“S’e dija ku ishte Gërdeci, nuk u mora unë”, si gënjen Fatmir Mediu

Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu foli në një emision në kanalin TCH për “Gërdecin”, një proces që tashmë është rihapur.
Ish-ministri deklaroi se jo vetëm është i pafajshëm, por as nuk e dinte se ku binte Gërdeci.
“Në mënyrë të padiskutueshme, që unë as nuk e kam ditur ku është Gërdeci”, tha Mediu.
Po thoni se nuk e keni ditur se ku ndodhej gjeografikisht?
As gjeografikisht dhe as si aktivitet, nuk ishte pjesë e certifikimit të ministrit.
Po si është e mundur të mos e dijë ministri një gjë të tillë?
Po sepse nuk mund ta di, sepse FA kanë më mijëra pika dhe reparte ushtarake, nuk është detyrë funksionale e ministrit.
Nga buroi kjo nismë që u krijua kjo fabrikë, a kishte lidhje familja e Berishës, djali i tij?
Unë jam hetuar, gjurmuar, vënë telefoni në përgjim dhe të gjitha, 360 gradë për këtë gjë, dhe është provuar që as unë, as familjarë të mi dhe as stafi civil i Ministrisë së Mbrotjes në raport më këtë çështje nuk ka lidhje. Unë nuk mund t’i përgjigjem çdo lloj thashethemi.
Në ditën e ngjarjes unë kam pasur shumë njerëz që më kanë marrë. Sipas tabulateve, ka tabulate që unë kam bërë telefonatë me djalin e kryeministrit, por kjo është absurde, sepse po e bëj dhe një herë krahasimin.
Çdo telefonatë që kam marrë ka qenë në raportet e solidaritetit.
Në punën time si ministër unë i përgjigjem vetëm kushtetutës, ligjit, urdhrave dhe vendimeve të qeverisë, në marrëdhëniet e mia personale, unë nuk jam njeri që nuk hap telefonin dhe nuk flas me njerëz.
A ndiheni vërtet i pafajshëm në këtë proces, aty ka pasur fëmijë që janë marrë me demontimin dhe kanë humbur jetën?
Tani t’i ndajmë përgjegjësitë, po të jetë ajo ligjore, me bindje të plotë them se nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore.
E dyta, për sa i përket asaj që ka ndodh në Gërdec, unë nuk kam pasur asnjë shqetësim të sjellë te zyra e ministrit, nga asnjë përfaqësues ushtarak ose civil për marrëdhënie të cilat ishin jashtë kontekstit ligjor.
Nuk më ka ardhur ndonjëherë ndonjë raport se si dhe kush punonte aty”
Ish-ministri gënjen kur thotë që nuk e njihte Gërdecin “as gjeografikisht dhe as si aktivitet” sepse, sic shprehet ai “nuk ishte pjesë e certifikimit të ministrit”.
Një procesverbal i mbledhjes së qeverisë ku është diskutuar Gërdeci, dëshmon se Mediu jo vetëm e di për cfarë bëhet fjalë, por është edhe inisiatori dhe mbrojtësi kryesor i aferës gjatë mbledhjes.
Procesverbali është botuar nga gazetari Mero Baze. Ai shkruan ndër të tjera:
“Mediu ka lënë gjurmë që jo vetëm kishte kontakte me kompaninë, por i ka bërë presion Qeverisë zyrtarisht që ajo të nënshkruajë kontratën. Më poshtë po botoj një nga faqet e procesverbalit të mbledhjes së Qeverisë. Po ta lexosh kupton se Fatmir Mediu gjatë gjithë mbledhjes ka bërë presion mbi Qeverinë që të nënshkruajë kontratën, duke qenë i shqetësuar se “po sorollatim” një kompani që ka një muaj që kërkon të bëjë këtë punë.
Mediu është sjellë në mbledhje të Qeverisë si përfaqësues i kompanisë, dhe jo si përfaqësues i shtetit shqiptar. Pavarësisht se dy ministra kanë kundërshtuar, ata nuk ia prishën dot planet kompanisë dhe sekserëve të saj. Atë që Mediu nuk e bëri në mbledhje qeverie, e bëri me vendimin 550 të Ministrisë së Mbrojtjes, duke lidhur kontratë me atë kompani.
Pra e thënë thjesht, kemi një kompani që ka vendosur të marrë një koncesion nga Qeveria. Ka gjetur sekser djalin e kryeministrit. I ka shkuar 42 herë në zyrë ministrit të Mbrojtjes. Pastaj gjithë Qeveria e ka marr vesh që është djali i kryeministrit sekser dhe i raportonin atij për këtë çështje.
Ministri i Mbrojtjes i ka bërë presion Qeverisë ta miratojë kontratën direkt në favor të kompanisë. Qeveria ka hezituar për shkak të rezistencës së dy anëtarëve dhe ia ka kaluar kompetencë ministrit të Mbrojtjes. Ky ia ka dhënë sërish me vendim kësaj kompanie.
Skema e ndikimit të paligjshëm dhe favorizues për një kompani, është mëse e qartë. Gjykatës do t’i mjaftonte ky procesverbal të kuptojë pse ministri i Mbrojtjes është sjellë si administrator i kompanisë dhe pse u bënte presion ministrave të tjerë. Arsyeja ishte se pas tij qëndronte djali i Sali Berishës.
Tani ai ka vetëm një mënyrë të lehtësohet nga faji, duke dëshmuar të vërtetën. Përpjekja e tij për t’u dukur si viktimë në këtë histori është një gjest I pështirë, pasi viktimat e vërteta të kësaj historie janë nën dhé”.