkatërrimin e rrugëve dhe ndotjen e mjedisit, në rrugët “Themistokli Gërmenji”, “Faik Konica”, “Asim Zeneli”, “Inajete Dumi”, “Liqeni i Thatë”

Pas mbarimit të punës, rrallëherë ri-hidhet asfalti nga e para. Si shembull konkret shërben rruga “Perlat Rexhepi”, e rindërtuar së fundi, ku trotuari i përngjan një llogoreje lufte, pavarësisht se është një zonë e banuar dhe fare pranë ish-Bllokut dhe Fakultetit të Drejtësisë. Pluhuri dhe ndotja e krijuar nga këto kantiere ndërtimi është rritur në mënyrë eksponenciale në vitet e fundit, duke rrezikuar shëndetin e banorëve, por dhe duke ndikuar negativisht në cilësinë e jetesës së tyre si anëtarë të komunitetit.

Dëmet e shëndetit nga ajri i ndotur, banorët e cilave zona rrezikohen më shumë?

Mehmet Rrodhe, mjek alergolog, shprehet se ndotja atmosferike është ajo që ndikon më së shumti në mushkri. “Është kjo ndotje, e cila kthen grimca të padëmshme në agresive ndaj rrugëve të frymëmarrjes. Ndotja e ajrit apo e qarkullimit të hidrokarbureve sulmon më së shumti bronkitet, ndërsa alergjitë nuk shkaktohen si pasojë e ndotjes së ajrit, por ndotja e ajrit ka një lidhje indirekte me sëmundjet alergjike. Megjithatë, nuk ka patur asnjë kërkim shkencor, epidemiologjik nga institucionet shëndetësore”, – shpjegoi ai

Po ashtu, një eksperte e shëndetit publik, e cila nuk pranoi të identifikohej për shkak të pozicionit të saj në administratë, ngriti shqetësimin se në Tiranë do të përballemi me një rritje më të lartë se ajo e zakonshmja të sëmundjeve polmonare në vitet në vijim, kjo, sepse një pjesë e mirë e qytetarëve kanë kaluar COVID-19 dhe një pjesë e mirë e tyre kanë mbetur me pasoja në kanalet e frymëmarrjes. “Zona e 21 Dhjetorit, pika e nxehtë e ndotjes, shumë shpejt do tejkalohet nga zona të tjera, ku kryhen vazhdimisht punime. Zona e rrugës së Porcelanit ka treguar një rritje të ndjeshme në rastet e pacientëve të vizituar në ambulancat e lagjeve për arsye të komplikimeve të rrugëve të frymëmarrjes, të cilat mund të lidhen me ndërtimet që po kryhen së fundmi, edhe pse është një gjë gati e pamundur për ta përcaktuar. Do të jetë e vështirë në të ardhmen për të gjetur, nëse sëmundjet polmonare apo vdekjet e shkaktuara si pasojë e dobësimit të imunitetit për shkak të coronavirusit, do kenë si origjinë ndotjen e mjedisit, por është e sigurt se do të ketë një fluks të lartë”, – shpjegoi ekspertja, duke shtuar se, jo vetëm moshat e treta, por edhe të rinjtë rrezikojnë njësoj nga ky kombinim faktorësh.

Një pasojë tjetër e rëndë e këtij niveli ndotjeje, por që rrallëherë përmendet nga mjekët apo institucionet përkatëse, është dhe dëmtimi i lëkurës së individit, që vjen si pasojë e grimcave të dëmshme në ajër. Dermatologia, Erjona Shehu, thotë se më të rrezikuar janë individë të prirur për alergji ose që kanë lëkurë të ndjeshme. “Këta individë janë më të prirur për të vuajtur nga këta faktorë, përfshirë grimcat e ajrit, të cilat janë të ngarkuara me materiale ndërtimi, tymrat e makinave, apo ngarkesave biologjike, si pasojë e mbetjeve njerëzore që hidhen gjithandej. Më të prekurit mbeten fëmijët dhe të moshuarit. Patologjitë kryesore si pasojë e ndotjes mund të jenë dermatitet, dermatitet irritative të kontaktit, dermatitet alergjike dhe deri tek aknet apo infektimet mbi plagët e mundshme që mund të jenë në lëkurën e tyre”, – u shpreh ajo.

Mjekja shpjegoi se numri i qytetarëve, që ankohen për probleme të infektimit të lëkurës, është më i lartë gjatë periudhës së verës, ku mikrobet apo ngarkesat mikrobike ambientale janë më të shtuara, të favorizuara nga temperaturat e larta, por nga ana tjetër edhe sipërfaqja e lëkurës, e cila është e ekspozuar nga ngarkesat si pasojë e veshjes së lehtë, është më e madhe dhe rrit mundësinë e infektimit të tyre.

