28 Janar, 2023

Shërbimet inteligjente britanike kanë bllokuar pasuri marramendëse të Ilir Metës në Londër?

 Shërbimet inteligjente britanike kanë bllokuar pasuri marramendëse të Ilir Metës në Londër?

Çifti Meta-Kryemadhi renditet mes politikanëve me pasuri sheikësh. Nëse bëjmë një veting si ai i drejtësisë, presidenti gjithë jetën ka pasur vetëm rrogën e tij dhe të bashkëshortes, por ka në pronësi vila, apartamente, për të mos harruar shpenzimet mijëra paund çdo vit për shkollimin e fëmijëve në Londër.

Jo vetëm kaq, skandalet nuk kanë fund për familjen e sheikëve në Shqipëri, pasi pasuria e tyre marramendëse mesa duket është shpërndarë dhe tek anëtarët e tjerë të familjes. Disa dokumente publikohen për herë të parë dhe ngrenë dyshime të forta për një tjetër skemë korrupsioni dhe përfitimi të paligjshëm nga Drini Kryemadhi, vëllai i Monika Kryemadhit, kunati i Ilir Metës, për të cilin dyshohet se së fundmi i janë zbuluar dhe aferat me lobime jashtë vendit me para të padeklaruara.

Skandali këtë herë qëndron, në raport me kompaninë koncesionare SGS të kolaudimit të automjeteve, ku vëllai i Monikës, inxhinieri Drini Kryemadhi ishte me pagë tek SGS më të lartë se sa CEO i kompanisë dhe disa fish më të lartë se sa inxhinierët e tjerë. Dyshime të forta janë se gjatë 7 viteve ai shkoi vetëm disa herë në punë.

Si qëndron e vërteta e pasurisë së kunatit të Ilir Metës?

Drini Kryemadhi ka nisur punë pranë SGS-së në fund të 2013-s dhe deri në 2020 është paguar me rreth 4 mln lek të vjetra rrogë mujore. Përveç kësaj, në largim në 2020 merr edhe një bonus prej 30 mln lekësh, megjithëse pozicioni ishte thjesht inxhinier mekanik. Përveç emrit në borderotë e kompanisë dhe të mbiemrit të të motrës deputete e më pas kryetare të LSI-së, Drini Kryemadhin askush nuk e ka parë në punë.

Megjithatë, në total Drini Kryemadhi ka marrë pa u paraqitur thuajse fare në punë, nga koncesionari SGS që kontrollohej nga Ministria e Transporteve (LSI pas 2013-s) plot 36,044,594 lek të reja për periudhën nëntor 2013-dhjetor 2020! Pra, për 7 ditë punë në 7 vite punësim, vëllai i Monika Kryemadhit ka marrë 360 mln lek të vjetra, ose rreth 52 mln lek të vjetra në ditë. Kësaj shifre i shtohet edhe bonusi 30 mln lekësh kur u largua. SGS-së i interesonte ky punësim, pasi me rrogën e Drinit kishte hequr qafe kontrollet nga Ministria e Transporteve, ku zv.ministër në atë kohë ishte Edmond Haxhinasto.

Të gjithë fitonin. Kompania shkelte kontratën, nuk kryente investimet e parashikuara dhe ishte kthyer në çerdhe korrupsioni, ku automjetet kalonin kontrollin teknik me 20 mijë lek nën dorë. Fitonte gjithashtu edhe Drini Kryemadhi dhe të vetmit që humbisnin ishin shqiptarët, që mbajtën në kurriz një koncesion të dyshimte për një dekadë.

Pushtetarët shqiptarë nuk mund ti fshihen përgjithmonë drejtësisë. Edhe pse ata vazhdojnë të përdorin metoda nga më të ndryshme për të justifikuar pasuritë e tyre marramendëse, siç shpjeguam dhe rastin e mësipërm, atë të kunatit të Ilir Metës. Struktura e Posaçme Antikorrupsion pritet që të shkundë nga themelet kalanë e korrupsionit në Shqipëri.

Nëse bëjmë një analizë të situatës, në deklarimin që Meta e Kryemadhi kanë bërë pranë ILDKP, bie në sy se kanë disa llogari edhe fëmijët e tyre, shumica të hapura për qëllime studimi. Vetëm në vitet e fundit është deklaruar se janë shpenzuar 140 mijë paund për shkollimin e tyre në Londër. Ky destinacion mbetet i preferuar për familjen e Kryemadhit, pasi edhe vëllai i saj, Drini ndodhet sa mes Tiranës edhe Anglisë.

Lëvizje të cilat ngrenë shumë pikëpyetje, pasi gazeta raportoi pak ditë më parë, se nga Londra, do të dalë emri i një politikani shumë të njohur në Shqipëri, të cilit i kanë piketuar pasuri marramendëse, e së shpejti do të bllokohen dhe do të zbardhen të gjitha gjurmët e tij në paratë e krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Zyrtarët e lartë në Shqipëri janë përpjekur të tregohen të zgjuar duke pastruar para nëpërmjet personave të tjerë të rrethit të tyre familjar, por britanikëve nuk do të mund t’ua hedhin dot, pasi politikani shqiptar është kapur “mat” duke përdorur skemën e sipërpërmendur, duke përdorur njerëzit e tij më të ngushtë për t’ju fshehur drejtësisë.

Investimet e tij në Londër, kanë rënë në sy dhe në kuadër të hetimeve të thelluara në ditët në vijim, pritet që të gjithë pasurinë prej 400 milonë paundësh t’ia vënë nën sekuestro. Si përfundim, a është presidenti Meta, politikani që shërbimet inteligjence britanike i kanë bllokuar pasuri marramendëse në Londër?

Mbetet të shihet se çfarë do të zbulojnë institucionet e huaja pasi, edhe pse shumë pushtetarë shqiptarë janë zhytur në korrupsion dhe të gjithë ia kanë hedhur paq, shpresat janë se diçka do ndryshojë përmes SPAK dhe BKH, të cilët po bashkëpunojnë ngushtë edhe me institucionet ndërkombëtare.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *