2 Shkurt, 2023

Shpërthen drejtuesi i ish-të përndjekurve: Kush ka dinjitet nuk ndjek Berishën, ne jemi me SHBA, jo me Sali komunistin

 Shpërthen drejtuesi i ish-të përndjekurve: Kush ka dinjitet nuk ndjek Berishën, ne jemi me SHBA, jo me Sali komunistin

Nga Nebil Çika*

Situata në PD vazhdon të jetë e nderë dhe përplasja e brendshme prevalon mbi përpjekjet e grupime për të bërë opozitës sipas mënyrës dhe qëllimeve të tyre. Protesta e 7 korrikut e thirrur nga Berisha e ka theksuar edhe më shumë situatën anormale dhe në veçanti ka nxjerrë në pah paqartësinë politike, por edhe karakterin personal të shumë prej deputeteve të saj.

Pjesa e deputetëve që nuk e njeh Berishën për kryetar dhe e konsideron “pushtim” kapjen e selisë prej tij, që janë edhe shumica, nuk duket e gjitha e qartë në qëndrimet ndaj  e saj.

Të vënë mes dy zjarresh, problemit të madh të Berishës me SHBA dhe interesave e karrierës politike, një pjesë e tyre po sillen si “peshku pa ujë”, pa mundur dot një qëndrim politik të qartë. Tani ka dy  opsione në dispozicion të tyre, ose të pranojnë versionin amerikan të “non grata” që e përcakton Berishën si “të korruptuar, minues të demokracisë dhe kercënim për sigurinë e SHBA” dhe të distancohen nga ai dhe çdo iniciativë e aktivitet politik i tij, ose të pranojnë versionin e Berishës se “lufta e SHBA me të është e padrejtë dhe e stisur nga Rama e Soros dhe që ambasadorja Kim dhe DASH janë palë apo në shërbim të qeverisë” dhe të distancohen qartë nga qëndrimi i SHBA-ve, duke mos marrë pjesë në asnjë aktivitet apo iniciativë të tyre në Shqipëri dhe SHBA.

Një pjesë e këtyre deputeteve pro apo kundër Berishës me veprimet dhe aktet e tyre politike kanë zgjedhur të mbajnë “njërën dorë në revani dhe tjetrën në bakllava”, duke dëshmuar jo vetëm paqartësi politike, por edhe mungese karakteri personal.

Të paktë janë ato gra e burra, në të dy krahët, që e kanë ndarë mendjen me kë do jenë, pavarësisht kostos politike personale që mund t’iu vijë prej këtyre qëndrimeve, gjë që i bën ata më dinjitoz në opinionin publik.

Kjo situatë sigurisht që shqetëson edhe Berishën, i cili e di se ajo që po bën nuk ka asnjë siguri të mbijetojë në kushtet ku ai ndodhet.

Meqë imponimi i sforcuar i një realiteti politik, me demonstrim të forcës, është kali i tij në betejën me SHBA, atij i duhet të dijë, por edhe të demonstrojë publikisht se sa “salmonë” nga deputetët e PD janë të gatshëm të bashkohen me të në këtë udhëtim “kundër rymës”. Për këtë ai bën një diversion dhe dihet që ai është një mjeshtër i diversionit. dhe makiavelizmit politik.

Thërret një protestë, jo për të përmbysur qeverinë siç deklaron vazhdimisht, por për të provokuar një demonstrim force, një matje publike të raportit me autoritetin e tij në PD, për llogari të opinionit publik shqiptar dhe veçanërisht, atij  ndërkombëtar.

Një përballje të drejpërdrejtë, tani në rrugë me SHBA, por edhe me kondërshtarët e tij në PD.

Të gjithë e dinë që kjo protestë nuk ka lidhje me qeverinë, as me gjendjen e rënduar të Shqipërisë në të gjitha drejtimet, por me interesa të drejtpërdrejta të Berishës dhe klanit të tij në PD.

Për Berishën nuk ka rëndësi se sa njerëz të thjeshtë do të jenë në protestë e çfarë efektesh do të ketë ajo për shqiptarët dhe hallet tona të medha.

Berisha do të numërojë sa deputetë të PD do t’i shkojnë pas dhe si në zgjedhjet e pjesëshme lokale do ta përdorë këtë si “provë” të sundimit të tij në PD dhe si fitore ndaj armiqve të tijë amerikanë.

Për këtë ai bën publike një listë  me “grupe punë për protestën” në të cilët fut deputetë që deri tani nuk e kanë njohur lëvizjen dhe autoritetin e tij në PD.

Ky veprim i Berishës synon të çertifikojë si “të tijët”, deputetët që mund të marrin pjesë në protestë edhe për arsye e motive të tjera, duke mos u lënë atyre asnjë mundësi distancimi politik nesër.

Mendoj se përtej qëllimeve politike e personale, Berisha ka bërë një veprim të zgjuar, efektet e të cilit kanë edhe anën e tij pozitive. Opinioni publik, militantët e PD dhe  përfaqësuesit e SHBA do të kenë mundësinë të shohin qartë dhe përfundimisht se si janë të ndarë palët në PD dhe Grupin Parlamentar të saj.

Tani nuk ka më justifikim, kush merr pjesë në protestën e Berishës është me të.

Argumenti që “ne marrim pjesë në çdo protestë”, që kam dëgjuar nga disa deputetë, është një justifikim vulgar.

Një njeri normal merr pjesë në një proteste që ka të bejë me interesat e tij, të publikut apo atdheut, pra pjesëmarrja varet nga qëllimi e objektivi që ka një protestë.

Po sikur komunistët të organizojnë një protestë kundër  qeverisë, a do të marrin pjesë në të këta “dashnorët e protestave”, deputetë të PD?!

Të gjithë e dinë që protesta e Berishës është më shumë anti-amerikane se sa anti-qeveritare.

Ai vet akuzon  ambasadoren e SHBA si “guvernatore” që do të thotë se ajo e drejton në vertetë qeverinë Rama, kundër të cilës ai ka thirrur këtë protestë.

Kjo që thotë Berisha për znj. Kim, besohet verbërisht nga përkrahësit e tij që pritet të jenë edhe pjesë kryesore e protestës.

Të gjithë i kemi parë shpërthimet anti-amerikane në foltoret dhe aktivitetet e tjera të Berishës.

Po sikur edhe në protestën e Berishës të ketë thirrje e akte të tjera të kësaj natyre, si do të justifikojnë pjesëmarrjen në të deputetet “dashnorë” të protestave?!

Të jeni të sigurtë që gjithë anti-amerikanët do të jenë në atë protestë, se të gjithë e dinë që në thelb, protestë anti-amerikane është!

Mendoj që një pjesë deputeteve e kanë marrë lehtë këtë gjë pasi nuk arrijnë dot të mendojnë qartë politikisht dhe kanë interesa personale afatshkurtra, një pjesë janë të kapur nga Berisha dhe përdorin protestën si justifikim për t’u afruar me të, të tjerë të frustruar nga akuzat e Berishës se “po bashkëpunojnë me qeverinë” u duket se do të shpëtojnë nga to, po morën pjesë në protestë.

Gjithsesi kjo protestë, siç thashë më lartë, ka edhe anën e sajë pozitive, se pritet përfundimisht të ndajë “shapin nga sheqeri”, si një mundësi që para shqiptarëve dhe miqve ndërkombëtarë, deputetët e PD të demostrojnë jo vetem qartësinë politike, por edhe moralin e karakterin personal të tyre.

Nga ky qëndrim i tyre pritet të shohim në se kemi të bëjmë vërtetë me gra e burra me dinjitetin e nevojshëm për të  merituar votën tonë, apo me një “stan me lepuj”,  siç i cilësonte ai gardisti i Berishës nga Fani i Mirditës, në foltoren e Lezhës?!

*Drejtues i ish-të përndjekurve politikë

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *