Të ekspozuarit kundër Reformës në Drejtësi, më “të shqetësuar” për publikun dhe hallet e tij!

Nga Aranit Muraçi
Skandali i publikimit të të dhënave nxori nga vetë mediat emrat e disa prej drejtuesve dhe të analistëve më të paguar të ekraneve të vendit tonë, skandal që duket sikur nga publiku i gjerë u prit deri diku me neveri. Si është e mundur?
Si është e mundur që t’i cënohet e drejta e privatësisë një analisti dhe drejtuesi ekrani, ndërsa një gjyqtari dhe prokurori vetting-u përveç se i përjashtuan nga sistemi, ua nxorën në shesh të gjitha, deri edhe paratë që kishin fituar në skedinë ose dhuratat që kishin marrë nga gjyshja bujare me kursimet e pensionit.
Prandaj nuk kanë munguar as krahasime ironike, se CNN dhe BBC mund të jenë tronditur nga “tërmeti” që shkaktoi tregu i punës së analistëve, pasi u mësua se ndër kolegët e tyre, më milionerët jetonin dhe punonin në Shqipëri.
Siç deklaroi me sinqeritet vetë me gojën e tij njëri prej analistëve, sepse rezultonte i paguar rreth 20 milion lekë në muaj (aq sa edhe shumë të tjerë) kjo shifër ishte e ulët pasi nuk e justifikonte aspak lodhjen me orë të tëra, duke e vrarë ata mëndjen më tepër se politikanët apo edhe se kushdo tjetër, për ‘hallet e publikut shqiptar’ por jo vetëm, edhe të atij botëror.
Si në çdo ngjarje tjetër që krijon impakt në publik, dikush u tall dhe tha se Joe Biden vendosi për tërheqjen e SHBA-së nga Afganistani vetëm kur dëgjoi se ajo ishte zgjidhja ideale rreth një debati që ishte zhvilluar në një nga mediat tona mbi këtë temë.
Por megjithë pretendimet dhe polemikat e shumta, kanë dalë në sipërfaqje disa paraqartësi rreth skandalit.
A kanë qenë më parë në dijeni autoritetet ligjzbatuese për këto paga? Po autoritetet e larta shtetërore? Më problem dhe më shqetësuese duhen konsideruar pagat e larta, të ulëta apo që nuk ekzistojnë fare?
A janë ato të justifikueshme dhe të ligjshme?
Nëse do të bëhej krahasimi me një vend tjetër të BE-së afër nesh, si Greqia dhe Kroacia, dhe tregu i punës do të përcaktonte pagat bazuar mbi aftësitë, rregullat dhe ligjet në fuqi, si dhe do të bëhej përmes analitikës dallimi i “superpagave” me ato të profesioneve të tjera, atëherë të ashtuquajturit analistë a nuk duhet të debatonin këto ditë mbi këtë temë, për të ‘justifikuar’ sadopak veten para publikut që i ndjek dhe më pas të kritikojnë të tjerët sipas radhës, politikanët kundërshtarë, drejtësinë e re dhe SHBA-të që ndërhyjnë në çështjet tona delikate dhe private. Pse nuk po reagon e shqetësuar Ambasada e SHBA-ve në Tiranë dhe madje asnjë ambasadë e huaj mbi këtë skandal që vazhdo të thellohet?
Ka edhe shumë më tepër paqartësi.
Si është e mundur dhe si shpjegohet që kryeministri me një rrogë modeste karshi pagës së tyre, i kërkon t’i ketë përballë dhe i fyen shpesh me epitete nga më të ndryshmet nëpër studio, si injorantë, kazan, rakixhi, qoftexhi etj. Dhe ata argëtohen me fyerjet!
Si është e mundur që Presidenti me një rrogë modeste u qan shpesh hallin gazetarëve të terrenit, ndërsa është parë të shfaqet po aq shpesh në publik duke ngrënë dreka dhe darka ose pirë raki me disa prej tyre, fjala është për analistët pra, të cilët, me siguri paguajnë ata.
Ish kryeministri dhe kryetari i opozitës, me rrogë deputeti, pretendojnë se kanë zbuluar dhe denoncuar korrupsionin qeveritar kudo ku ai ka ndodhur, madje në kohë reale, por në asnjë denoncim prej tyre, edhe pse i akuzojnë mediat dhe drejtësinë si të kapura nga kundërshtari, nuk i kanë përmendur kurrë të ardhurat e anal-istëve, si një shqetësim real.
Si mundet që ndër më të paguarit nuk anojnë as majtas dhe as djathtas, por janë “peshuar” si me peshore majtas dhe djathtas. Bëjnë “sherr” çdo pas dreke, në çdo studio të shndërruar në teatër ku “vajtojnë” Teatrin Kombëtar të shembur dhe estradën e Kuvendit si të stisur.
Shumica e “analistëve” dhe drejtuesve të emisioneve televizive, disa të paguar sa 100 gazetarë të marrë së bashku ,siç i kemi parë shpesh në debate, kanë dalë hapur ose janë shprehur skeptikë ndaj Reformës në Drejtësi.
Ndaj edhe kjo e fundit, pra reforma, që është një projekt i financuar nga SHBA, ndoshta i nxori hapur për spektakël dhe u tregoi arsyen shqiptarëve se pse ‘analistët’ janë kundër saj.
E sigurt që mbi 97 për qind të shqiptarëve e deklarojnë rrogën e tyre hapur dhe pa pasur asnjë kompleks. Atëherë për çfarë privatësie flitet kur gjyqtarit dhe prokurorit i është publikuar sipas pëlqimit amerikan edhe çmimi i këpucëve dhe krevatës që mban veshur?
Nëse keni një mendje analitike, jeni të mirë në përdorimin e logjikës për t’i kuptuar gjërat.
Kështu përkufizohet analitika.
Analistët nuk lejojnë që emocionet t’ju lëkunden lehtë.
Mjekët janë të trajnuar për të menduar në këtë mënyrë, ashtu si shkencëtarët dhe inxhinierët.
Analitika rrjedh nga analiza, që do të thotë një përmbledhje e plotë dhe e detajuar e një ngjarjeje ose një idejeje.
Të jesh analitik do të thotë që t’i mendosh gjërat me kujdes dhe t’i trajtosh ato në tërësinë e tyre, gjithnjë në shërbim të publikut.
Ndryshon çështja për t’i dhënë shpjegim analistit ‘të varur ose të pavarur’ nga politika. Të jesh analist në vendin tonë duhet që kryeministri i vendit t’i porosisë publikisht në debat një dopio raki dhe një meze dhe në fund të muajit (sipas skandalit) ai të marrë një pagë minimalisht 10 herë më të lartë se ajo e Presidentit.
Analistët më të zellshëm të ekranave dhe ndër më të paguarit sot për sot kanë arsye që e sulmonë drejtësinë e re të sapo-ngritur, ende pa nisur mirë nga puna. Kanë arsye që kritikojnë ashpër SHBA-në, që e projektoi dhe i financoi, duke e përkufizuar atë si një prej vendeve më të “korruptuara” dhe më të padrejta me shoqërinë dhe demokracinë tonë e cila po mbrohen prej tyre me shumë “sakrifica”.
Nëse skandali vazhdon me këto ritme nuk është çudi që të publikohen nesër edhe nga hipotekat e vendit pronat e paluajtshme që zotërojnë shtetasit shqiptarë. Kush nuk ka gjë për të fshehur, nuk ka pse të shqetësohet. Më të lumturit do të jenë të pastrehët, ata pa të ardhura fare, ose që mezi presin fundin e muajit për të marrë rrogën. Dhe këta mund të jenë pjesa dërrmuese e popullsisë.
Kështu që është e kotë që disa analistë e shisin shqetësimin e tyre, si shqetësim për publikun. Mos u merakosni për hal(l)et tuaja dhr hallet e tij! Sipas premtimit satelitët tanë do të fluturojnë shumë shpejt në hapësirë dhe ndoshta vetëm atëherë të gjithë do të jenë nën një kontroll më të rreptë, saqë askush nuk do të marrë më guximin të shkelë privatësinë e askujt. Harrojeni publikun në këto ditë festash! Mbase ka ardhur koha për të qarë secili hallin e tij.