4 Dhjetor, 2022

Si mund të nxjerrë Putini botën “jashtë loje”, paralajmëron ushtaraku i lartë

 Si mund të nxjerrë Putini botën “jashtë loje”, paralajmëron ushtaraku i lartë

Mijëra metra nën oqean shtrihet një rrjet global kabllosh interneti përgjegjës për mbajtjen e 97 për qind të komunikimeve ndërkombëtare.

Në një epokë dixhitale, këto kabllo fizike, të veshura me çelik dhe plastikë, janë thelbësore për funksionimin e jetës dhe komunikimeve ndërkombëtare. Nëse do të çaktivizoheshin, kjo nuk do të na pengonte thjesht të hynim në ueb në telefonat dhe laptopët tanë, por do të prishte rendin e botës, gjithçka nga bujqësia dhe kujdesi shëndetësor deri te logjistika ushtarake dhe transaksionet financiare, duke e zhytur botën menjëherë në një kolaps.

Sipas ekspertëve, ky skenar i fundit të botës renditet krahas luftës bërthamore si një kërcënim ekzistencial për mënyrën tonë të jetesës.

Dhe shefi i sapoemëruar i shtabit të mbrojtjes në Britaninë e Madhe, Admirali Sir Tony Radakin, mendon se Rusia është fuqia armiqësore që ka më shumë gjasa për të gjymtuar këto arterie jetike.

Në një intervistë, ai tha se kishte pasur “një rritje fenomenale” në aktivitetin e nëndetëseve ruse gjatë 20 viteve të fundit, duke shtuar: “Rusia ka rritur aftësinë për të vënë në rrezik ato kabllo nënujore dhe për t’i shfrytëzuar potencialisht ato.”

Çdo ndërhyrje e tillë do të trajtohej me seriozitetin më të madh. I pyetur nëse shkatërrimi i kabllove mund të konsiderohet një akt lufte, oficeri më i lartë ushtarak britanik tha: “Potencialisht, po”.

Lajmi i mirë është se prodhuesit e kabllove nuk kanë bërë gjërat të lehta për sabotatorët e mundshëm.

Kabllot, kryesisht në pronësi dhe të instaluar nga kompani private, janë projektuar për t’i bërë ballë ashpërsisë natyrore nën det dhe nuk mund të priten lehtë.

Në mënyrë tipike pak më shumë se një inç në diametër, ato përbëhen nga fibra optike – fije qelqi të holla sa një fije floku – në qendër, të rrethuara nga armaturë me tela çeliku të galvanizuar dhe më pas, nga jashtë mbështjellë me një shtresë plastike.

Ato janë projektuar sipas standardit ‘pesë nëntë’ – që do të thotë se janë të besueshëm në 99,999 për qind të rasteve, një nivel i rezervuar përgjithësisht për armët bërthamore dhe anijet kozmike.

Por, të armatosur me prerës hidraulikë të bashkangjitur në trupat e tyre, zhytësit rusë do të bënin punën shumë shpejt për prerjen e kabllove të hollë si tuba.

Një anije e identifikuar si një kërcënim serioz është Yantar. E përshkruar zyrtarisht nga marina ruse si një anije ‘kërkuese’, ajo mban dy mini nëndetëse të dizajnuara për misione inxhinierike të cilat mund të ekzaminojnë zona deri në 3.75 milje nën ujë.

Vetëm katër muaj pasi doli në det për herë të parë në vitin 2015, Yantar shkaktoi shqetësim në qarqet e inteligjencës kur u zbulua në brigjet e SHBA-së në rrugën e saj për në Kubë, ku kabllot nënujore zbarkojnë në tokë pranë Gjirit të Guantanamos.

Në ujërat më të cekëta, një anije mund të hedhë qëllimisht një spirancë përgjatë shtratit të detit për të shkëputur kabllot. Një sulm i tillë mund të mbulohet duke e kaluar si një aksident i pafajshëm me anije peshkimi.

Në të gjithë botën ka 436 kabllo kryesore, që përmbajnë mes tyre më shumë se 800,000 milje fibër optike.Çdo ditë rrjeti kabllor bart transferta financiare në vlerë prej 10 trilion dollarësh.

“Babai” i të gjithëve është Asia American Gateëay e cila është 12,430 milje e gjatë.

Çdo kabllo përmban nga katër deri në 200 fibra optike – një fibër mund të transmetojë deri në 400 GB të dhëna në sekondë, ose të mjaftueshme për rreth 375 milionë telefonata.

Një kabllo e vetme që përmban tetë fije fibra optike mund të transferojë përmbajtjen e Bibliotekës Bodleian të Oksfordit – e cila përmban më shumë se 12 milionë libra, revista dhe dorëshkrime – përtej Atlantikut në rreth 40 minuta.

Ato janë shumë më të rëndësishme se komunikimet satelitore, të cilat përbëjnë vetëm 3 për qind të trafikut global. Sado futuriste që mund të tingëllojnë satelitët, kjo mënyrë transmetimi ka qenë në rënie që nga fillimi i viteve 1990 pasi kabllot me fibra optike fituan rritje.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *