2 Shkurt, 2023

Si e lanë Lefter Kokën të fitonte miliona euro dhe më pas e përdorën politikisht, derisa i vendosën prangat

 Si e lanë Lefter Kokën të fitonte miliona euro dhe më pas e përdorën politikisht, derisa i vendosën prangat

SPAK- bëri arrestimin e një ish-ministri të rëndësishëm të kabinetit Rama. Ai quhet Lefter Koka. Bashkë me të janë firmosur fletë arrestet për bosin e inceneratorëve Klodian Zoton, por bashkë me të edhe Stela Gugallën.

Hetimet “provuan se procedurat për kontratën me kompaninë Albtek Energy nuk ishin të plota, dhe se në kundërshtim me ligjin për koncensionet u ndoq metoda e negocimit pa shpallje paraprake të njoftimit. Nga këto veprime, – thekson SPAK – janë dëmtuar interesat e shtetit dhe kompania private ka marrë përfitime të padrejta”.

Më pas, thuhet në njoftimin e SPAK-ut, kompania Albtek Energy dhe kompania tjetër Integrated Technology Services, e cila ka kryer punimet për ndërtimin e inceneratorit, kanë lëvruar fatura dhe veprime financiare për punime që nuk janë kryer vërtet në vlera 2 milionë 950 mijë euro dhe 735 mijë euro, të cilat dyshohet se i janë dhënë rryshfet ministrit Koka pas favorizimit të paligjshëm me procedurat e koncensionit dhe të kontratës.

Administratorët e dy kompanive ngritën një skemë fiktive të pagesave për të fshehur origjinën e paligjshme të parave gjatë transefertave të tyre.

Ish ministri Koka, thuhet në njoftimin e SPAK, ka kërkuar dhe ka marrë nga dy shoqëritë përfitime monetare të tërthorta, duke krijuar me disa shoqëri të tjera skema fiktive për punime të pakryera, për të mbuluar korrupsionin e tij.

Por ky arrestim i ish-ministrit Koka mund të rrisë numrin e fletë arrestëve, përveç Klodian Zotos, dhe Stela Gugallës, sepse SPAK-u ka shumë dokumenta se si janë përzier apo kanë firmosur edhe ministra dhe ish-ministra të tjerë, sikurse ka përgjime për një zyrtarë të lartë të mazhorancës.

SPAK-u ka patur kurajon dhe duhet përgëzuar për vendosmërinë në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Por duket se po shkon edhe më lart në hierarkinë shtetrore e jo vetëm për këtë aferë.

Por a është i vetëm Lefter Koka në këtë aferë korrupsioni, siç thotë SPAK-u?

Nuk besohet se ka vepruar vetëm dhe aq me tepër me vendime brenda një ditë ku janë firmosur të gjitha letrat për firmën fituese, kur duhej garë dhe muaj pritje.

Para disa muajve ka qenë gazetari Armand Shkullaku që i bëri këtë pyetje kryeministrit Rama në një emision televiziv.

Ja pyetja e gazetarit: Si ka mundësi që brenda një dite të vetme, shpallet fituesi, mbyllen ankimimet, negociohet një kontratë 40 faqe, nënshkruhet, bëhen disa VKM dhe nisin transfertat e parave nga buxheti drejt kompanisë private?

Pas kësaj pyetje sfiduese ka ardhur përgjigja e kryeministrit Rama, e cila është si me poshtë:

“Komenti në formë pyetje është tërësisht i pavërtetë! Procedura për Impiantin e Prodhimit të Energjisë Fier ka filluar në datën 5 Tetor 2015 kur është paraqitur dhe propozimi i pakërkuar dhe ka përfunduar me nënshkrimin e kontratës në datën 24 Tetor 2016.

Pra, një procedurë e cila ka kaluar nëpërmjet një tenderi ndërkombëtar dhe ka zgjatur plot 12 muaj. Gjatë kësaj procedure është miratuar vetëm një VKM, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi, nëpërmjet së cilës i jepen pikët bonus shoqërisë që ka paraqitur propozimin e pakërkuar.

Procedura për Zonën e Trajtimit të Mbetjeve Sharrë ka filluar në datën 23 Qershor 2016 kur është paraqitur dhe propozimi i pakërkuar dhe ka përfunduar me nënshkrimin e kontratës në datën 31 Gusht 2017.

Pra dhe kjo një procedurë ka kaluar nëpërmjet një tenderi ndërkombëtar dhe ka zgjatur plot 14 muaj. Gjatë kësaj procedure është miratuar vetëm një VKM, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi, nëpërmjet së cilës i jepen pikët bonus shoqërisë që ka paraqitur propozimin e pakërkuar.

Procedura e ndjekur për Impiantin e Elbasanit ka qenë ajo Negociimit pa shpallje paraprake ku kontrata është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, procedurë kjo e parashikuar plotësisht në ligj dhe miratuar si rezultat i shpalljes së gjendjes së emergjencës fillimisht nga Këshilli Bashkiak Elbasan dhe më pas nga Komiteti Ndërministror i Menaxhimit të Mbetjeve si organi më i lartë përgjegjës për menaxhimin e mbetjeve.

Kur aplikohet procedura e negociimit në kushtet e emergjencës, të gjitha institucionet e përfshira janë të detyruara/angazhuara të japin kontributin e tyre në një kohë sa më të shpejtë. Në situata të emergjencës së shpallur, angazhimi për të mbyllur të gjitha proceset e parashikuara në ligj në një kohë sa më të shpejtë është detyrim ligjor dhe jo shkelje.

Gjithashtu, duhet sqaruar se për Impiantin e Elbasanit, qeveria shqiptare i ka filluar pagesat 7 muaj mbas fillimit të punimeve, kur subjekti koncensionar kishte bërë një sasi të konsiderueshme të punimeve. Në momentin e përfundimit tërësor të impiantit me vlerë 21 milionë euro pa tvsh, qeveria kishte paguar vetëm 5.57 milionë euro ose 26.5%. Gjithë pjesa tjetër e investimit ishte mbuluar nga vetë koncensionari. Prej vitit 2017 e deri sot koncensionari po vazhdon ta mirëmbajë dhe operojë këtë impiant pa asnjë të ardhur shtesë nga shitja e energjisë, duke mbuluar vetë të gjitha kostot operative, ndryshe nga sa ishte parashikuar në studimin e fizibilitetit”.

Kjo ishte përgjigja e kryeministrit Rama.

Me sa duket kryeministri e ka mbrojtur ish-ministrin e tij pasi e kishte piketuar ta përdorte me “litar” në qafë Lefter Kokën kundër Ilir Metës si president.

Dhe nëse i referohemi faktëve del se Lefter Koka, pasi këtij tenderi fiktiv e në shkelje të ligjit, që ka prodhuar sipas SPAK-ut miliona euro, kapërceu politikisht me PS-në duke braktisur LSI-në.

Me pas kur LSI iku nga parlamenti, vetëm Lefter Koka qëndroi me mandatin e deputetit. Shumë syresh thonin asokohe se Koka ka një gur në qafë dhe diktohet nga kryeministri.

Po kështu është e regjistruar biseda e kryeministrit Rama që përdorte Lefter Kokën për të rrëmbyer deputetin Nasip Naçi nga LSI drejt e në PS.

Pra Lefter Koka ka qenë zënë mat dhe nuk kishte nga e luante bishtin.

E përdorën ne fushatën e 25 prillit në Durrës, duke hequr së paku një deputet LSI-së. Sapo mbaruan zgjedhjet dhe mbajtën pushtetin, e detyruan të hiqte dorë nga mandati i deputetit të PS-së me garancinë se nuk do të arrestojë SPAK-u.

E dorëzoi edhe mandatin e deputetit.

E lanë të qetë disa muaj dhe tani i vendosën prangat,.

Tani Lefter Koka nuk i hyn në punë askujt, ndaj e prangosen.

Dhe të gjithë e kanë shitur!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *