30 Nëntor, 2022

Sali, për shkakun tënd sot ne jemi bërë me Bashën. Ti tashmë je një hiç në PD, ngulite në kokë

 Sali, për shkakun tënd sot ne jemi bërë me Bashën. Ti tashmë je një hiç në PD, ngulite në kokë

Nga Mero Baze

Ka një hakërrimë të Sali Berishës ndaj çdo politikani, intelektuali apo gazetari, që në betejën mes tij dhe Lulzim Bashës, nuk është në anën e tij. Pasi u është lutur për javë e muaj të tëra të kalojnë në anën e tij, pasi u ka ofruar gjithçka që të mos mbështesin Lulzim Bashën, pasi ka dërguar të birin redaksi më redaksi për të paguar pronarët e mediave, tani ka filluar i sulmon publikisht emër për emër, ata të cilët nuk i ka blerë dot.

Kështu bëri me Agron Gjekmarkajn dhe vazhdoi me Mark Markun. Kështu bën me çdo kryetar PD degësh, duke gërmuar sulme të kundërshtarëve ndaj tyre dhe duke i vënë në gojën e tij.

Por ajo që më bëri përshtypje në sulmin ndaj dy pedagogëve të angazhuar në PD, Gjekmarkaj dhe Marku, ishte çudia që kishte Sali Berisha, se si këta ishin kritikë dikur me Lulzim Bashën dhe tani janë dakord me të. Dhe kërkon një shpjegim për këtë pasi mendon se ka gjetur më në fund, çelësin e shpjegoi me “besëprerjen” e madhe.

Nuk është larg së vërtetës. Shumica e njerëzve që kanë kritikuar, sulmuar apo braktisur Lulzim Bashën, e kanë bërë për shkak të Sali Berishës. E kanë bërë duke parë pafuqinë që ata kishin ta trajtonin Lulzim Bashën si kryetar të tyre, pasi gjithmonë pas tij ishte dikush tjetër që merrte vendime okulte. Dhe për këtë, Lulzim Basha i ka merituar gjithë kritikat që i kanë bërë. I ka merituar dhe divorcet, dhe braktisjet, dhe përplasjet.

Sali Berisha mund të gjejë njëqind personazhe, një mijë personazhe, apo dhjetë mijë të tillë, që kanë qenë kritikë me Lulzim Bashën para 9 shtatorit dhe janë dakord me të pas 9 shtatorit, por nuk gjen dot asnjë që të ketë qenë kundër Sali Berishës para 9 shtatorit dhe tani të jetë me Sali Berishën. Kjo tregon se krye-arsyeja e hemoragjisë në atë parti ka qenë Sali Berisha.

Përgjigja e atyre që dje kanë qenë kritikë me Bashën dhe sot janë pro tij, është e thjeshtë. Për shkakun tënd Sali Berisha, kanë qenë kritikë me të dhe janë sot kundër teje!

Por sot, 600 mijë votues të PD, kanë të gjithë një pyetje që Sali Berisha nuk u jep dot përgjigje. Si shpjegohet që ky njeri deri më 9 shtator të vriste për Lulzim Bashën dhe pas 9 shtatorit, kur Lulzim Basha zgjodhi mes fatit të PD dhe orientimit të saj perëndimor dhe Sali Berishës, ky i fundit u kthye në një përbindësh ndaj tij dhe PD?

Kjo pyetje ka vetëm një përgjigje. Dhe ajo është halli i familjes Berisha, si familje e damkosur për korrupsion domethënës, minuese të demokracisë dhe shantazhuese e sistemit të drejtësisë, prej SHBA-së.

Sali Berisha ka kuptuar tani braktisjen e madhe dhe po hidhet në sulm me emra konkretë. Pak ditë më vonë do ta dëgjojmë kur të sulmojë kryetarë partish që nuk do të denjojnë të jenë në një koalicion me të. Më pas dhe njerëz që sot janë me “Foltoren”, që do ikin papritur nga skena.

Ai pak nga pak po përballet me një rrethim ligjor, politik, etik, madje dhe psikik, duke mbetur vetëm me një grusht të marrësh, që ruajnë selitë e PD kur ikin rojet dhe hyjnë nga dritaret të bëjnë fotografi.

Dhe kjo e gjitha e ka tërbuar, kur kupton që në KQZ nuk regjistrohet dot, aleatët e zakonshëm politikë nuk e fusin në ombrellën e tyre, madje as ne ceremoni publike nuk e thërrasin më. Kjo e ka bërë të humbasë qetësinë dhe t’i turret atyre që mendon se e kanë tradhtuar.

Kurse vet nuk përgjigjet dot, pse pas 9 shtatorit  është kthyer në një armik të madh të PD dhe Lulzim Bashës. Se nuk është kollaj të pranosh që nuk je më sundimtari i PD. Madje as anëtar i saj.

Përpiqu një herë me zë të lartë të bindësh veten tënde, që nuk je më askushi, pastaj pyet të tjerët, pse nuk janë me ty, por me Lulzim Bashën.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *