24 Mars, 2023

Shqipërinë e dua, mbi çdo gjë në botë, ata që e shesin, quhen patriotë

 Shqipërinë e dua, mbi çdo gjë në botë, ata që e shesin, quhen patriotë

Nga Agron Duka

 

Jam një burrë i ndershëm,

Po jam kot së koti,

Këtu po të vjedhësh,

Quhesh burrë i zoti!

 

Kam goxha guxim,

Po s’jam trim vërtet,

Këtu po të vrasësh,

Quhesh trim me fletë!

 

Nuk di të gënjej,

Një zakon i hershëm,

Këtu po mashtrove,

Quhesh burrë i ndershëm!

 

Nga cepi në cep,

S’hidhem me vërtik,

Po ai që hidhet,

Quhet elastik!

 

Jam njeri besnik,

E liga s’më josh,

Sot quhesh besnik,

Po të jesh kodosh!

 

Kam goxha talent,

Unë për poezinë,

Po kjo s’llogaritet,

Kur nget qeverinë!

 

Rri vetëm në këmbë,

Urë s’bëhem kurrë,

Ai që zvarritet,

Këtu quhet burrë!

 

Adhuroj me shpirt,

Shqiponjat e malit,

Po sot të sfidojnë,

Zhabat e moçalit!

 

Unë jetoj me këngën,

E bilbil gjyzarit,

Po sot vlerësohet,

Zëri i gomarit!

 

Jam një burrë i ndershëm,

Po nuk vlej si ari,

Këtu vlen e shitet,

Për flori zuzari!

 

Gjithmonë më ka mbajtur,

Buka e hallallit,

Këtu s’vlen po s’dole,

Nga arka e djallit!

 

Shqipërinë e dua,

Mbi çdo gjë në botë,

Ata që e shesin,

Quhen patriotë

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *