30 Nëntor, 2022

SHBA do të marrë përpara Berishën dhe gjithë të keqen e Shqipërisë

 SHBA do të marrë përpara Berishën dhe gjithë të keqen e Shqipërisë

Nga Preç Zogaj

Lëvizja e Sali Berishës për shkarkimin e Lulzim Bashës kishte si motiv kryesor në pikënisje shkeljen e statutit të Partisë Demokratike nga ky i fundit. Në vend që ta votonte në kryesinë e partisë apo në Këshillin Kombëtar pezullimin e Berishës nga Grupi Parlamentar, Basha e mori përsipër vetë. Kjo ishte shkelja që u kryqëzua nga foltorja në foltore, pavarësisht se siç u pa qartë më vonë Basha i kishte pasur numrat, qoftë në kryesi, qoftë në Këshillin Kombëtar nëse do të kishte dashur të fshihej e t’i jepte një veshje me votë vendimit të tij.

Për koherencë të motivit nga u nis e vazhdoi, Kuvendi -miting i datës 11 dhjetor në stadium duhej të votonte anulimin e vendimit të Bashës. Berisha e shmangu, duke fryrë e instrumentalizuar për qëllimet e tij një motiv tjetër, humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit, për të cilën anëtarësia e PD-së ishte shprehur me votë të fshehtë gjatë verës në një garë me katër kandidatë. E shmangu sepse ashtu si Basha nuk dëshironte të hidhte në votim të drejtpërdrejtë një vendim të qeverisë amerikane?

Ndoshta. Por ka edhe një shpjegim tjetër, sipas meje. Është përpjekja e tij për ta orientuar e paraqitur foltoren si një gjë që ka të bëjë me problemet thjeshtësisht të brendshme të PD-së, pa kontekst ndërkombëtar, jashtë kontekstit ndërkombëtar. Në sintoni me të, platformat mediatike që mbështesin kthimin e tij në krye të PD-së, apo shqyerjen e PD-së, i kanë mëshuar me forcë izolimit të krizës së PD-së nga vendimi i Departamentit Amerikan për shpalljen non grata të Berishës. Qëllimi i këtij të fundit ka qenë dhe është të tërheqë pas vetes sa më shumë anëtarë dhe militantë të thjeshtë, duke konsideruar se frustrimet e tyre në opozitë, hallet dhe problemet reale që kanë, janë horizonti i tyre i vetëm në gjykimin e zhvillimeve politike.

Në këtë mënyrë ka menduar të rrisë masën njerëzorë prapa tij apo njollën njerëzore në tribunë, ku kamerat ndalohen të identifikojnë fytyra. I duhej kjo për të çuar përpara lëvizjen hakmarrëse ndaj Lulzim Bashës dhe, përtej Bashës, për aq sa është e mundur, lëvizjen e kthimit të restos ndaj SHBA-së. Kur i është dashur të thotë diçka për shpalljen non grata, Berisha nuk e ka pasur e nuk e ka për gjë ta trajtojë fuqinë më të madhe të botës si një copëz Shqipërie si kjo e korruptuara deri në palcë, ku oligarkët dhe sipërmarrësit e oborreve qeveritare iu mbajnë dorën, blejnë dhe orientojnë vendimmarrjen e kryeministrave.

Nuk e ka pasur për gjë të ngatërrohet në një xhungël shpjegimesh kundërthënëse si ajo që më kanë dënuar për shkak të mbrojtjes së Kosovës, e tjerë e të tjerë. Gjersa vjen momenti kulmor i zhbalancimit kur u drejtohet SHBA-ve t’i heqin “non grata”-n, përndryshe do të marrë pushtetin. Me këtë rast, ndjekësit e tij duhet të kuptojnë se kur nuk ishte non grata, nuk paska dashur ta marrë! Dhe duhet të zgjedhin tani mes heqjes “non grata” dhe marrjes së pushtetit. O njërën, o tjetrën!

Dua të përsëris se ndërsa mund e duhej të kishte zgjedhur të mbështeste rinisjen e PD-së drejt suksesit pa gjylet e dualizmit nëpër këmbë, pa gurin e pengesës amerikane në rrugë dhe pa gogolët elektoralë që ka përdorur Edi Rama në fushatat e tij, Sali Berisha ka të drejtën e tij të mbrojë veten dhe të kërkojë të çlirohet nga non grata. Por përfshirja e një pjesë të PD-së apo edhe e gjithë PD-së në këtë përpjekje nuk i sjell asnjë dobi atij. Ndërkohë që vetëm e dëmton PD-në. Nuk ka e nuk do të ketë kurrë një shumicë në Shqipëri që do të votonte një parti të drejtuar drejtpërsëdrejti apo përmes një tjetri që të jetë i padëshirueshëm nga SHBA.

Gjithë çfarë po ndodh në PD, në Shqipëri dhe në rajon, sa u takon shpalljeve non grata nga SHBA, ka një kontekst ndërkombëtar. Kush e injoron këtë kontekst, thjesht është duke u përpjekur të manipulojë me injorancën apo duke futur kokën në rërë si struci. Së paku për një gjë duhet të jemi në një mendje: nuk ka hapje të vërtetë me mendje të mbyllura. Nuk mund t’i shkëpusim zhvillimet e brendshme nga zhvillimet e jashtme që lidhen direkt apo tërthorazi me fatet tona.

Edhe para shekullit të njëzet, të parët tanë mes maleve, pa asnjë komunikim me botën, e shihnin fatin e tyre të lidhur me lojën e fuqive të mëdha. E jo më sot. Vetë sovraniteti ynë nuk është në kontradiktë me integrimin euroatlantik dhe europian, por thjesht merr një kuptim të ri, të vërtetë e frytdhënës në familjen e madhe.

Zhvillimet shqiptare të kësaj kohe, që do të përshpejtohen e shtohen në vijimësi, kanë lidhje të drejtpërdrejtë me angazhimin e palëkundur të SHBA, por edhe BE-së për të luftuar pandëshkueshmërinë në sferat e larta në Shqipëri, si një dukuri jo vetëm antidemokratike dhe rrënuese për mirëqenien e qytetarëve, por edhe antikombëtare e antieuroatllantiste. Kanë lidhje me vendosjen e luftës kundër korrupsionit si përparësi e politikës së jashtme të Presidentit Biden dhe SHBAve. Antikorrupsioni është në këtë kontekst shpëtimi i demokracisë. Këto nuk janë fjalë, janë akte, që do të vijnë duke u shtuar. Akte që mbështeten financiarisht nga qeveria amerikane.

Për arsye të njohura, që nuk është rasti të trajtohen në këtë shkrim, demokracia ka hyrë në krizë gjatë viteve të fundit. Aq sa filloi të dukej gati-gati si një fjalë e keqe, ndërsa po zgjoheshin e po konsolidoheshin regjimet autokratike dhe iliberale, elitat e korruptuara me maska demokratike, liderit populistë me maska sovraniste-nacionaliste. Të gjithë në një varkë për të minuar e arkivuar demokracinë.

Tranzicioni shqiptar i tejzgjatur paraqet ndoshta fotografinë me të plotë e më origjinale të këtij regresi. Prishja e zgjedhjeve, ngritja e korrupsionit të lartë në sistem nga një qeveri në tjetrën dhe vendosja e pandëshkueshmërisë ku ligji nuk shkel dot në sferat e larta, janë tri rekorde që tregojnë natyrën e sundimit autarkik shqiptar ku në vend të një autokrati kemi një stafetë autoktatësh që bëjnë teatrin demokracisë. Edhe një herë elitat politike të tranzicionit nuk zhgënjyen në zakonin e paraardhësve të tyre për të përqafuar variantin me të keq të një sistemi të caktuar. Komunizmin stalinist dje, demokracinë hibride sot. E gjithë kjo, në funksion të pushtetit dhe pasurimit të tyre.

Kjo lojë fatkeqe për përparimin e Shqipërisë është kapur në thellësi nga partnerët amerikanë. Mendimi politik amerikan i ra pikës duke konkluduar se korrupsioni e nxjerr e kalb dhe e shkatërron demokracinë, duke krijuar kasta autokratike të rrezikshme. Dobësimi i demokracisë dobëson në perspektivë vetë fuqinë e SHBA si vend lider në botë. Këtu edhe nisma historike e Presidentit të SHBA, Joe Biden, për të krijuar aleancën botërore për demokracinë, për të ndaluar shkuarjen e trendeve të saj në drejtimin e gabuar, për ringritjen, rindërtimin dhe rikthimin e saj në piedestalin e vlerës më të madhe të njerëzimit.

Këtu edhe urdhri i tij ekzekutiv i Presidentit për korrupsionin në Shqipëri, duke e përmendur me emër vendin tonë. Këtu edhe riaktivizimi fuqishëm i instrumentit non grata nga Departamenti i Shtetit dhe bllokimin e pasurive të paligjshme nga Departamenti i Thesarit. Këtu mbështetja për veprim që partnerët amerikanë dhe europianë po u japin organeve të drejtësisë.

Kjo dallgë sapo ka nisur të ngrihet dhe do të marrë përpara të keqen e Shqipërisë. Nuk ka një forcë tjetër veç SHBA ta udhëheqë këtë betejë historike. Kjo nuk pamundëson përpjekjet vetjake të personave të prekur për mbrojtje e pafajësi. Ligji i ka zgjidhur të gjitha. Por ka një të vërtetë mbi të vërtetat: Populli shqiptar ishte penguar me dhunë e lloj-lloj marifetesh për t’u çliruar me votë e me vullnet të lirë nga kasta e të paprekshmëve. Është marrësi të mendohet se publiku do t’i bëhet pengesë shansit të vet duke u rreshtuar në kahun e zhvlerësimit të instrumentit non grata apo trembjes së drejtësisë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *