Si u strehua çifti hebre në Vlorë, trashëgimtari rrëfen historinë

Familja e Mustafa Koçerrit strehoi në vitin 1943 çiftin hebre Moise dhe Zhaneta Solomonin, duke i fshehur në fshatin Beshisht të Vlorës.
Trashëgimtari i familjes na rrëfen historinë.
“Në këtë album janë të fiksuara shumë foto që më kthejnë në vite pas, midis tyre janë fotot e prindërve të mi, të origjinës tonë. Babai im ka pasur një miqësi me familjen Solomoni në Vlorë. Ai i thirri një ditë në shtëpinë e tij. Meqë jemi në rrezik ju lutem na ndihmoni. Vjen në darkë nga Beshishti në Vlorë e merr djalin dhe nusen pa asnjë rrobë, pa asnjë gjë me vetë, thjesht ato gjëra që kishin. Për të mos rënë në sy nga pushtuesi dhe njerëzve që ishin në shërbim të gjermanit”, tha Mustafa Koçerri.
Midis shumë fotove këto janë disa që tregojnë vendin ku i ka strehuar babai im në fshatin Beshish të Vlorës.
Për 6 muaj dy familjet jetuan së bashku. “Falë marrëdhënieve të mira që kishte babai im me bashkëfshatarët u bë e mundur që të mos dekonspiroheshin, të mos mësohej vendi ku jetonin të dy këta”, tregoi ai më tej.
Babai i tij ka rrëfyer se si u përshtaten miqtë hebre me familjen e tyre dhe traditën vlonjate. “Djali i tyre Samiko e përmend nënën time për gatimet e veçanta, tradicionale që i bënte”, thotë ai.
Mustafai nuk kishte lindur në atë kohë, por miqësia mes dy familjeve u trashëgua tek fëmijët e tyre. Ai na tregon lidhjen që krijoi me djalin e çiftit hebre, të cilët pas çlirimit jetuan për disa vite në Vlorë dhe Tiranë.
Moise dhe Zhaneta Solomoni bashkë me djalin e tyre, i cili sot, pas viteve ’90 me ndërrimin e sistemeve ka shkuar dhe jeton në Izrael. Familja izraelite u largua nga Shqipëria në vitin 1991, por kontaktet mes tyre nuk u ndërprenë asnjëherë.
“Nuk ka javë që ai mos të na marrë në telefon, ose do ta marrim ne. Ne e konsideromë si një njeriun të familjes, si njeriun e afërt të fisit tim”, shprehet trashëgimtari i familjes Koçerri.