2 Shkurt, 2023

Si mundën ta prangosnin dhe gjunjëzonin për orë të tëra atë? Edito

 Si mundën ta prangosnin dhe gjunjëzonin për orë të tëra atë? Edito

Trupi i tij është i deformuar dhe i ngurtë. Anon nga njëra anë. Krahët e tij janë të dobët si shkrepëse.

Megjithëse intelektin nuk e ka të dëmtuar, mënyra e të folurit është e tendosur.

Fytyra e tij është e shqetësuar. Ai ulet me vështirësi, ngrihet me vështirësi dhe lëviz me vështirësi për shkak të pamundësive fizike dhe trupit të hollë.

Është e vështirë, thuajse e pamundur, të imagjinohet se një ushtar do të guxonte të arrestonte një adoleshent në gjendjen e tij, t’i shtrëngonte duart pas shpine ose ta shkelmonte.

Nuk është më pak e vështirë të imagjinohet se ky djalë ka gjuajtur gurë mbi ushtarët ose ndonjë gjë tjetër. Ai ka të ngjarë të jetë i paaftë për të kapur një gur, e jo më ta gjuajë atë.

Por ushtarët izraelitë, të cilët kurrë nuk i shohin palestinezët me të cilët ndeshen si qenie njerëzore, janë gjithashtu të paaftë për të identifikuar një person me aftësi të kufizuara.

Aftësitë e kufizuara lidhen me qeniet njerëzore, jo me palestinezët.

17-vjeçari Shams a-Din Azem ka humbur nënën e tij nga kanceri në vitin 2017. Kurse i ati gjen herë pas here punë në zonën ku jetojnë.

Ata janë gjashtë djem dhe një vajzë në fshatin Qaryut në Bregun Perëndimor qendror. Për shkak të gjendjes së tij, Shams ka mbetur pa punë që kur e la shkollën në klasën e dhjetë.

Ai ishte vetëm katër vjeç kur e preku për herë të parë kanceri, në formën e një tumori malinj në palcën kurrizore. Që atëherë, ai i është nënshtruar trajtimit në Qendrën e Kancerit King Hussein në Aman, në Spitalin Universitar Kombëtar An-Najah në Nablus dhe në spitalin Augusta Victoria në Jerusalemin Lindor.

13 vjet pas diagnostikimit të sëmundjes, ai vazhdon t’i nënshtrohet kimioterapisë dhe i kërkohet të vizitojë një spital një herë në muaj.

I ati u detyrua t’u sillte ilaçet ushtarëve që prangosën djalin për t’u vërtetuar atyre se është një pacient me kancer.

Trupat ia treguan atë një mjeku ose një ndihmësmjeku të ushtrisë dhe vetëm atëherë u bindën se adoleshenti ishte i sëmurë. Për turpin e tyre, pamja e tij e dobët nuk u mjaftonte.

Ishte e premtja e 1 prillit, kur Shams bashkë me dy shokë shkuan në pjesën jugore të fshatit të tyre, ku ka një pamje spektakolare të fushave në luginën poshtë.

Qaryut është një nga fshatrat më të rrethuar në Bregun Perëndimor i kufizuar nga të gjitha anët nga kolonat e egra të kolonëve të Luginës Shiloh, të cilat po rrethojnë fshatin dhe po marrin nën kontroll tokat e tij të mbetura.

Për drejtuesit e fshatit, Qaryut ka humbur tashmë më shumë se katër mijë hektarë të tokës që zotëronte në vitin 1967.

Sakaq, popullsia e fshatit ka rënë nga dhjetë mijë në atë kohë në vetëm tre mijë banorë. Shumë kanë emigruar sepse fshati po rrethohej nga të gjitha anët.

Grabitja e tokës vazhdon, mes betejave të dëshpëruara ligjore nga fshatarët.

Aktualisht, në rendin e ditës janë dy burimet e fshatit që kolonët i lakmojnë. Njëherazi vazhdojnë edhe sulmet e dhunshme nga kolonët.

Ishte ora 17:00 pasdite kur Shams dhe dy shokët e tij arritën në buzë të luginës.

Atje, asokohe, kishte përplasje me ushtrinë dhe me kolonët, të cilët kishin ardhur, si çdo të premte, në një nga burimet e fshatit dhe kishin përzënë banorët.

Në kodrën përballë, si në çdo kodër përreth fshatit, ka një vendbanim të paautorizuar kolonësh. Hayovel u ndërtua në tokë private që u përkiste banorëve vendas.

Hayovel ka qenë i pari për themelimin e të cilit toka palestineze në pronësi private u shpall tokë shtetërore, në vitin 1998.

Teksa tre shokët qëndronin aty, një kolon doli papritur nga mes ullinjve në shpat dhe u përpoq t’i sulmonte ata. Një moment më vonë, një tjetër kolon u shfaq nga ana e kundërt.

Dy miqtë e Shams-it mundën t’i shpëtonin pritës, por ai nuk kishte mundësi të ikte për t’u mbrojtur në gjendjen e tij fizike.

“Pse po gjuan gurë?”, i ka bërtitur koloni. “Nuk hodha gurë”, i është përgjigjur atij Shams-i.

Në pak kohë, rreth tij ishin gjashtë a shtatë kolonë.

Sipas tij, e kanë goditur dhe më pas, ushtria u shfaq dhe kolonët ua dorëzuan ushtarëve plaçkën e tyre njerëzore. Një praktikë e zakonshme në këto incidente.

Ushtarët e detyruan djalin të gjunjëzohej dhe e prangosën nga pas. Ata gjithashtu diskutuan nëse do t’i lidhnin sytë, por vendosën ta linin këtë me mëshirën e tyre të madhe.

Pastaj, Shams-i u urdhërua të fliste me telefon me një agjent të shërbimit të sigurisë Shin Bet, i cili gjithashtu e pyeti se pse kishte hedhur gurë.

Agjenti e pyeti edhe për miqtë e tij, për të cilët i ka thënë se kishin ikur.

Por pas kësaj përgjigjeje të dhënë, ai është shkelmuar nga ushtari.

Ndërkohë i ati, 50-vjeçari Amin, kishte mbërritur në vendngjarje me dy nga vëllezërit e Shams-it. E kishin parë nga larg që ishte i gjunjëzuar në tokë, me duar të lidhura pas shpine.

Ushtarët i drejtuan pushkët Amin-it dhe u përpoqën ta largonin atë.

“Pse ma keni marrë djalin?”, u ka thënë ai. Një nga ushtarët iu përgjigj se djali kishte hedhur gurë.

“A je i sigurt? Si mund të gjuante gurë ai?”, u ka thënë Amin, duke u përpjekur t’u shpjegonte ushtarëve se djali i tij ishte i sëmurë me kancer.

Duke mos pasur zgjidhje, dy vëllezërit dhe babai shkuan në shtëpinë e tyre, një distancë prej rreth dy kilometrash,dhe sollën një paketë Celltop 50, kimioterapinë që Shams merr aktualisht.

Në mungesë të edukimit të mjaftueshëm onkologjik, ushtarët thirrën një ambulancë të ushtrisë. Një mjek ose një ndihmës mjek që ekzaminoi Shams-in dhe mjekimin konfirmoi se Celltop është një ilaç onkologjik.

Njëkohësisht, disa dhjetëra fshatarë dhe të afërm nga rajoni ishin mbledhur në vend.

Bashar al-Qaryuti, një banor që drejton betejën e fshatit për të mbrojtur tokat, u thirr gjithashtu në vendngjarje. Ai kontaktoi menjëherë Administratën e Koordinimit dhe Ndërlidhjes për t’u shpjeguar se djali është një pacient me kancer.

“Arrestuat një djalë të sëmurë”, u ka thënë ai në telefon dhe një përfaqësues i Administratës Civile të Izraelit u përgjigj se “ai hodhi gurë” dhe se e dinin se ishte me kancer e do ta lironin.

“Por fillimisht duhet t’i shpjegohet që të mos gjuajë më gurë”, ka vijuar ai.

Dhe Al-Qaryuti disponon në telefonin e tij regjistrimet e mesazheve zanore që ka shkëmbyer me Administratën Civile.

Ai u kërkoi që Shams-i të lirohej nga prangat, por ushtarët i thanë se do ta bënin këtë vetëm nëse të afërmit dhe fshatarët që kishin ardhur në vend për të protestuar shpërndaheshin.

Derisa turma u tërhoq, Shams-in e vendosën në një xhip ushtarak dhe e morën me vete.

“Vendosëm ta merrnim atë në paraburgim”, i ka thënë një ushtar babait të shqetësuar.

Shams-i ka treguar se ka qenë në pranga për rreth dy orë. Ai u dërgua në një objekt ushtarak lokal ku e detyruan të gjunjëzohej dhe të priste me orë të tëra.

Në mesnatë, rreth pesë orë pasi u ndalua, u lirua.

Ai u dërgua në postbllokun Hawara pranë Nablus-it dhe iu dorëzua personelit të Administratës së Koordinimit dhe Ndërlidhjes Palestineze.

Ai u kthye në shtëpi në orën 1:30 të mëngjesit, i rraskapitur dhe i frikësuar.

Shamsi ka treguar se nuk ishte i frikësuar, por i ati ndërhyn duke thënë se padyshim që ishte.

“Haaretz”

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *