30 Nëntor, 2022

SPAK kërkon pushimin e hetimeve për Adriatik Llallën, për pastrim parash

 SPAK kërkon pushimin e hetimeve për Adriatik Llallën, për pastrim parash

Prokuroria e Posaçme, SPAK ka dorëzuar kërkesën për pushimin e hetimeve ndaj ish kryeprokurorit Adriatik Llalla, për veprën penale të pastrimit të parave.

Kujtojmë që Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar e dënoi Llallën me 2 vjet burgim dhe 5 vjet përjashtim nga funksionet publike.

Vendimi u dha më 20 maj. Ai u gjet fajtor, sipas Gjykatës, për “Fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Fillimisht, Llalla, i cili ndodhet në arrati, u dyshua për të paktën katër vepra penale, që nga mosdeklarimi i pasurisë, te mosdeklarimi i të hollave në kufi, shpërdorimi i detyrës dhe pastrimi i parave.

Por në përfundim të hetimeve, tri prej këtyre akuzave duket se nuk u arrit të provohen, dhe gjithçka u reduktua te mosdeklarimi i pasurisë.

Hetimi pasuror ndaj Llallës u bazua në të ashtuquajturin ligji Antimafia, sipas të cilit barra e provës për të dëshmuar se pasuritë e sekuestruara janë të ligjshme, i takonte ish-Prokurorit të Përgjithshëm.

Një ditë pasi u dënua me 2 vjet burgim dhe 5 vjet përjashtim nga funksionet publike, Gjykata e Posaçme zbardhi arsyetimin për vendimin ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Në vendim theksohet se Llalla do të kryejë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme, menjëherë sapo të marrë formë të prerë.

GJKKO e shpalli fajtor Adriatik Llallën për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”. Ndërsa pasuritë që i ishin konfiskuar nga ish-Gjykata për Krime të Rënda, me vendim të datës 20 korrik 2018, i kaluan shtetit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *