4 Dhjetor, 2022

‘Shtëpia e Lirisë’, koalicioni më i ndyrë në botë mes mafiozëve Berisha-Meta

 ‘Shtëpia e Lirisë’, koalicioni më i ndyrë në botë mes mafiozëve Berisha-Meta

Nga Fitim Zekthi

Lëvizja e drejtuar nga ish-kryetari i PD-së, Berisha ka hyrë ose ka ndërtuar një koalicion për zgjedhjet në gjashtë bashki me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë Demokristiane. Nga ndjekësit e z. Berisha, por edhe nga ata të LSI-së dhe të z. Ndoka kjo lëvizje po mbrohet si e natyrshme, si opozita e vërtetë, si ajo që do të ndryshojë Shqipërinë etj. Në krye duhet thënë se koalicione të tilla “të mëdha” janë parë shumë shpesh në botë. Kur thuhen të mëdha, do të thotë se bëhet fjalë për koalicione që përfshijnë të dyja anët e spektrit politik, të majtë dhe të djathtë.

Koalicione të tilla Austria ka pasur mbi 20 vetëm në vitet 1945-1960 dhe bëhet fjalë për koalicione të detyruara nga numrat elektoralë që pamundësonin një qeveri me vetëm një anë të spektrit. Koalicione të tilla Gjermania ka pasur dy vetëm me Kancelaren Merkel në dy dekadat e fundit dhe nja pesë të tjera të pas luftës. Katër qeveritë e fundit të Izraelit janë qeveri të mëdha me të dy spektrat pa llogaritur nja 6 të tjera që pas luftës. Po ashtu ka pasur Italia, Japonia etj., etj. Në përgjithësi, koalicionet e mëdha ku bëhen bashkë parti të spektrave të ndryshëm bëhen pas zgjedhjeve, siç është rasti i PD dhe LSI në vitin 2009 kur PD nuk kishte mandate për të ndërtuar një qeveri dhe hyri në koalicion me LSI.

Koalicionet e mëdha bëhen edhe në kohë lufte. Anglia, për shembull, në kohë lufte ka pasur qeveri me koalicione të mëdha thuajse gjithnjë. Rasti ynë i marrëveshjes mes lëvizjes së Berishës, asaj të LSI-së dhe partisë së Ndokës është krejt pa kuptim pasi bëhet një koalicion “i madh”, pra, me dy spektra para zgjedhjeve dhe për një gjë krejtësisht minore si zgjedhjet lokale për 6 bashki kur këshillat bashkiakë janë të zgjedhur. Pra, koalicionit “të madh” i mungon shkaku i madh për të ekzistuar.

Një koalicion i madh bëhet ose pas zgjedhjeve, ose në raste shumë-shumë, po vërtet shumë të rralla kur kemi përballë sfida gjigante zgjedhore, në të cilat shkruhet historia apo përcaktohet ajo. Një koalicion i madh është një sakrificë, një lëshim i madh që bëhet nga nevoja të mëdha politike. Asnjë parti nuk do të donte një koalicion jashtë spektrit. Pra, koalicionit tonë të madh së pari i mungon shkaku politik për të ekzistuar. Jemi duke marrë të mirëqenë faktin që lëvizja e z. Berisha është e djathtë, ndonëse ajo në stil, formë, gjuhë është bolshevike, përdor akuzat asgjësuese, është populiste, nuk ka vetëkufizim, nuk dallohet për vetëpërmbajtje, nuk ka asfare shenja përunjësie siç do të bënte një lëvizje konservatore etj.

Po e marrim gjithashtu LSI-në një parti të majtë. Në të vërtetë, LSI në propozime, sjellje dhe ide ka qenë shumë e majtë. LSI e ka shfaqur majtizmin e saj e thekur edhe në vlerësimin për njerëzit e partisë komuniste dhe për figurat e rëndësishme që vijnë nga komunizmi. PDK e z. Ndoka pa dyshim që nuk është me ngjyra komuniste, ka një sjellje dhe gjuhë liberale, ndonëse rrethanat e kanë shtyrë të shkojë sa në një kah në tjetrin. Pra, kemi një lëvizje si e Berishës, të quajtur të djathtë, një LSI të majtë dhe një PDK liberale në koalicionin tonë “të madh”. Nuk ka pasur kurrë koalicion të madh pa u përfshirë në të gjitha partitë e spektrit të partisë kryesore në koalicion.

Pra, në fillim partia drejtuese, në këtë rast partia e z. Berisha duhet të kishte marrë në koalicion partitë e z. Mediu, të z. Duka, të z. Idrizi, të z. Shehi dhe më pas të shkonte te LSI. LSI duhet të ishte e fundit. Kur Merkel bëri koalicion me socialdemokratët (SPD) e majtë, ajo së pari negocioi dhe ndërtoi koalicion me FDP-në, pra, me liberaldemokratët e djathtë. Kur Netanjahu bëri koalicion me Gantz të anës së majtë, ai së pari bëri koalicion me të gjitha partitë e djathta. Berluskoni, kur bëri koalicion me De Mikelis nga e majta, ai së pari kishte bërë koalicion me të gjitha partitë e djathta. Para dy muajsh, kur Kancelari Olaf Scholtz i SPD-së bëri koalicion me FDP e djathtë, ai së pari bëri koalicion me Die Linken e së majtës. Edhe kur Armin Laschet i CDU-së u mundua të bëjë qeveri para pak muajsh, ai së pari bëri koalicion me FDP e djathtë dhe më pas kërkoi mbështetjen nga Die Linke që nuk u arrit.

Pra, nuk ka koalicion të drejtë dhe të natyrshëm politik mes dy spektrave nëse ai nuk përmbyllet në fillim me partitë e spektrit të partisë drejtuese. Së treti, ai quhet Shtëpia e Lirisë në përpjekje për të gjetur një emër të bukur dhe gjithëpërfshirës dhe një emër të suksesshëm në historinë politike të botës, siç është rasti i koalicionit të ndërtuar nga Berlusconi dhe të tjerë në Itali në vitin 2001. Koalicioni Shtëpia e Lirisë i ndërtuar nga Berluskoni së pari plotëson kushtet e mëlartme të një koalicioni të tillë të madh, ndonëse e majta italiane ishte thuajse në bllok përballë me përjashtim të partisë së vogël të Xhani de Michelis.

Berlsukoni ndërtoi koalicion me të gjitha partitë e djathta nga cepi në cep i së djathtës. Ai kishte në të Aleancën Nacionale të Xhanfranko Finit, një parti tipike konservatore e së djathtës italiane, kishte kristiandemokratët e Pier Fernando Cazinit, një parti tipike e të djathtës demokristiane, kishte Bashkimin Kristiandemokratik të Roço Butiglione-s, një parti më e djathtë se të gjitha bashkë, kishte Legën e Veriut të Umberto Bosit që kuptohet ishte rajonaliste dhe shumë e djathtë, kishte republikanët e Girgoi La Malfa, që ishin më liberalë, Në fund mori edhe De Michelis që vinte nga e majta, por që ishte një parti që as nuk mori vota për të bërë një grup parlamentar. Pra, Shtëpia e Lirisë thirri në thelb të gjithë të djathtëte e Italisë të çdo nuance në një kohë kur Italia pas viteve 1990 u përball me kriza të mëdha pas zhdukjes së klasës politike 50-vjeçare dhe kur qeveritë e pas 1994 nuk kishin asnjë qëndrueshmëri.

Në këto kushte, Berluskoni ndërtoi këtë koalicion. Ky koalicion drejtohej nga njerëz që nuk kishin qenë kurrë në qeveri. As Fini, as Casini, as Buttiglione, as La Malfa, as Bosi, nuk kishin qenë kurrë në qeveri. Madje, nuk kishin qenë kurrë në qeveri as drejtuesit kryesorë të partive të tyre. Kishte qenë në qeveri vetëm Berlusconi i Forza Italia, i cili kishte dështuar për shkak të fragmentimit të thellë politik. Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” e Berishës, LSI dhe Ndokës, ka brenda ministra, presidentë, kryeministra, drejtorë të lartë të këtyre 31 viteve etj. Pra, kemi të bëjmë me një koalicion totalisht të pazakontë, jo politik, të panatyrshëm. Ky koalicion megjithatë është krejtësisht i natyrshëm pikërisht për shkak të kësaj panatyrshmërie. Ai nuk ka synime të fitojë bashkitë, nuk ka synime të qeverisë Shqipërinë më mirë, nuk ka synime të çojë përpara ide, po platforma politike.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *