Si do mbetet Enver Hoxha në histori dhe pse PD s’e përbalt dot, atë që ka bërë ai

Nga Viktor Malaj
Dërgimi i një mesazhi urimi për Ditën e Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë nga deputeti socialist Bujar Çela, ku shfaqej flamuri kombëtar dhe fotografia e E. Hoxhës, ngjalli një reaksion maksimal nga disa anëtarë të Komisionit të Sigurisë së Parlamentit shqiptar.
Komisioni i Sigurisë që është i shurdhër kundrejt kufijve pa zot të vendit, kundrejt organizatave kriminale dhe krimeve makabre që kryhen mbi shumë shtetas shqiptarë brenda vendit, që nuk shqetësohet për mijëra shqiptarë që po humbin jetët për shkak të gjakmarrjes, drogës, prostitucionit, bixhozit etj. dhe për dhjetëra mijëra bashkëkombas që braktisin vendin përfundimisht çdo vit, u shqetësua tani pse në Ditën e Çlirimit nga pushtuesit e vendit u shfaq edhe fotografia e komandantit të asaj ushtrije që e radhiti vendin në rreshtin e vendeve që rezistuan dhe luftuan kundër nazizmit.
Kur lexon e dëgjon këto “protesta”, pyet veten: mos autorët protestues janë të ndikuar nga frika se Hoxha dhe regjimi i tij po rikthehen, mos kanë qenë të përndjekur padrejtësisht para vitit 1990, mos janë individë që kanë parime, ideale dhe pastërti të tillë të ndërgjegjes që i bën shumë të ndjeshëm kundrejt krimeve dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut?
Megjithëse urimi ishte për Ditën e Çlirimit nga pushtuesit e huaj dhe fotografia përcillte mesazhin e figurës udhëheqëse të luftës, protestuesit politikë dhe mediatikë e shpallën mesazhin si një nostalgji (a thua se nostalgjia është e ndaluar!) për regjimin e viteve 1944-1990, provokim të rëndë etj. (!) dhe, pasi e fyen deputetin Çela, i kërkuan atij dhe partisë që i përket ta dënonin rastin në fjalë.
Kaq i madh qe presioni saqë deputeti u detyrua të bënte sikur i kishin marrë telefonin persona të tjerë, ndërsa kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së z. T. Balla u shpreh se “Iu kërkoj kolegëve të tjerë të raportojnë raste të tilla dhe, natyrshëm që Grupi Parlamentar i PS-së i ka instrumentet e nevojshme për të ndërmarrë masa disiplinore”.
Është me të vërtetë të vësh duart në kokë kur mendon se në çfarë gjendjeje jemi katandisur sot mbas 31 viteve të pluralizmit politik, në kohën e “lirisë së fjalës dhe të mendimit”.
Nëse reagimet e gjithfarë bazhgaresh politike që janë pasardhës biologjikë dhe shpirtëror të veglave të pushtuesve e kriminelëve të luftës dhe, rrjedhimisht, mohues të luftës dhe Ditës së Çlirimit nuk të bëjnë përshtypje, qëndrimet e individëve apo partive politike që e njohin, pranojnë dhe vlerësojnë Luftën ANÇL, por iu nënshtrohen presioneve të botës së errët antikombëtare, të lënë pa mend.
Partia Socialiste dhe z. Balla, të cilët për tridhjetë vjet nuk kanë pasur këllqe t’i kundërvihen fort dhe ligjërisht një gangsteri dhe krimineli politik si Sali Berisha, ende gjallë, aktiv dhe i rrezikshëm për fatet e vendit, i cili i ka rrahur, fyer, burgosur dhe vrarë, kërkojnë të ndëshkojnë një deputet të tyre pse ka shfaqur fotografinë e një të vdekuri para 40 vitesh.
Diskutimet rreth Hoxhës dhe rolit e veprimtarisë së tij gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe, pastaj, për 40 vjet si drejtues politik i regjimit të të quajturit Socializëm Real në Shqipëri do të vazhdojnë dhe duhet të vazhdojnë gjatë. Pavarësisht përcaktimeve ekstreme për të, si “udhëheqës i lavdishëm i luftës e socializmit dhe… i pagabueshëm” nga njëri krah dhe “kriminel, sadist, diktator, tradhëtar etj.” nga krahu tjetër, unë besoj shumë se, në fund ai do të mbetet në histori si figurë udhëheqëse e nderuar e një lufte heroike që e nderon dhe do ta nderojë për jetë popullin shqiptar.
Nga ana tjetër si figurë politike e një regjimi që, përveç se solli disa transformime rrënjësore të pamohueshme në aspektet sociale e kulturore të vendit, mbetet përgjegjësi kryesor për shumë gabime, faje dhe krime të kryer gjatë sundimit të vet. Nëse gabimet, siç thoshin latinët, janë njerëzore, fajet ndëshkohen dhe krimet duhen dënuar.
Dhe krimet nuk kanë qenë të paktë. Ashtu siç nuk mund të shfajësohet për këto krime, ai nuk mund të fajësohet për ndëshkimin e kriminelëve të luftës, spiunëve, sabotatorëve dhe terroristëve të pasluftës. Përzierja e qëllimshme e dënimeve të padrejta me ato që janë dënuar dhe dënohen në të gjitha kohërat dhe vendet, në radhë të parë, fyen të pafajshmit, por edhe shtrembëron historinë dhe të vërtetën.
Edhe sikur të gjithë të përndjekurit padrejtësisht të kërkonin shfajësimin e Hoxhës, arsyeja jonë njerëzore dhe ndërgjegjja jonë shoqërore nuk do të duhej të pajtohej me aktet kriminale të tipit të dënimeve për “bombën në ambasadën sovjetike në Tiranë” në vitin 1951, për internimet e familjeve për shkak të gjetjes fajtor të dikujt apo për dënimet për agjitacion e propagandë.
Le të shohim tani shkaqet e reagimeve të disa individëve politikë e mediatikë kundrejt rastit në fjalë.
Socializmi real as ka gjasa të kthehet dhe as do të kthehet, jo pse kapitalizmi është i fisëm dhe për t’u pasur zili, por sepse organizimin e tij ekonomik dhe, për rrjedhojë, rendimentin e tij të pakënaqshëm e të pamjaftueshëm e kundërshtojnë nevojat në rritje ekonomike dhe niveli i paarrirë i ndërgjegjes shoqërore, fakt ky që shpije në pakënaqësi sociale, revoltë dhe kundërshtime që kanë si reagim përndjekjen e një pjese të popullsisë.
Ndërsa kapitalizmi, me një eksperiencë zhvillimi disa shekullore, i ngjan një kryemafiozi të shndërruar në xhentelmen (zotëri), me pamje serioze, i veshur me frak e papion që, pavarësisht të kaluarës së tij kriminale, merr rolin e mësim- dhe moraldhënësit. Si i tillë, ai shihet me admirim, glorifikohet dhe kërkohet të imitohet veçanërisht nga dashnorët e pangopur të parasë dhe mospërfillësit e moralit. Meqë kapitalizmi krijon kushte për ta mbajtur të tejmbushur zorrën e trashë i takon atij të jetë në krye të vendit.
Të zemërohen dhe të protestojnë kundrejt shfaqjes së fotografisë së Hoxhës njerëz që padrejtësisht kanë kaluar pjesë të jetës në burg apo internim, kjo është e pranueshme dhe meriton mirëkuptim, por të bëjnë të zemëruarin, parimorin dhe moralistin halabakë politikë e të dënuar ordinerë si njëfarë Sallahanji apo pasardhës biologjikë e moralë të kriminelëve të luftës si njëfarë Alibeu, ky është kulmi i hipokrizisë dhe i fyerjes ndaj të vërtetës dhe të drejtës.
I pari, duke marrë pozat e përfaqësuesit të të gjithë popullit shqiptar, tha se “Mos tentoni të fyeni më tej jo vetëm këtë komision, por gjithë qytetarët… Distancimi i menjëhershëm nga provokimi do të ishte minimalja”, ndërsa i dyti pohoi: “Të glorifikosh diktatorin! Ky rast nuk ka si të jetë liri fjale… Këtu është shteti që ndërhyn dhe shteti jeton për shkak të disa vlerave morale… A kemi vuajtur nga diktatura?… Kjo tregon fytyrën e vërtetë të nostalgjikëve të komunizmit…”.
Akoma më tej shkoi J. Godole, përfaqësuese e Institutit të Krimeve të Komunizmit (vini re: institut që studion dhe përcakton çfarë quhet dhe çfarë nuk quhet krim, një e drejtë kjo ekskluzive e sistemit gjyqësor?!) e cila vjet kërkonte t’i jepej institucionit të saj statusi i prokurorisë për të bërë hetime dhe akuza penale.
Këtë herë, duke u vënë në rolin e hetuesve të Koçi Xoxes, i tha një pasardhësi të dëshmorëve të Luftës dhe, aktualisht drejtues i një partie të ligjshme komuniste se “Nëse ky do të ishte një vend normal, ju do të ishit në burg. Nuk do të kishit mundësi të dilnit në TV”. Për cilat arsye parimore, ligjore a morale zonjëzat Gogole mendojnë kështu?!
A janë vallë dëlirësia morale, parimësia politike, humanizmi qytetar dhe kriteret e njohura demokratike ato që i kanë shtyrë dhe i shtyjnë këta individë dhe të tjerë si ata që të bëjnë të zemëruarin, revoltuarin, idealistin e parimorin? Kurrsesi. Parimet dhe kriteret, ose janë universale në kohë e hapësirë ose nuk janë fare të tillë.
Po të udhëhiqeshin prej tyre, individët e sipërpërmendur do të ndiheshin keq dhe do të protestonin për vendosjen në kryeqytet të shtatores së mbretit Zog, një monark artificial dhe absolut i cili, ashtu si Hoxha, ka burgosur, internuar dhe ekzekutuar kundërshtarë politikë, ka braktisur Shqipërinë kur ajo kishte më shumë nevojë për të dhe ka marrë me vete arkat me flori nga thesari i shtetit, me të cilat kaloi jashtë vendit pjesën e mbetur të jetës së tij.
Po të udhëhiqeshin nga idealizmi dhe parimet humane e demokratike, këta dhe figurat e figurinat e tjera të opozitës politike shqiptare do të kishin protestuar me kohë ndaj sjelljeve dhe veprimeve kriminale të Sali Berishës i cili, me aq sa ia kanë lejuar rrethanat e brendshme e të jashtme, ka rrahur, burgosur, fyer, kanosur dhe vrarë kundërshtarë politikë e gazetarë, ka organizuar përplasje të armatosura masive mbi baza politike e krahinore, është mburrur me veprimet e tij dhe sot premton e kërcënon të rikthehet për të bërë të njëjtat gjëra, edhe pasi është shpallur botërisht si i korruptuar dhe minues i sistemit demokratik.
Ata që e kanë pësuar prej tij dhe familjet e tyre kanë durimin që, jo vetëm të shohin fotografitë e tij, por edhe atë vetë gati çdo natë në TV duke pozuar si shenjtor dhe luajtur rolin e shpëtimtarit të vendit.
Ata që pohojnë se “janë rritur me fotografinë e S. Berishës në shtëpi”, se “Mbi z. Berisha nuk mund të pështyj. Ai është një aset i PD-së dhe krejt vendit… Ne i përkasim shkollës politike të S. Berishës” etj. etj. nuk kanë kurrfarë të drejtash morale, politike, as historike të na japin leksione morale e demokratike. Duhet të kuptojnë se bëhen edhe të përbuzshëm kur, teksa përpiqen të duken të revoltuar sa herë shohin fotografinë e Hoxhës, marrin edhe pozën e përfaqsuesit dhe mbrojtësit të të gjithë popullit.
Pavarësisht terminologjisë ndjellëse për demokracinë, lirinë, drejtësinë etj., në të vërtetë këta individë si dhe ndonjë pasardhës shpirtëror i kriminelit Xhafer Deva, i lindur në Kosovë, por që ushqehet me hamburger gjermanë, nuk kanë hallin e parimeve dhe as të popullit.
Janë thjesht njerëz emocionalë, pasardhës shpirtëror të atyre “atdhetarëve” që në ditët e para të prillit 1939 votuan në Parlament për të mos iu nënshtruar Italisë dhe brohoritën për Mbretin Zog por, pas një jave votuan gjithë gëzim skajshëm për t’i dhënë kurorën e Skënderbeut Viktor Emanuelit të Italisë dhe shprehën kënaqësinë që ushtria e tij “i çliroi nga beu i Matit”.
Këta nuk janë kundër persekutimeve, burgosjeve e vrasjeve në përgjithësi. Por ama janë kundër atëherë kur e pësojnë vetë ose të afërmit e tyre. Këta nuk janë kundër çdo lloj diktature sepse atë diktaturë që iu siguron pushtet e privilegje vetjake e kanë xhan. Këta janë atdhetarë në dukje, por me veprime e qëndrime janë pro pushtimeve që iu sigurojnë pozita sunduese prandaj pushtuesit i quajnë “kalimtarë, administratorë, civilizues” etj. Këta mohojnë çdo luftë që bëjnë të tjerët dhe nuk sjell ata në pushtet.
Dhe nuk ndalen këtu. Këta sajojnë luftëra me mullinjtë e erës që kanë bërë vetë ose paraardhësit e tyre, siç është për shembull “Revolucioni i Dhjetorit 1990” etj. Ata konsiderojnë pushtues cilindo që iu heq pushtetin vetjak, siç bëjnë edhe sot, duke u shprehur se “Shqipëria të jep sot pamjen e një vendi të pushtuar. Për herë të parë Shqipëria u pushtua nga komunistët, ndërsa sot është pushtimi i dytë” (N. Ceka, “Tema”- 27.01.2021).
Ata që iu zaptojnë karriget e pushtetit janë pushtues dhe jo ata që zaptojnë Shqipërinë. Shqipëria pa karriget e tyre s’iu hyn në punë ndërsa karriget e pushtetit vetjak edhe pa Shqipërinë janë të dobishme e të rëndësishme.
Kjo është arësyeja pse e mohojnë luftën, por edhe bashkëpunimin e paraardhësve të tyre me pushtuesit, bashkëpunim që çoi më vonë në ndëshkimin e drejtë të tyre, por që këta birbot e sotëm i emërotojnë “akte kriminale të komunizmit” dhe kërkojnë censurimin e veprave të artit e letërsisë të asaj periudhe, siç është edhe komedia “Prefekti”.
Nuk tregon, por shtrembëron të vërtetën- na thonë- duke përvetësuar kështu monopolin e së vërtetës dhe duke marrë atributet e gjykatësit të vetëm dhe suprem të historisë, ndërsa të tjerëve iu rekomandojnë heshtjen sepse, përndryshe, bëjnë “agjitacion e propagandë”.
Si të tillë, këta dhe të tjerë si këta, nuk e njohin LNÇL, mohojnë betejat dhe gjakun e derdhur nga të rënët, tallen me datën e çlirimit ose e quajnë çlirimin “pushtim” dhe luftën çlirimtare e shpallin “luftë civile”.
Mirëpo qëndrimi ndaj luftës nuk është qëndrim ndaj “komunizmit”, por çështje parimore për ekzistencën e kombit, është çështje morale që përcakton vlerat ose antivlerat, dinjitetin kombëtar ose poshtërimin e kombit. Rrjedhimisht, për atdhetarët e vërtetë në piedestalin e nderit do të qëndrojnë përherë emrat e të gjithë atyre që luftuan dhe, sidomos, atyre që dhanë jetën në ndeshje me pushtuesit, qofshin ata me parti apo pa parti, pjesëtarë të formacioneve partizane apo luftëtarë të disa çetave të Ballit Kombëtar.
Atdhetarizmi nuk ka ngjyra politike dhe as përcaktohet nga përkatësitë politike, por thjesht dhe vetëm nga qëndrimet kundrejt zaptuesve të vendit (në kohë lufte) dhe kundrejt të mirës së përbashkët (në kohë paqeje).
Rezistenca e armatosur kundër nazifashistëve ishte revoltë dhe aksion kundër pushtuesve, pavarësisht kush qenë ata (këtë çështje e kishte trajtuar drejt akademiku A. Fuga). Ata që u ngritën kundër pushtimit italo-gjerman nuk e bënë këtë pse Italia dhe Gjermania përfaqsonin politikisht dy diktatura gjakatare, por kryesisht sepse ato dy shtete diktatoriale përfaqsonin praktikisht dy fuqi pushtuese për Shqipërinë, Evropën dhe botën.
Çështja e luftës kundër pushtuesve është çështje themelore morale dhe idealiste, më e hershme se ideologjia komuniste dhe sistemi i socializmit real. Pasardhësit biologjikë dhe moralë të puthadorëve të pushtuesve na thonë sot se drejtuesit komunistë të LANÇ-it luftuan vetëm për pushtet politik pas lufte.
E vërteta e pamohueshme historike, e dëshmuar dhe provuar edhe nga të huajt, është se ata luftuan për të dyja: kundër pushtuesve të vendit dhe për pushtetin e ardhshëm politik.
Ndërsa kundërshtarët e tyre politikë, frikacakë, miopë dhe egoistë, bënë të kundërtën: “Sot është dita me u armatosë dhe me pritë (për çfarë?!) që të mbarojë lufta dhe me pa kush shkel mbi besimin tonë…” (trakti i parë i BK).
Është e vërtetë e pakundërshtueshme që shumica e figurave drejtuese të BK dhe Legalitetit nuk ishin të gatshëm të luftonin me armë kundër pushtuesve nazifashistë.
Akoma më keq, ata qenë të gatshëm dhe ndihmuan pushtuesit kundër formacioneve dhe aksioneve të UNÇL. Më vonë, pas vitit 1944, një pjesë e tyre u treguan të zellshëm dhe të gatshëm për të luftuar me armë kundër pushtetit të kundërshtarëve të vet politikë në Shqipëri, pra kundër shqiptarëve.
Këto të vërteta përbëjnë dëshmi absolute se për ta pushteti politik për të sunduar ishte më i rëndësishëm se çlirimi i vendit nga pushtuesit e huaj. Këto të vërteta, ashtu si shumë të tjera, iu heqin atyre dhe pasardhësve të tyre biologjikë e shpirtëror të sotëm çfarëdo pretendimi moral dhe ua zhvlerësojnë çdo parullë apo protestë të rreme patriotike e demokratike.
Kush puthet me pushtuesin, kush bëhet çirak i pushtuesve apo, qoftë edhe duke i hapur derën vullnetarisht makinës së tij ushtarake, nuk mund të jetë as atdhetar, as demokrat dhe as humanist. Ai, ose ajo, që mbron akte të tillë nuk arrinë askund, veçse i bie daulles së vjetëruar të antikomunizmit me shpresë se bashkëpunimi me okupatorët do vlerësohet si atdhetarizëm.
Luftën NÇL e njohën edhe fuqitë e mëdha si kontribut në rezistencën e përgjithshme antifashiste botërore, prandaj edhe tani ambasada amerikane në Tiranë uronte: “Shqipëria feston sot përvjetorin e 77-të të Çlirimit. Në këtë festë zyrtare, shqiptarët nderojnë ata që sakrifikuan jetët në luftë dhe kremtojnë lirinë. Gëzuar Ditën e Çlirimit Shqipëri!”.
Përpjekjet për të censuruar mendimet, vlerësimet apo edhe shfaqjen e fotografive të drejtuesve të luftës janë identike me “luftën kundër ndikimeve borgjezo-revizioniste” të dikurshme. Ndërsa dëshirat për ta shndërruar këtë censurë në ligj janë të barabarta me nenin 55 të K. Penal të para 1990 që dënonte për agjitacion e propagandë.
Këto përpjekje janë të mjera, të kota, të dështuara dhe të turpshme në një sistem politik pluralist që pretendon se individi është i lirë. Mund të pengosh apo ndëshkosh (për agjitacion e propagandë), por s’e ndryshon dot mendimin e tjetrit me pretekstin e “dekomunistizimit”.
Çdo të thotë dekomunistizim tridhjetë vjet pasi ka rënë ai sistem politik dhe s’ka më gjasa të rikthehet? Të pëndjekësh ata që jetuan e punuan në atë kohë dhe nuk patën “fatin” të jetojnë kohën e sotme të “artë”? T’i pengosh njerëzit të kenë vlerësime pozitive për shumë aspekte të jetës së atëhershme shoqërore?
Kjo, as ka nevojë të bëhet dhe nuk bëhet dot me propagandë e ligje shtrënguese për aq kohë sa populli sheh se fëmijët e ish-Presidentit e Kryeministrit kanë nga 17 llogari bankare e shumë vila dhe shumica e popullit s’ka asnjë; kur shohin deputetë të majtë e të djathtë me prona sheikësh dhe me ora dore 20 mijë euro, ndërsa ata s’kanë rroga dhe as pensione për të siguruar minimumin jetik, as barërat mjekësore; kur shohin se një gangster mund të fitojë qindra milion dollarë duke luajtur bixhoz në bursat ndërkombëtare ndërkohë që miliona njerëz vdesin çdo vit në botë nga uria.
Propaganda për barazinë e lirinë bëhet boshe dhe bajate kur qytetari shqiptar sheh se e drejta dhe liria e zgjedhjes janë katandisur në mundësinë për të zgjedhur hajnin e radhës në timonin e pushtetit; kur shohin se pronarëve iu mohohet kthimi i pronave ndërsa grabitësve të tyre iu ligjërohet (legalizohet) ajo; kur vërejnë se gjyqet i fiton ai që ka pushtet ekonomik e politik dhe jo ai që ka të drejtë.
Të gjitha këto dhe plot padrejtësi të tjera nuk mund të justifikohen duke pretenduar në mënyrë absurde se për fajet e sotëm janë përgjegjës sistemi i kaluar politik dhe ata që kanë vdekur para dyzet vitesh.
Reagimet dhe qëndrimet ekstreme të personave apo forcave politike që kërkojnë vendosjen e censurës dhe “dekomunistizimin” e shoqërisë nëpërmjet shtrëngimit na dëshmojnë qartë se, po të kishin qenë në pushtet gjatë viteve 1945-1990 dhe në të njëjtat rrethana, do të ishin sjellë dhe do të kishin vepruar njësoj, në mos më keq, se qeverisësit e atëhershëm.
Vetëm kur qeverisësit e sotëm apo ata të ardhshëm do të dëshmojnë me sjellje dhe vepra më shumë qytetërim dhe moral se paraardhësit e tyre, vetëm atëherë do të zbehen nostalgjia dhe dëshirat për ekspozimin e fotografive të ish-drejtuesve komunistë.
Hipokrizia e tyre duket sheshit kur pretendojnë se po “provokohen” edhe kur dikush vetëm shfaq fotografinë e Hoxhës, por nuk u bën përshtypje fotografia e atit të tyre shpirtëror, Sali Berishës, dalë në krah të Hoxhës, brenda shtëpisë së tij. Edhe hipokrizia duhet të ketë një kufi.