Si qytetare e këtij vendi iu them: Ju lutem, na braktisni

Nga Edona Lukaçaj
Java pas ‘filmit me luftë’ të vënë në skenë më 8 Janar te selia e Partisë Demokratike, ka qenë e mbushur me deklarata bombastike nga ana e elitës politike. Në to, binte në sy ideja absurde se këta pushtetarë po sakrifikonin për ne, pra për popullin e mjerë, veçse nuk donin ta linin në mëshirë të fatit a të rivalëve të vet të padenjë.
I pari që pat shfaqur këtë qëndrim dekada më parë dhe e përditësoi para pak muajsh, kur, pas pezullimit nga PD, filloi maratonën për të rimarrë këtë forcë politike, është padyshim ish-kryeministri Berisha. Në çdo rast, ai ripërsërit se orvatjet e tij, që nga foltoret deri te roli i organizatorit në ‘protestën paqesore’ për të marrë selinë e SHQUP-it me armë mesjetare si dashi, ishin për të shpëtuar demokratët e Shqipërinë nga kryetari që ai vetë rriti.
Sipas tij, e gjitha kjo nuk ka aspak lidhje me vendimin e DASH apo me faktin se, si rrjedhojë, i binduri i dikurshëm i tregoi rrugët. Derë më derë, ish-kryeministri vazhdon të tregojë histori me brava për birin plangprishës, që i prishi qejfin në vite dhe nuk e meritoi besimin e tij. Madje e detyroi të marrë situatën në dorë me mbledhje stadiumesh, referendume bar-kafenesh dhe largime të detyrueshme “me pekule”.
Por, ironikisht, nuk sqaron pse rithemelimin zgjodhi ta bëjë tani, kur iu kërcënua pushteti i pamatë në partinë e vet dhe se si kjo qenka për ne.
I vetëdeklaruar i paepur dhe qëndrestar deri në fund për të mirën tonë është edhe kryetari i opozitës. Teksa mundohet të tregohet i gatshëm të ndërmarrë çdo hap për të mos i lënë shteg copëtimit të partisë, që, faktikisht, është bërë çika-çika edhe me kontributin e tij, z. Basha theksoi se shanset për tërheqjen e tij janë aq sa shanset që ai të braktisë familjen e vet.
Zotëria marrëdhëniet me familjarët mund t’i ketë shembullore. Por mesazhi se përgjegjshmëria dhe përkushtimi i tij ndaj familjes të të djathtëve i ngjan atij të një prindi, sikur kontestohet nga qasja përçarëse “ca demokratët e nënës e ca të njerkës”.
Prandaj vendosmëria e tij për të qenë kryetar nuk mund të jetë sakrificë për popullin e gënjyer. Është dashuria për kolltukun e kryetarit, që, së shpejti, mund të detyrohet ta çojë në shtëpi a ta vendosë në ndonjë lulishte, sigurisht, duke drejtuar gishtin nga ndërkombëtarët edhe për këtë.
Sakrificat e shprehura të kryeministrit Rama për popullin janë, si ai, më të sofistikuara, dhe si të tilla më të mëdha. Ashtu si i tregoi të rinjve të FRESSH-it, ai synonte lumturinë prej artisti, por politika e mori dhe e bëri kryeministër me zor.
Një sakrificë që në nëntekst, z. Rama e përngjasoi me atë të Prometeut. Të bëhesh mbajtësi i zjarrit (të zhvillimit) dhe i dritës (së dijes) për njerëzit dhe të digjesh vetë është mitike. Por ka nevojë për pak ndriçim filozofik se si ky ‘Promete bashkëkohor i shqiptarëve’ po digjet për ne. Ndoshta punët e kryeministrit në mandatin e tretë dhe fakti që detyrohet të merret edhe me hallet e opozitës e kanë lodhur dhe ia kanë shkatërruar karrierën si artist.
Nga pikëpamja e tyre këto politikanë mund të jenë duke sakrifikuar fort për këtë popull. Ne ndoshta nuk dimë t’i vlerësojmë. Ndoshta mundimet e tyre të mëdha nuk kanë rezultuar në arritje, a ndoshta ‘vetësakrifikimi i tyre’ është kryefjala e diskursit për të justifikuar pamjaftueshmërinë.
Prandaj, si qytetare e këtij vendi, i lutem t’ikursejnë sakrificat për ne. Të mos na rithemelojnë me mendësinë e shekullit të shkuar; të mos ngrohin kolltuqe të blinduar; të mos lejojnë t’i digjet mundësia e afirmimit. Të ikin e të na braktisin pa hedhur sytë pas.
Madje të marrin me vete edhe atë shokun e vet të gatshëm të flijohej si Allende.
Haptazi, ky vend ka mjaft potencial të aftë, të pakonsumuar karrigesh e pa pishmanlliqe, që e çmon besimin dhe nuk e konsideron shërbimin për Shqipërinë e shqiptarët si sakrificë.