Sipas saj, pastrimi i ambientit është masa kryesore. “Duhet shmangur hedhja e mbeturinave, duhet të evitohen produktet biologjike, që hidhen në vendgrumbullime të përbashkëta, të shmanget hedhja e maskave që përdoren në këtë periudhe pandemie, të cilat janë të ngarkuara me përmbajtje sekrecionesh dhe mikrobike”, – këshillon ajo

Në mes të kantiereve të ndërtimit, banorët: Nuk marrim dot frymë

E.B., banore në rrugën “Papa Gjon Pali II”, e gjendur midis dy kantiereve të ndërtimit, atij të “DownTown One” dhe Piramidës, thotë se vuan, edhe ndotjen akustike, edhe atë mjedisore. “Sapo i afrohesh zonës, dallon që ka tym pluhuri gjithandej. Edhe brenda në shtëpi vihet re që ka më shumë pluhur se në periudhën para se të fillohej ndërtimi. Pastaj është dhe ndotja akustike, ka zhurmë, jo vetëm bezdisëse, por edhe shqetësuese, që nga mëngjesi herët e deri pasdite. Duke qenë se jemi dhe në periudhën e pandemisë, ku duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm, mbi të gjitha me organet e frymëmarrjes, mendoj që ndërtimi në këtë zonë e bën akoma më të vështirë kujdesin. Të duket sikur nuk merr dot frymë, kur je afër asaj zone”, – shprehet ajo.

Pavarësisht kësaj, i pyetur rreth problematikave apo ankesave që mund të ketë patur në kantierin e ndërtimit të Piramidës, drejtuesi i saj teknik u shpreh se nuk ka patur asnjë parregullsi me punimet, ku çdo gjë ka shkuar në përputhje me inspektimet nga bashkia.

Po ashtu, një tjetër banore me inicialet J. Y., në zonën e Ali Demit, shprehet se ndërtimet kanë rreth 2 vite që kanë nisur. Problemi kryesor për të ka qenë ndotja nga pluhuri dhe zhurmat pa orar. “Për problemet shëndetësore nuk kam informacion, por nga ndërtimet shumë pranë njëri-tjetrit na është bllokuar qarkullimi i erës dhe ajrosjes së banesave. Qytetarët duken shumë indiferentë.”, – thotë ajo.

Vitin e kaluar Bashkia e Tiranës hapi garën për 3 zona të Tiranës, duke ofruar 1.3 miliardë lekë për tender në shërbimin e pastrimit dhe të mirëmbajtjes urbanistike. Në kontratat e lëshuara për kompanitë fituese, Bashkia e Tiranës kërkon nga këto biznese që të ofrojnë shërbim cilësor me anë të instalimit kazanëve apo koshave standard, mjete teknologjike të pastrimit të rrugëve, zbatim të kërkesave kontraktore, si dhe inspektim të punës së kryer. Këto janë kompanitë koncesionare, të cilat ofrojnë shërbimin në fjalë: “Eco Tirana” në zonën e kuqe, e cila brenda një hapësire 18-mujore ka zgjeruar veprimtarinë në të gjithë Tiranën në raport me kontratën, “Ante Group”, zona I, “Korsel”, zona II, “Alko Impex Construction”, shoqëri e huaj, zona III, “Fusha” sh.p.k., zona IV.

Bllokimi i Rrugës Muharrem Butka nga ndërtuesi i një ndërtese private

Ndërsa pastrimi dhe mirëmbajtja e Unazës së Madhe nuk është përgjegjësi e Bashkisë së Tiranës, pasi është në pronësi të Autoritetit Rrugor Shqiptar, pavarësisht se në inaugurimin e këtyre akseve në qendër të skenës ka qenë vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Kjo e fundit është kthyer në një nga segmentet më të ndotura në qytet, jo vetëm në segmentin në ndërtim, prej Pallatit me shigjeta deri te rreth-rrotullimi i Doganës, por dhe në segmentet e tjera, që tashmë kanë kohë që janë në funksion, dhe si shkak kryesor vihet re kalimi i shpeshtë i kamionëve me inerte dhe makinerive të rënda, si dhe mirëmbajtja e munguar nga ana e ARRSH-së.

Pak kohë më parë, fotografi Aurel Duka postoi në profilin e tij të Facebook xhirime të kryera me dron të ndërtimeve në Tiranë gjatë periudhës qershor-korrik 2021. Ai gjithashtu postoi një hartë të Tiranës me ndërtimet aktive, ku rezultojnë të jenë 414 të tilla.

Gjithashtu, ai raporton po në profilin e tij të Facebook një tjetër rast: “Jemi në brendësi të pallateve të Astirit (siç njihen). Këtu po ndërtohet një pallat 8-katësh, leje kjo e dhënë në datën 29 qershor 2020 nga kryebashkiaku aktual i Tiranës. Distanca midis pallatit në ndërtim me ato rrethuese: 5 metra.”

Ndotja e krijuar nga objektet në ndërtim në qytet është e konsiderueshme, por, si qytetarët, si autoritetet vendore, që kanë nxjerrë rregulla strikte për menaxhimin e situatës, kanë bërë një sy qorr për këtë çështje.

Statistikat/ Në vitin 2020 u dha 1 leje në çdo 48 orë

Në vitin 2021 janë marrë rreth 96 leje ndërtimi. Në vitin 2021 kanë marrë nga dy leje ndërtimi këto subjekte: Metal NesimiDatonKasoProgeenNdërtim-projektim AlliuArlis Ndërtim dhe GBK. Ndërsa në vitin 2020, vit kur filloi pandemia, janë dhënë 201 leje ose, thënë ndryshe, një leje në çdo 42 orë. Por, rekordin e mban viti 2019, kur janë dhënë 276 leje. Praktikisht prej vitit 2018 janë lëshuar nga Bashkia e Tiranës rreth 755 leje, përkthyer në 755 vatra ndërtimesh në Tiranë.

Nga viti 2017 e deri më sot, në Njësinë Administrative të Farkës janë marrë 97 leje ndërtimi, më shumë se në të gjitha zonat e tjera; e ndjekur më pas nga Kashari (82), Vaqarri (44) dhe Sauku (32). Ndërsa brenda urbanistikës së Tiranës kryesojnë Rruga e Kavajës dhe Rruga e Dibrës me 10 dhe 12 leje respektivisht. Kompanitë, që kanë dominuar përgjatë kësaj periudhe kohore, udhëhiqen nga “Arlis” me 10 leje të marra, pasuar nga “Tirana Vision” (8), “GBK” (8) dhe “Ndërtim dhe projektim Alliu” (7), të cilat kanë operuar në të gjitha zonat e Tiranës.

Vlen të përmendet edhe se si kompania kryesore e ndërtimit të Samir Manes, “TCI Mane”, ka 7 leje ndërtimi, megjithatë aktiviteti i tij ndërtimor nuk është ndalur me kaq, pasi zotëron më tepër se kjo shifër kompani të tjera, të cilat i ka blerë, pasi ato kanë marrë lejen nga Bashkia e Tiranës. Rast konkret, kompania, e cila po ndërton “DownTown” pranë Rrugës së Elbasanit, është blerë prej tij, pasi janë marrë lejet dhe kanë nisur punimet.

Ligji Nr. 10440, datë 7/07/2011 për “Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis”, përcakton rregullat, procedurat dhe afatet për identifikimin dhe vlerësimin e ndikimeve të drejtpërdrejta apo të tërthorta të projekteve ose veprimtarive mbi mjedisin. Ligji përcakton hapat e nevojshme për zbatimin e procedurave të VNM: dorëzimin e kërkesës, shqyrtimin paraprak, kriteret e përzgjedhjes dhe klasifikimit, seancat dëgjimore dhe konsultimet publike, aksesin në informacion, detyrat dhe të drejtat e organeve të tjera. Ligji përcakton gjithashtu listën e veprimtarive që duhet të jenë objekt i Procesit të Thelluar dhe atij Paraprak të VNM.

Në një komunikim me Vlatka Matković, koordinatore e Aleancës Shëndetësi dhe Mjedis (HEAL), që bashkëpunon me Bashkimin Europian, është vënë në dispozicion një raport studimor rreth ndotjes së ajrit dhe gazrave serrë në Ballkanin Perëndimor, ku përmendet edhe Shqipëria. Në këtë dokument përmendet se një nga hapat kryesorë për pranimin në BE është edhe adaptimi, implementimi dhe zbatimi i kapitullit të 27 të EU Acquis në lidhje me mjedisin, ku citohet: “Është obligim për anëtarët dhe vendet kandidate reduktimi i emetimeve të ndotësve të ajrit dhe gazeve serrë (GHG). Është prioritet, i cili ndërlidhet fort me politikat e energjisë, transportit dhe shëndetësisë.”

Përafrimi me Acquis të BE-së për Mjedisin dhe Klimën në vendet e Ballkanit Perëndimor (%) Burimi: Raporti – Statusi i ndotësve të ajrit dhe gazeve serrë në Ballkanin Perëndimor: Vlerësimi i progresit të procesit të anëtarësimit në mjedis CE

Shqipëria ka përparuar në vitet e fundit në mbrojtjen e mjedisit, por mbetet pas krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ku raportohet se ka çlirimin më të lartë të gazrave industrialë dhe prej impianteve me djegie të madhe (LCP). Gjithashtu mbetet prapa në raportimin dhe monitorimin e gazrave serrë. Po në këtë raport dokumentohet për Shqipërinë se: “Përafrimi i legjislacionit shqiptar për mjedisin dhe cilësinë e ajrit me Acquis të BE-së është proces i vazhdueshëm. Megjithatë, një strategji ndërsektoriale, mjedisore nuk është miratuar ende.”

Raporti në gjetjet e tij kryesore vëren se, përqendrimet maksimale ditore të PM10 dhe SO2, si maksimale ditore, ashtu edhe maksimale për orë, përqendrimet janë ndër treguesit e cilësisë së ajrit që janë më shpesh mbi kufijtë e legjislacionit për vendet e Ballkanit. Gjithashtu, nivelet e O3 (ozonit) në Shqipëri ishin mbi pragun maksimal në disa zona, duke shtuar se ngritja e sistemeve kombëtare, efikase të monitorimit të ajrit, që plotësojnë të gjitha kriteret për të ofruar saktësi dhe informacion të detajuar mbi përqendrimet e ndotësve të ajrit dhe planifikimi i masave për reduktimin e ndotjes së ajrit, duhet të jetë prioritet.

Pavarësisht përpjekjeve dhe zhvillimeve të viteve të fundit, cilësia aktuale e ajrit dhe praktikat e monitorimit nuk janë plotësisht në përputhje me kërkesat e BE-së dhe legjislacionit kombëtar, si dhe mungon monitorimi i pavarur i ndotjes industriale në Shqipëri.

Në shumë kryeqytete të BE-së janë gjetur alternativa dhe mënyra për reduktimin minimal të mbetjeve urbane. Shumë prej tyre synojnë të kenë 0% mbetje, ku të gjitha mbeturinat të jenë të riciklueshme. Pra, jo vetëm të përdorura përsëri, por edhe për të shërbyer si burim energjie, ndërkohë që në Tiranë fabrikat e riciklimit shërbejnë vetëm në ripërpunimin e metaleve dhe shumë pak në mbetjet plastike. Ndërmjet bashkëpunimit të bashkisë dhe Eco Tiranës u lëshua slogani “Unë Ricikloj”, por që mbeti një tentativë afatshkurtër, pasi menaxhimi i mbetjeve urbane nuk ndryshoi.

Në vitin 2017, qeveria shqiptare lidhi kontratën e ndërtimit të inceneratorit të mbetjeve urbane për qytetin e Tiranës, e ndjekur më pas dhe me kontrata të ngjashme për ndërtime në qytetet e Fierit dhe të Elbasanit. Këto investime pritet që të japin një zgjidhje afatgjatë për situatën e mbetjeve të ngurta urbane në qytetet përreth tyre, por deri më sot, duke mos qenë funksionale, impakti mbi shëndetin e qytetarëve nga djegia e mbetjeve ka ngelur në letër. Situata e menaxhimit të mbetjeve urbane mbetet një problem i përditshëm për të gjithë banorët e kryeqytetit dhe qyteteve përreth.

Kryeqyteti sa vjen edhe zgjerohet në volum. Çdo kantier ndërtimi “kapërdin” një hapësirë të mirë territoriale, dhe më pas e nxjerr jashtë si mbetje ndërtimi. Edhe pse jemi ende në periudhë pandemie, ku përqendrimi kryesor i investimeve apo i fondeve duhet të shkojnë në shërbimin mjekësor, ndihmat ekonomike, sektorin e ujësjellësit dhe enërgjitikës me dimrin përpara, apo qoftë me emergjencat nëpër fshatrat e Tiranës me periudhën e shirave duke u afruar, duket se kantierët e ndërtimeve apo dhe lejet bashkë me fondet e dhëna nga Bashkia e Tiranës nuk kanë të ndalur. Përkundrazi, kanë pësuar një rritje drastike krahasuar me vitet e mëparshme para pandemisë.

Mes problemeve të shumta, institucionet dhe ekspertët drejtojnë gishtin tjetërkund për situatën kaotike mjedisore të krijuar, ndërsa kompanitë e ndërtimit nuk pranojnë asnjë përgjegjësi për kontributin e tyre në ndotjen e mjedisit. Ndërkohë autoritetet lokale deri më sot nuk kanë ndërmarrë asnjë masë kundrejt shkelësve të rregullave mjedisore, përtej hedhjes në letër të penaliteteve

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *