3 Shkurt, 2023

Si u përdorën në mënyrë poshtëruese Alibeaj dhe Gaz Bardhi, nga Edi Rama

 Si u përdorën në mënyrë poshtëruese Alibeaj dhe Gaz Bardhi, nga Edi Rama

Emrin e presidentit, të cilin e mbajtën të fshehtë për më shumë se 2 muaj, socialistët do ta gjejnë brenda pak orësh. Të premten, në mbledhjen e kryesisë.

Se si do të dalë ky emër, nëse do të jetë burrë a grua, nëse do të vijë nga politika apo jashtë saj, Taulant Balla nuk ia rrëfeu gazetarëve. “Do t’ia them një herë Kryesisë, pastaj juve” ishte përgjigjia, kur u pyet nëse do të ketë diskutime.

Por rrethanat nga të cilat del emri i kandidatit për president janë thelbësore për të kuptuar natyrën që do të ketë kreu i ardhshëm i shtetit. Është momenti i votimit me shumicë të thjeshtë në parlament. Socialistët s’kanë më asnjë detyrim për t’u shfaqur bashkëpunues për propozimet e opozitës. Kushtetuta ua imponon ta zgjedhin tani presidentin me 71 ose më shumë vota.

Si e përcakton kjo profilin e kreut të ardhshëm të shtetit?

Presidenti i ri, kushdo qoftë ai apo ajo, do t’ia dedikojë ekskluzivisht Edi Ramës përzgjedhjen që i bëhet. As opozitës, as konsensusit mes partive, as ambasadorëve dhe as konjukturave apolitike. Posti do t’i vijë dhuratë nga Edi Rama. Dhe për të ardhur deri këtu, socialistëve iu duhej një proces farsë, që të justifikonin shpërfilljen e opozitës. Madje ata shpikën disa procese që të jepnin idenë se opozita dhe faktorë të tjerë të shoqërisë civile e patën shansin për të kontribuuar.

Pikërisht për këtë, në fund të prillit u bë bashkë një treshe negociatorësh, pjesë e së cilës ishin Taulant Balla, Damian Gjiknuri dhe Elisa Spiropali.

Reagimi i parë kishte ardhur nga Sali Berisha. “Nuk votojmë në asnjë mënyrë kandidatët e Edi Ramës. Të votosh kandidatët e Edi Ramës do të thotë ta riciklosh, ta çosh në presidencë kopjen e tij” ishte deklarata e Berishës në 2 Prill në Shkodër.

Por menjëherë në PD u ravijëzua një qëndrim tjetër, nga Enkelejd Alibeaj. “Qëndrimet personale të askujt, aq më tepër të atyre që nuk janë pjesë e grupit parlamentar të PD nuk kanë kurrëfarë lidhje me qendrimin dhe vendimarrjen e grupit parlamentar” u shpreh Alibeaj, si kryetar i grupit parlamentar.

Socialistët e përjashtuan menjëherë Berishën nga negociatat. “Me Saliun ne nuk kemi punë. Saliu për ne është i vdekur! Kuptohet politikisht dhe institucionalisht, jo biologjikisht” ishte kushti i parë i kreut të PS-së për opozitën.

Prozhektorët u kthyen nga Enkelejd Alibeaj, i cili arriti të bëjë bashkë më shumë se 20 deputetë në një nga mbledhjet e grupit.

Në anën tjetër socialistët vunë në skenë edhe dy shfaqje paralele. I tillë ishte votimi me zarfa të mbyllur ku çdo deputet i Partisë Socialiste kishte mundësi të propozonte nga dy emra kandidatësh.

Rezultati u mbajt i fshehtë, por zarfat u futën në kuti në transmetim direkt, duke dhënë idenë e konsultimit të udhëheqjes me deputetët.

Një tjetër konsultim u krye me shoqërinë civile. “Ne nuk duam një president për PS, por një president për Shqipërinë” ishte shprehja me të cilën i joshi Taulant Balla një pjesë të organizatave të shoqërisë civile.

Emrat e kandidatëve për president duhet t’i çonin me email. “Edhe Big Brother ka më shumë seriozitet” ishte përgjigjia e Afrim Krasniqit në takim.

Por ndërsa procedurat digjeshin ngadalë, kreu i një grupi deputetësh të PD-së, Enkelejd Alibeaj vendosi t’i shkojë deri në fund negociatave me treshen, Balla, Spiropali, Gjiknuri.

Gjatë negociatave, Alibeaj arriti vërtet të marrë një konsensus të përkohshëm. Sipas dokumentit që u ra dakord, nga opozita do të dilnin 4 emra kandidatësh për president dhe mes tyre PS mund të përzgjidhte dy, që do të përpunoheshin nga një komision i përbashkët.

Marrëveshja mes Alibeajt dhe Ballës ngjalli zemërimin e Komisionit të Rithemelimit. Bylykbashi akuzoi Alibeajn se po keqpërdorej nga Rama, sipas një pakti të fshehtë, nga ku do të dilte një president gjoja konsensual.

Në fakt, rezultoi e kundërta. Socialistët u tërhoqën në mënyrë të beftë. Ata refuzuan t’i japin firmat për kandidatët e Alibeajt. Sipas Kushtetutës një kandidat duhet të ketë 20 firma dhe mbështetësit e Alibeajt nuk çonin dot në Kuvend 4 kandidatë.

“Propozimi për president duhet të vijë me firma mbështetëse nga opozita”– tha Balla gjatë një emisioni, duke zhbërë marrëveshjen me Alibeajn. Teatri i socialistëve doli zbuluar. Nuk mbeti më asnjë deputet në radhët e opozitës që të besonte se socialistët ishin për një president konsensual.

Raundi i dytë dhe ai i tretë u dogjën në pak minuta.

Një muaj më pas, socialistët janë të çliruar nga fryma e Kushtetutës që i ftonte për konsensus. Në ditët në vazhdim, pritet të dalë emri i presidentit të ardhshëm. Partia Demokratike ka konsumuar akoma më shumë energji për sherrin brenda saj. Por të paktën, sot opozitarët bashkohen të gjithë në një pikë: Rama e kishte emrin që në fillim dhe nuk i duhej asnjëherë presidenti konsensusal.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *