4 Dhjetor, 2022

Të dënohet Filip Çakuli

 Të dënohet Filip Çakuli

Nga Mitro Çela

Në drejtimin e gazetës “RD”, në shtator të vitit 1991, ishim tre: kryeredaktori, (Mitro Çela)zëvendësi, sekretari i kolegjiumit dhe kryetari i këshillit botues.

Me votim të fshehtë u vendos: njeri në kompetencë të kryesisë së PD-së, tjetri nën hyqmin tim.

– Zëvendësin tënd, – u tha në kryesi, – do ta zgjedhësh me një kusht: të dijë një gjuhë të huaj. E mira do të ishte të dinte dy. Por, edhe me një, pranohet…

U ktheva në gazetë. Hapa defterët. Nga të gjithë gazetarët meshkuj mbi 30 vjeç, vetëm njëri ishte me gjuhë të huaj: Filip Çakuli. Nga dokumentet dilte me kombësi greke. Gjuhë të huaj kishte shqipen.

“Mos ma hedhë ky Filipi dhe nuk e di me gramatikë?”, mendova.

Mora rrugën e fakultetit. Takova Profesor Shaban Demirajn.

– Në atë kurs vetëm një student ka marrë 10 në gramatikën e shqipes, – më tha. – E quanin Filip Çakuli…

Fakulteti i dha dy “pasuri”. Së pari diplomën: të gjitha dhjeta.

Së dyti, gruan. E dashuroi me shikimin e parë.

Ndryshe nuk ke si e shpjegon faktin që pranoi të punojë në revistën “Hosteni” me zyrë në Divjakë! Aty e kishte shtëpinë Vasilika.

Fati i humoristit: në sinorët e tragjikes dhe të komikes.

Në revistën “Hosteni”, djali 22-vjeçar nga fshati dhe dhëndri nga Divjaka, kishte për kolegë Dritëro Agollin, Niko Nikollën, (Kryetedaktori i revistës), Hyskë Borobojkën, Sabri Godon, Qamil Buxhelin, Dimitër Ligorin-“Baballarë” të letërsisë. Dishepuj të humorit.

Mbledhjet e redaksisë bëheshin të hapura. Brenda: të rinj e të vjetër. Filipi, të cilit i hanin brirët, bëri një proçkë nga ato që do ta ndiqnin gjithë jetën: kritikoi një tregim të Niko Nikollës! Hata e madhe…

I thotë Hyskë Borobojka në vesh:

“Këpucar, qëndro te këpucët!…”

Filipi ngriti supet…

Gaqoja i tregoi fabulën:

“Goja po pikturonte mbretin. Me penel në dorë, ra në mendime për këpucët… Thirri këpucarin. Ai fliste. Piktori punonte mbi këpucët e mbretit, sipas vërejtjeve të këpucarit… Kur piktori fshiu penelin, këpucari tha:

“Flokët, pak më shkurt… Kishte edhe një nishan…”

“Këpucar, tha piktori, qëndro te këpucët…” – i tha piktori.

Ndërkohë, u dëgjua zëri i Nikos:

“Ky djali i ri duhet ta njohë më mirë vatanë! Ka nevojë për më shumë shërbime në Veri…”

Ne vitin 1982 punoja ne “ZP”. Isha zgjedhur edhe ndimes gjyqtar në Gjykatën e Tiranës.

Nisi një seance. Kryetar i trupit gjykues Fehmi Avdia. Unë ndihmës.

Në banken e të akuzuarve u ul një djalë. Nga pamja-jevg. Flokë zi. I dobët. Nja 60 kilogram.

-Emrin!-tha Fehmiu.

-Filip Çakuli.

-Profesioni?

-Gazetar tek revista “Hosteni”.

Lexova akuzën. Në Tropojë kishte kritikuar shoqen Lenka Çuko-kandidate e byrosë politike.

-Nuk mund të dënojme nje gazetar – thashë unë.

-Një dënim duhet. Të punojë tre muaj në Plug të Lushnjës.-Tha Fehmiu.

Sot që Filipin e kam shef, më thotë:

-Me ke marrë në qafë. Po të më kishe dënuar-do shkoja në burg. Do kisha statusin i dënuar politik. Do mirrja dëmshpërblim per vitet e burgut?!

Në vitin 1986 u bashkuam të dy në gazetën “Bashkimi”. Kur kryeredaktori, zoti Hamit Boriçi, ndau gazetarët nëpër sektorë, më tha mua:

-Çdo sektor do të ketë katër – pesë gazetarë. Ti do të kesh vetëm Filip Çakulin. Me Filipin jetoj si mbi mina!

Një muaj më vonë doli profecia e kryeredaktorit. Filipi bëri një shkrim me titull:

“Planifikohet edhe numri i të vdekurve”.

Përmbajtja: “Sot në Durrës ndalohet të vdesësh. Është realizuar plani i vdekjeve, si për burra, edhe për gra.”

Shkrimin e lexoi shoku Ramiz Alia. Mori në telefon redaksinë:

“Shoku kryeredaktor! Kaq i mençur qenka Filip Çakuli, sa të tallet me planifikimin e treguesve të ekonomisë socialiste?!”

Kaq u desh. Mbledhje. Kritika. Autokritika. Me shkrim e me gojë. Dënime. Filipi – rikthim në Dibër. Anëtarët e kolegjiumit me në krye kryeredaktorin – vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna. Unë edhe një thelë mbi bisht – gjobë një rrogë mujore!

Sarkazëm e gjallë: të dënohesh si shef për kusuret e vartësit!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *