5 Dhjetor, 2022

Sasha doli më e fortë se Gjykata Kushtetuese

 Sasha doli më e fortë se Gjykata Kushtetuese

Nga Bujar M. Hoxha

Përkundër të gjitha pritshmërive, Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta lërë presidentin e vendit në detyrë, me arsyetimin kinse juridik se nuk ka kryer shkelje të rënda kushtetuese. Kushdo që ka shpresuar të kundërtën, dhe këtu flitet për njeriun e papërfshirë drejtpërdrejt në politikë, sigurisht duhet të ketë një ndjesi zhgënjimi, së pari sepse ende nuk e ka kuptuar mënyrën si funksionon politika dhe shteti këtu në tridhjetë vite e kusur.

Gjithçka groteske në muajt e shkuar ka marrë fund me një vendim që i kënaq të tërë. Presidenti i ka shpëtuar shkarkimit, së cilit nuk ia ka patur frikën sepse e ka ditur se nuk do të ndodhë, partia në pushtet i gëzohet aksionit të saj pa produkt, dhe solidarët e kryetarit të shtetit në opozitë janë të kënaqur për bashkëluftëtarin e tyre të së sotmes dhe së nesërmes.

Vendimi nuk përbën suprizë politikisht, edhe pse juridik, nëse e shohim nga perspektiva e një banaliteti të përgjithshëm. Për të qenë të drejtë, banaliteti kronik shqiptar nuk është se ndryshon shumë nga ai aktual në nivel botëror. Jetojmë në një realitet të shtrembëruar prej kohësh, banal, të detyruar me dhunë të pranojmë për të vërteta gjëra krejt ndryshe.

Dhe kështu, në caqet e këtij banaliteti, presidenti do të vazhdojë dhe për ca muaj, i lehtësuar pendë, si në çdo moment të këtyre kohëve, të fyejë inteligjencën më mediokre njerëzore me daljet e tij mediatike dhe postimet në rrjetet sociale, përgjegjëse për provokim të vjellash. Do të vazhdojë të shkelë kodër e mal, të bëjë shëtitje ekran më ekran e të zgërdhihet pa pikë droje, të recitojë vargje nga të gjejë e të bëhet më komik se dikush tjetër në këndimin e himnit, të na urojë të mira (të këqija) dhe dashuri me fotografi bashkëshortore, e të përbuzë çdo mendje normale me thagma njëra pas tjetrës. Pas ca muajsh do të jetë i liruar krejt nga frerët, për ta bërë atmosferën dhe më të padurueshme, aq më tepër me në krah demokratin e bërë më demokrat me kalimin e kohës, si vera e vjetër (siç vetë e ka përkufizuar pjesën e tij plotësuese në politikë).

Shumica në pushtet do të justifikohet se e bëri punën e vet dhe do të vazhdojë me tamtame të na e shërbejë si shpëtuese qeverisjen e saj dhe reformën e famshme në drejtësi. Sido që të jetë, pa parë prapaskenën, ajo e humbi sfidën në publik me presidentin, edhe pse në dukje nuk mund të bënte gjë karshi vendimit të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese.

Paralel me këtë, në rrymë të kundërt, jetesa do të bëhet gjithnjë e më vështirë ekonomikisht, në sfondin e një rritjeje të përgjithshme çmimesh, jo vetëm në nivel lokal, dhe më e papërballueshme cilësisht, me prognozat politike aspak optimiste.

Gënjeshtër pas gënjeshtre, konfliktesh false, teatër pas teatri, ujërat do të rrjedhin sërish në të njëjtin shtrat, derisa gjendja të mahiset sa të mos mbajë më. E pamendueshme që nervi qytetar të qëndrojë pa fund i fjetur, sado që një grusht njerëzish ua kanë ftohur ndjenjën e aktivizimit idealistëve, e kanë bërë të neveritshme politikën.

Sidoqoftë, duke iu përmbajtur banalitetit të imponuar, ndodh a nuk ndodh gjë, presidenti sot dhe politikani nesër do të vazhdojë me sa duket dhe për shumë kohë të na e përqeshë seriozitetin dhe integritetin me përkëdheljen e maces së tij. Pse mos ta bëjë?! Në e pyetsh, do të të përgjigjet sy më sy se është ajo që e do këtë gjë. E do përkëdheljen, se ndihet e përkëdhelur. Macja jonë presidenciale vërtet nuk është në nivelin botëror të asaj në Shtëpinë e Bardhë, por për fatin nuk ke ç’i thua, e ka të bardhë fare!

Në fund të fundit, hollë-hollë, me të njëjtën monedhë për cinizmin përbuzës të macembajtësit, betejën me Kushtetuesen e fitoi Sasha!

A nuk jetojmë në kohë absurde, kur mesazhet jepen nëpërmjet maceve?!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *