27 Janar, 2023

Shqipëria tjetër, jo ajo e Bllokut në Tiranë: Të jetosh prej vitesh pa drita dhe vetëm me bukë me sheqer

 Shqipëria tjetër, jo ajo e Bllokut në Tiranë: Të jetosh prej vitesh pa drita dhe vetëm me bukë me sheqer

Pak bukë, ujë dhe pak sheqer, është ushqimi i përditshëm për Nikoll Lekën në fshatin Katund i Vjetër në Mirditë.

“Vuajtje më të madhe nuk ka. Asgjë tjetër nuk kam. Kaq është jeta ime”, thotë ai.

I vetmuar dhe i sëmurë, 50-vjeçari nuk punon askund. Atë pak ushqim për të mbajtur frymën gjallë ia sjellin të afërmit, ose ndonjë banor i fshatit. Kulla e vjetër dykatëshe është amortizuar plotësisht dhe rrezikon shembjen.

Ka vite që Nikolla jeton në errësirë për shkak se kur nuk ka të sigurojë ushqimin, nuk ka as të paguajë faturat e energjisë.

“Që në kohën e demokracisë nuk kam drita. Jam pa televizor, pa drita. Të gjithë janë me internete, unë nuk kam drita. Është vuajtje e mjerim. Nuk mund ta përshkruaj situatën e vështirë në të cilën ndodhem.

Të jesh në vitin 2022 në këtë gjendje, është një tmerr i vërtete. Nuk jam i aftë për pune, se do kisha punuar. Për shkak të mjerimit, më ka braktisur dhe gruaja me vajzat, të cilat kanë shkuar në Tiranë”, thotë Nikolla.

Edhe pse i sëmurë, jo pak herë burri ka trokitur dyerve të pushtetit vendor. Por zgjidhje nuk ka gjetur dhe madje është përzënë.

“Jam ankuar në Njësinë Administrative të Rubikut, tek administratorja Flora Jushi, por nuk më ka dhënë zgjidhje, duke më thënë shko gjeje te gazetarët. Të njëjtën sjellje kam gjetur edhe në Bashkinë Mirditë, apo institucione të tjera ku unë jam ankuar. Nuk e kuptoj çfarë shteti kemi që më ka lanë në këtë gjendje.

Kulla ima gati po shembet se është dëmtuar nga tërmeti dhe asnjë qindarkë nuk ma kanë dhënë për dëmet. Ndërsa të tjerëve pa pasur asnjë dëmtim këtu në Rubik, iu kanë dhënë para.

Këtu është një korrupsion i gjallë dhe përfiton vetëm ai që paguan paratë ose është i partisë së tyre. Mua më kanë lënë në mes të katër rrugëve, duke mos më ndihmuar aspak. Jam në gjendje shumë të vështirë dhe kërkoj nga ana shtetit të më ndihmojë”, thotë Nikoll Leka.

Apeli i të vëllait

Vëllai i Nikollës qan. Ai e di që njeriut të tij i duhet jo vetëm ushqim, por edhe mjekim. Vetë nuk mundet t’i afrojë më tepër se pak bukë.

Por Nikolla herë pas here i shkon te porta dhe vajton për gjendjen në të cilën ndodhet.

”Jam Ndue Leka, vëllai i Nikollës. Nuk e kuptoj si jeton një njeri në gjendje të tillë. Është me të meta mendore. Unë nuk kam mundësi ta vizitoj, sepse jam vetë i shtati dhe nuk kam lekë. Nga gjendja nuk mundet që të punojë. Kur mbetet fare pa gjë, vjen dhe qan tek unë. Jam i detyruar t’i çoj një thes milli.

Deri këtu ka shkuar gjendja. Ka nevojë të vizitohet. Nëse është e mundur me i lidh KEMP. Në atë gjendje që është, atij mund t’i bie një epidemi”, tha vëllai i Nikoll Lekës.

Rasti i këtij burri të sëmurë dhe të vetmuar mund të konsiderohet pa frikë një dramë e vërtetë njerëzore, që kërkon vëmendjen e institucioneve shtetërore dhe sensibilizimin e të gjithë shoqërisë, për t’i ardhur në ndihmë dhe për ta ndryshuar këtë realitet të hidhur.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *