28 Janar, 2023

Shtetësia shqiptare e dy indianëve mashtrues bëhet problem në Bruksel

 Shtetësia shqiptare e dy indianëve mashtrues bëhet problem në Bruksel

Rasti i dy vëllezërve indianë të akuzuar për mashtrim në vlera deri në 7 miliardë euro në vendlindje dhe që i shpëtuan ekstradimit e përballjes me drejtësinë duke marrë shtetësinë shqiptare është ngritur si shqetësim në Komisionin Europian.

Eurodeputetja franceze, Dominique Bilde pyet Komisionin nëse ka ndërmend që të kërkojë shpjegime nga Shqipëria në lidhje me këtë çështje gjatë fazës së negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Komisioni thotë se po ndjek me vëmendje proceset e dhënies së shtetësisë për vende të treta nga ana e Shqipërisë, nisur nga fakti që shtetasit shqiptarë gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen. Por, Komisioni deklaron se nuk mund të komentojë mbi raste të veçanta.

“Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një prej prioriteteve kryesore të caktuara nga Bashkimi Europian për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Komisioni nuk komenton raste individuale për të cilat hetimet janë në vazhdim”, thuhet në deklaratën e KE.

Sipas OCCRP (Organized Crime and Corruption Reporting Project), në 2017 vëllezërit indianë Nitin dhe Chetankumar Sandesara u akuzuan nga India për ngritjen dhe drejtimin e një skeme gjigante mashtrimi financiar, ku përmes 340 kompanive fiktive kishin përvetësuar në mënyrë të paligjshme rreth 7 miliardë dollarë. Mes akuzave ndaj tyre ishte edhe pastrimi i parave në shumën e 700 milionëve.

OCCRP thotë se pavarësisht se ndaj tyre pati një urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol, ata arritën që të marrin në shkurt të 2018-s nënshtetësinë shqiptare. Në të paktën një rast, ekstradimi u refuzua. Vëllezërit përfituan azil edhe përmes një plani për të investuar 33 milionë dollarë në Shqipëri në ndërtim.

Në 2018, sipas OCCRP, u emërua konsull nderi i Shqipërisë në Nigeri, titull me bazën e të cilit u refuzua ekstradimi i tij edhe nga autoritetet nigeriane. Titulli iu dha me arsyetimin për lobimin për njohjen e Kosovës nga shteti afrikan.

Sipas Times of India, në atë kohë agjencitë ligjzbatuese të Indisë kanë nisur menjëherë kontaktet me Interpolin dhe autoritetet shqiptare për të nisur sa më parë procedurat e ekstradimit të Patel në Indi.

Patel ka qenë një nga drejtuesit më të lartë të kompanisë Sterling Biotech dhe sipas mediave indiane arkitekti që krijoi skemën gjigande të mashtrimit financiar.

Përmes kompanisë Sterling, Nitin dhe Chetankumar Sandesara kanë marrë 725 milionë deri në 1 miliardë dollarë amerikan kredi nga bankat shtetërore të Indisë, para të cilat i zhdukën përmes një rrjeti prej 300 kompanish offshore.

Autoritetet indiane dyshonin se vëllezërit Sandesara ishin arratisur në Nigeri, por prej shkurtit të 2018-s ata janë bërë shtetas shqiptarë dhe investorë në ndërtimin e pallateve në Tiranë dhe resorteve turistike në bregdetin e jugut të Shqipërisë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *