5 Dhjetor, 2022

Sekreti dhe letra, denoncimi i ish-ministrit lidhur me planin e eliminimit të tij?

 Sekreti dhe letra, denoncimi i ish-ministrit lidhur me planin e eliminimit të tij?

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të gjeneral-major Panajot Plakut me origjinë nga fshati Hoçisht i Devollit të Korçës, i cili pasi u diplomua në shkollën “Normale” të Elbasanit në vitin 1936, u kthye në qytetin e Korçës ku u lidh me grupet komuniste dhe në periudhën e pushtimit të vendit 1939-1944, ai u angazhua në Lëvizjen Antifashiste dhe për aktivitetin e tij u arrestua e u burgos nga autoritetet italiane në qytetin e Durrësit e pasi u lirua, doli në radhët partizane, duke u emëruar si zëvendës komisar i Brigadës së Parë Sulmuese të komanduar nga Mehmet Shehu, që me formimin e saj në gushtin e vitit 1943, në fshatin Vidhkuq të Korçës. Si i ngjiti shkallët e karrierës ushtarake Panajot Plaku pas mbarimit të Luftës, duke filluar nga komisar dhe komandant Divizioni në rrethin e Korçës, komandant Korpusi, Drejtor i Drejtorisë Operative dhe zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore me gradën e gjeneral-major, zv/ ministër i Mbrojtjes Popullore për Drejtorinë e Kufirit, e deri tek posti i ministrit pa Portofol në qeverinë që kryesohej nga Mehmet Shehu? Si mundi të arratisej nga Panajot Plaku nga Shqipëria në qershorin e vitit 1957 (kur mbante funksionin e ministrit pa portofol dhe Kryetarit të Komitetit Shtetëror për Gjeologjinë) duke kaluar fshehurazi kufirin shtetëror në afërsi të liqenit të Pogradecit dhe të dilte në Jugosllavi, ku u vendos në Beograd si azilant politik dhe i dërgoi një letër udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik,

Nikita Hrushov, duke denoncuar të gjitha krimet e Enver Hoxhës dhe regjimit të tij?! Misteri i vdekjes së Panajot Plakut në vitin 1966 në hotelin ku banonte në Beograd dhe çfarë shkruante ai në kujtimet e tij për Enver Hoxhën e udhëheqjen e lartë të PPSH-së, të cilat i përmblodhi për t’i botuar në një libër me titull “Dhuna mbi revolucionin në Shqipëri”, dhe pas vdekjes së tij ai u përkthye edhe në gjuhën serbo-kroate (nga Predrag Vuqiviq, redaktor i gazetës “Borba” dhe Vela Popoviq, redaktor i Televizionit të Beogradit), libër që pati një jehonë të madhe dhe u botua më pas nga Shtëpia Botuese “Rilindja” e Prishtinës në gjuhën shqipe në vitin 1985.

Ndjekja e Panajot Plakut nga Sigurimi i Shtetit!

Ndjekja e Panajaot Plakut nga ana e Sigurimit të Shtetit kishte filluar që kur ai ishte ushtarak me gradën e gjeneral-majorit dhe pikërisht në atë kohë atij nuk i’u lejua që të merrte si shoqërues një djalë të ri me origjinë nga Devolli i rrethit të Korçës, të cilin ai e kishte njeri shumë të besuar, por shoqëruesin e tij i’a caktuan ata të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit pranë organeve të ministrisë së Punëve të Brendshme. Sipas detyrës që kishte marrë shoqëruesi i tij nga ana e Sigurimit të Shtetit, ai nuk i largohej për asnjë çast Panajotit, edhe kur ai shkonte te njerëzit e familjes së tij në fshatin Hoçisht të rrethit të Korçës në zonën e Devollit.

Lidhur me këtë, familjarët e tij në mes të tjerash dëshmojnë: “Na kujtohet një rast kur Panajoti shkoi për vizitë tek një kushërira jonë në Tiranë dhe aty shoqëruesi i tij kërkoi që t’ja bënte kafen ai! Po kushërira jonë nuk e la, duke i thënë se: ‘Nuk mund ta duash ti Panajotin më shumë se ne’! Pas vdekjes së Kalos, Panajoti e ndjente vetën gjithnjë e më të kërcënuar dhe nisur nga ajo situatë ku ndodhej, ai nuk pranoi që t’i gatuante kuzhinieri që i kishin caktuar, pasi kishte frikë dhe parandiente se do ta helmonin, njësoj si vëllanë e tij, Kalon. Ndonëse Panajoti kishte studiuar dhe ishte diplomuar në Bashkimin Sovjetik, ai nuk e duronte dot kultin e Stalinit.

Kështu na kujtohet ajo ditë kur vdiq Stalini dhe Panajoti erdhi në shtëpi dhe i tha gruas së tij, Vjollcës, që ishte duke qarë: ‘Çfarë ka këtu për të qarë, Stalini rrojti sa deshi’. Po kështu kur motra e tij, Lola, i kërkoi Panajotit që të ndërhynte për t’i rregulluar një të drejtë studimi për në Bashkimin Sovjetik, ai i’u përgjigj: ‘Çfarë do ti në Bashkimin Sovjetik, shko më mirë në Poloni, se polakët janë shumë më të zhvilluar se sovjetikët”, dhe e rregulloi Lolën që ajo të studionte në Poloni.

Një nga miqtë më të ngushtë që kishte Panajoti, ishte Presidenti i Shqipërisë, Omer Nishani me familjen e tij që ne i kishim fqinjë. Pas vdekjes së Omer Nishanit, Panajoti u indinjua shumë dhe shprehte habinë e tij, duke thënë se: si kishte mundësi që të varrosej në një mënyrë të atillë një njeri si ai”, kujtojnë familjarët e Panajot Plakut, lidhur me periudhën e fundit para se ai të arratisej nga Shqipëria.

Ditët e fundit para arratisjes!

Po si mundi Panajot Plaku që të arratiset nga Shqipëria në vitin 1957, në një kohë që ai ishte nën survejimin e rreptë të Sigurimit të Shtetit që e ndiqte vazhdimisht në çdo hap në 24 orë dhe sa kohë më përpara e kishte bërë ai planin e arratisjes? Lidhur me këtë, familjarët e tij dëshmojnë: “Asnjë njeri nga ne të familjes nuk kishte fare dijeni për planin e Panajotit për arratisjen e tij nga Shqiperia, por duke bërë deduksione logjike, me sjelljet dhe veprimet që ai bënte para arratisjes dhe gjendjen e tij shpirtërore tepër të acaruar, sidomos muajt e fundit, pas ikjes së tij ne nxorëm konkluzionet, se ai e kishte planifikuar arratisjen menjëherë pas vdekjes së vëllait, Kalos. Vetëm një ditë para arratisjes, Panajoti i dërgoi një letër motrës së tij, Lolës, e cila studionte në Poloni, ku ndër të tjera ai i shkruante: Ti motër duhet ta dish se çfarëdo që të bëjë ndonjë njeri i afërm i familjes dhe çfarëdo që të ndodhë, ti duhet që të jesh me Partinë”. Pra me një fjalë, ai po e përgatiste Lolën, për atë që do të ndodhte më pas. Ato tre ditë para se të arratisej, Panajoti bëri disa vizita tek të afërmit e tij, duke bërë edhe disa fotografi me ta. Po kështu, dy ditët e fundit para arratisjes, ai bëri disa fotografi me bashkëshorten, Vjollcën dhe tre fëmijët e vegjël. Natën e fundit para arratisjes, Panajoti u mbyll në dhomën e tij dhe ka qarë gjithë kohën pa pushim. Në mëngjes kur po dilte nga dhoma e tij, ai i tha bashkëshortes, Vjollcës, se do të shkonte me shërbim. Vjollca i tha: Mirë, por kur të shkosh atje, na merr në telefon”, dhe Panajoti i’u përgjigj: Atje ku do të shkoj unë, nuk mund t’ju marr dot në telefon”. Atë mëngjes maji të vitit 1957, kur Vjollca doli për ta përcjellë me djalin e vogël në krah, Panajoti i tha: Besi i vogël, ku po të le…”, dhe mbylli derën e makinës!

Letra e ish-ministrit pa portofol, gjeneral-major Panajot Plakut, për udhëheqësin e Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushovin, në vitin 1957

“Ju e dini se përse Tuk Jakova u etiketua si armik i Partisë. Kjo ndodhi sepse në diskutimin e vet në Komitetin Qendror të PPSh-së, ai foli për meritat që kishte Miladin Popoviq në krijimin e Partisë sonë dhe se për shkak se u ngrit kundër katër dokumenteve në lidhje me identitetin dhe personalitetin e Enver Hoxhës, të cilat prezantohen në të gjitha muzetë, si të vetmet dokumenta për formimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë.

Tuk Jakova u ngrit kundër kultit të Enverit dhe këtë diskutim të drejtë të tij e shndërruar në akuzë, kundër vetë Tukut. A nuk përngjajnë këto veprime si të Stalinit kundër Postishovit?! Ndryshe është vetëm fakti se Postishovi është pushkatuar, kurse Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu, janë përjashtuar nga Partia dhe i pari është bërë zdrukthëtar, kurse i dyti kontabilist. Ndryshim është edhe fakti se për përjashtimin e Tukut dhe të Bedriut nga Partia, ka marrë vendim Komiteti Qendror i PPSH-së, dhe se ky vendim është marrë pas Kongresit të XX-të të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike.

Duhet pasur parasysh se: po të përkrahin Tukun shokët e Komitetit Qendror, edhe ata do ta përjetonin fatin e tij dhe ata ndoshta do të ndodhte edhe diçka më e tmerrshme se kjo, sepse në atë rast do të lëshohej parulla “armiku është në ballë të Partisë”, dhe do të formohej kundër anëtarëve të tillë të Komitetit Qendror të PPSH-së, të cilët do ta përkrahnin Tukun, i njëjti gjyq ku u dënuan Liri Gega, Dali Ndreu dhe Petro Bullati. Kjo quhet në Shqipëri demokraci e brendshme partiake, pas Kongresit të XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike.

Në kushte të tilla nuk mund të gjendet një njeri, i cili do të shtronte për diskutim probleme me rëndësi vitale, sidomos në qoftë se këto probleme prekin në çfarëdo forme Enver Hoxhën. Në kushte të tilla nuk ka njeri që do të luftonte për drejtësi. Në kohën e Stalinit kanë ekzistuar në Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, gjashtëshe, shtatëshe, etj., të cilat e kanë likuiduar rolin e Byrosë Politike. Në Shqipëri kjo nuk ekziston, por ekziston e ashtuquajtura udhëheqësi, e cila zyrtarisht quhet Këshilli i Mbrojtjes, e cila nuk është as Byro Politike dhe as Sekretariati i Komitetit Qendror, por diçka që është mbi to!

Kjo udhëheqësi përfshin një pjesë të anëtarëve të Byrosë Politike dhe në të komandon Enver Hoxha. Atje merren vendime a do të zbatohet statusi i partisë apo jo, a do të sendërtohen ligjet e shtetit apo jo, etj. Kështu për shembull, për eliminimin e vëllait tim Kalo Plakut, u morr vendim nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo. Unë mendoj se Byroja Politike nuk ka qenë e informuar për këtë vendim. Mirpo edhe në ato raste kur ka qenë e informuar Byroja Politike, ajo nuk është në gjendje që të ndërrojë asnjë vendim, të cilin e marrin të tre personat që u përmendën më lart.

Në të njëjtën mënyrë është marrë vendimi për të më likuiduar edhe mua e për të pushkatuar Liri Gegën, Dali Ndreun dhe Petro Bullatin. Janë me qindra shembuj, që dëshmojnë se vendimet kolektive të qeverisë anulohen ose nuk zbatohen vetëm për shkak se nuk pajtohet me to Enver Hoxha. Për të gjitha këto arsye, unë mendoj se çështja e demokracisë së brendshme partiake për PPSH-në është problem serioz, aq edhe i atillë sa që vështirë mund të zgjidhet dhe se pa ndihmën tuaj direket nuk është e mundshme të zgjidhet në mënyrë të drejtë kjo çështje.

Çështja tjetër shumë e rëndësishme për PPSH-në është çështja e informimit të partisë për të gjitha problemet politike. Jo vetëm organizatat themelore të partisë, por edhe K.Q. i saj janë informuar shumë keq për çështje të ndryshme të partisë. Ekziston një mosbesim jashtëzakonisht i madh dhe i çuditshëm i njerëzve udhëheqës të lartë të partisë sonë, jo vetëm ndaj komunistëve të thjeshtë, por edhe ndaj anëtarëve të K.Q. dhe të qeverisë. Burim kryesor i këtij mosbesimi janë mbeturinat e shumta të sjelljeve mikroborgjeze dhe pavendosmëria e Enver Hoxhës. Pikërisht ky është shkaku i ekskluzivitetet dhe ekstremizmit të tij. Pas Kongresit XX të PK të BRSS filluan t’u dërgojnë anëtarëve të plenumit të KQ procesverbalet e mbledhjeve të sekretariatit të Byrosë Politike.

Sipas rregullit këta procesi-verbale dërgoheshin me vonesë të madhe, kështu që kur u arrinin anëtareve të K.Q., vendimet që ishin përfshirë në ato proces-verbale tashmë ishin në proces të realizimit. Mirëpo, pas një kohe të shkurtër, me pretekst se nuk po ruhet sekreti i atyre vendimeve, e ndërprenë dërgimin e proces-verbaleve, duke thënë se ato mund të lexohen në aparatin e Komitetit Qendror. Por, meqenëse asnjëri prej anëtarëve të plenumit nuk vinte në aparat të Komitetit Qendror për t’i lexuar, përsëri vendosën t’i dërgojnë.

Për të ilustruar se sa i dobët është informimi i partisë, do të vë në dukje një shembull. Jo vetëm organizatat themelore të partisë, por edhe K.Q. i partisë sonë jetojnë në bindje se, jugosllavët janë agjentë të imperializmit, armiq të Shqipërisë dhe ata çuditen kur ju flisni për afrimin me ta, për konsolidimin e marrëdhënieve me ta, se nuk duhet bazuar në ato gjëra që na ndajnë, por në ato që kemi të përbashkëta me ta, etj.

Edhe unë, para se të ikja nga Shqipëria, gjithashtu kam shikuar dhe kam menduar se ju dhe partia juaj po përpiqeni t’ia afroni Jugosllavinë taborit socialist, të pengoni që ajo të bashkohet përfundimisht me imperialistët etj. Po të mos i kishit thënë ju delegacionit tonë të qeverisë dhe partisë, kur ai ishte në Moskë, se jugosllavët nuk janë agjentë, se Jugosllavia nuk do ta sulmojë kurrë asnjë nga vendet tona, se partia jonë nuk i shikon në mënyrë indiferente e gjakftohtë marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, unë më parë do të lejoja që të më vrasin, sesa ta kaloj kufirin. A është e mundshme në kushte të tilla, të pritet ndonjë përmirësim në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë? Sigurisht jo, e ja edhe për ç’arsye.

Në një mbledhje informative të plenumit të K.Q., që u mbajt me rastin e kthimit të delegacionit të qeverisë dhe partisë nga Bashkimi Sovjetik, Enver Hoxha tha se ju na keni kritikuar për shkak të ashpërsimit të marrëdhënieve me Jugosllavinë, për shkak të nervozizmit së tepruar rreth kësaj çështjeje, se na keni këshilluar që të bëjmë përpjekje për t’u afruar me Jugosllavinë, duke mos e ndërprerë luftën ideologjike kundër revizionizmit dhe kundër botëkuptimit të Jugosllavisë etj. Pas mbledhjes Enveri dhe disa shokë të K.Q., ndër të cilat isha edhe unë, shkuam në Shtëpi të Partisë që të çlodhemi dhe atje biseduam rreth disa problemeve në lidhje me zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe me marrëdhëniet me Jugosllavinë.

Atëherë Enveri tha ndër të tjera: “Sa naivë janë bolshevikët, për shkak se për mua më është e qartë se jugosllavët bëjnë punë agjentësh, ata janë armiq të vendit tonë dhe kuptohet se nuk mund të afrohemi me ta”. Unë nuk e di se si i shikojnë jugosllavët marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, por jam i bindur se nga ana e Shqipërisë nuk është bërë asgjë, e as sot nuk bëhet asgjë në interes të afrimit, madje, përkundrazi. Sigurimi Shtetit po i përcjell në mënyrë rigoroze të gjithë ata që thonë të paktën një fjalë të mirë për jugosllavët, i arreston dhe bën hetime ndaj tyre, ose i depërton në punë në skuta të largëta, ose madje edhe i likuidon krejtësisht.

As nuk mund të flitet për ndonjë përmirësim të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë, kur ata, të cilët kanë qëndrim miqësor ndaj saj, mbyllen në burg si agjentë të Jugosllavisë, ose madje dhe i pushkatojnë, kur flitet se diskutimet në Konferencën e Tiranës, kundër vijës së partisë dhe kundër udhëheqjes, janë organizuar nga ana e jugosllavëve, megjithëse atje asnjë diskutim nuk ka qenë i tillë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *