3 Dhjetor, 2023

SHBA nuk është armike e shqiptarëve, por e Sali Berishës dhe familjes së tij

 SHBA nuk është armike e shqiptarëve, por e Sali Berishës dhe familjes së tij

Nga Ergys Mërtiri 

Të kompleksuar nga situata ku ndodhen, Berisha dhe të vetët nuk lenë rast pa thënë se, jo vetëm që nuk janë antiamerikanë, por ata janë proamerikanët më të flaktë në Shqipëri. Ata thonë se problemin nuk e kanë me SHBA-të, por me segmente politike brenda saj, të përfaqësuara nga e majta, e ndikuar kjo nga lobues si George Soros. Pra, nuk është Amerika kundër tyre, por Soros-i dhe Biden-i.

Sigurisht që ky është arsyetim manipulativ. Çdo të thotë të jesh antiamerikan? A mos, do të thotë të jesh kundër popullit apo kulturës amerikane? Kjo nuk ka kuptim. Antiamerikanizmi ka kuptim në aspektin politik, dhe jo kulturor apo racor. Antiamerikanizmi qendron si pozicion antagonist ndaj politikës amerikane të rërësi.

Sigurisht, as Berisha e as ndjekësit e tij nuk janë antiamerikanë në vetvete. Në këto 30 vite politika e tij ka qenë tërësisht pragmatiste dhe pa ndonjë parim, në emër të të cilit ai të ketë qasje pro apo kundër politikës amerikane. Berisha ka pasur patjetër momentet e tij të flirtit si dhe ato të përplasjeve me amerikanët, në varësi të situatës ku është ndodhur e interesave të tij. Kjo nuk e bën atë as antiamerikan dhe as proamerikanin më të madh, siç vetëshpallet. Ama, është e dukshme tashmë se qendrimet e tij dhe atyre që e mbështesin po shtyjnë drejt një frymë urrejtjeje ndaj politikës amerikane dhe përfaqësuesve të saj, çfarë natyrisht dëmton opozitën shqiptare dhe jo Amerikën apo amerikanët.

Jo vetëm fyerjet ndaj përfaqësuesve politikë të SHBA-ve, që nga personalitetet më të larta të shtetit e deri tek përfaqësuesit diplomatikë në vend, por edhe gjuha e përdorur ndaj politikave të tyre po shtyjnë drejt antiamerikanizmit. Kjo prirje shkon deri aty sa mediat e kontrolluara drejtpërdrejt nga z. Berisha, u gëzuan nga tërheqja e trupit diplomatik në Ukrainë duke e paraqitur këtë lajm me tituj ekzaltues si: “SHBA braktis Ukrainën”, – përmes të cilëve foltorja kërkon t’iu tregojë ndjekësve të saj se Amerika është e pabesë dhe nuk e ka për gjë të të lërë në baltë.

Por, kjo është pak. Vetë aksioni politik i z. Berisha po shkon pashmangshëm drejt kësaj linje. Fabula e tij na rrëfen një SHBA të kapur nga organizata lobimi kriminale, të cilat po destabilizojnë rajonin e Ballkanit dhe po shkatërrojnë demokracitë në këto vende. Ai po thotë se shpallja e tij non grata u bë për të shkatërruar opozitën dhe lëvizja e tij po bëhet për t’i rikthyer vendit demokracinë që ia vranë amerikanët në bashkëpunim me Edi Ramën dhe Lulzim Bashën. Pra, sipas z. Berisha, Amerika po kthehet nga mbrojtësi më i madh në botë i lirisë dhe demokracisë, në armikun e këtyre vlerave.

Natyrisht, ai nuk e thotë këtë dhe aq drejtpërdrejtë, por përpiqet ta mbuloje duke ia faturuar problemi lobuesve. Ai thotë se është Sorosi që po e përdor shtetin amerikan për këtë, nëpërmjet kontrollit të tij politik mbi shtetin. Por sidoqoftë kjo e përfshin SHBA-në në krim, pasi Soros-i po e bën gjithçka me duart e shtetit amerikan. Rrjedhimisht, SHBA-të dalin armiq të demokracisë dhe për pasojë, edhe të shqiptarëve. Dashur pa dashur, logjika do të shpjerë këtu.

Sigurisht që të jesh kritik ndaj politikës amerikane nuk ka përse të jetë një problem në vetvete. Autori i këtyre rradhëve ka qenë vetë shumë kritik në shumë raste me qendrimet e tyre në Shqipëri. Por, tjetër është kritika apo fajësimi i të huajve mbi probleme të caktuara dhe tjetër është rreshtimi si kundërshtar ndaj tyre. Mbi të gjitha, ky është një problem i madh kur ndodh për arsye krejtësisht joparimore, për shkak interesash apo problemesh personale. Ndër të tjera, tjetër gjë është të jesh kritik ndaj Ambasadës Amerikane, nga pozicioni i një komentuesi të politikës, dhe tjetër gjë të jesh kundërshtar i saj, si përfaqësues i një organizate politike.

Mbi të gjitha, duhet thënë se, një PD antiamerikane nuk dëmton aspak as SHBA-të e as politikën amerikane. Të dëmtuarit këtu janë, pikë së pari vetë PD-ja dhe opozita, e cila humbet një përkrahje të rëndësishme, pa të cilën nuk ka asnjë shans qe ajo të rrëzojë një qeveri që ka kapur shtetin si kjo, por, mbi të gjitha, të humbur janë shqiptarët, që do detyrohen të mbajnë mbi shpinë një pushtet si ky, i cili, me shkatërrimin e opozitës do të priret të bëhet edhe më i keq, edhe më i korruptuar dhe edhe më tiranik.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *