30 Nëntor, 2022

Sali mortja, që i mashtroi, i grabiti, i rrahu dhe i vrau qytetarët e këtij vendi, tani na del si shpëtimtar

 Sali mortja, që i mashtroi, i grabiti, i rrahu dhe i vrau qytetarët e këtij vendi, tani na del si shpëtimtar

Nga Fatos Tarifa

“Invadimi” i Mbretërisë së Bashkuar nga shqiptarët (ashtu si “zbarkimi” Brindisi dhe Bari 30 vite më parë), është bërë sot një lajm i ditës në Britani, por edhe kryefjala e Sali Berishës në Shqipëri. Kryeministri Rama anatemohet si “shkaktari i vetëm i dramës së Lamanshit”. Por nga kush? Nga Sali Berisha, njeriu të cilin, pas Shteteve të Bashkuara, e shpalli një persona non grata edhe Mbretëria e Bashkuar.

A ka vallë sy e faqe ky njeri të hiqet sot para shqiptarëve si mbrojtësi i interesave dhe i imazhit të tyre, si i vetmi “shpëtimtar” i tyre!

Ai, Berisha… që shembjen e komunizmit në Shqipëri, të cilën ka 32 vite që rreket ta shesë si veprën dhe triumfin e tij, e shfrytëzoi për të ruajtur e përdorur të njëjtat metoda komuniste në drejtimin e partisë së vet dhe të shtetit shqiptar?

Ai, Berisha… i cili, pasi ua shkatërroi shqiptarëve ekonominë dhe pasuritë kombëtare, pasi ua tjetërsoi pronat, në vitin 1997 i vuri zjarrin vendit në një mënyrë që Europa nuk e kishte njohur qysh nga Lufta e Dytë Botërore?

Ai, Berisha… i cili, në kulmin e asaj marrëzie kolektive që i varfëroi shqiptarët në maksimum dhe i detyroi dhjetëra mijëra qytetarë e fshatarë të këtij vendi ta linin Shqipërinë, paturpësisht i deklaronte në atë kohë mikut tim gazetar Peter Lucas “Après moi le deluge!” (pas meje të bëhet qameti)!

Ne, shqiptarët, kemi bërë dhe bëjmë gjëra që çudisin jo vetëm të huajt, por edhe shumicën prej nesh. Një ndër këto çudi është se këtij njeriu, që i mashtroi, i grabiti, i rrahu dhe i vrau qytetarët e këtij vendi dhe që dy ndër fuqitë aleate më të mëdha të shqiptarëve—Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe—e kanë shpallur të padëshiruar, ka ende njerëz (dhe jo pak njerëz) që i besojnë verbërisht dhe i shkojnë pas.

* * *

Dukuria e largimit të shqiptarëve ka marrë vërtet përmasat e një hemorragjie humane të pandalshme, por që kësaj dukurie t’i atribuosh vetëm një shkak dhe për të të fajësosh një individ të vetëm, kryeministrin e vendit, do të thotë të jesh ose naiv, ose i paditur, ose thjesht një demagog.

Berisha nuk është naiv; ai është djallëzor. Berisha nuk është as i paditur; ai di, por më shumë se sa di ai sajon dhe shpif. Ai është një demagog par excellence. Në historinë moderne të shqiptarëve, si demagog, Berisha vjen i dyti vetëm pas Enver Hoxhës.

Emigrimi masiv i shqiptarëve në këto tri dekadat e fundit ka ndodhur e ndodh për shumë arsye. Do të nevojitej një analizë e thellë për t’i trajtuar shkaqet e kësaj dukurie, çka unë, si sociolog, nuk përpiqem ta bëj këtu. Ndoshta në një rast tjetër.

Unë nuk pajtohem me relativizimin e dukurisë, siç vë re se ndodh me disa prej deklaratave publike të kryeministrit Rama, i cili emigracionin e shqiptarëve sot e trajton thjesht si një dukuri lokale që është pjesë e një dukurie të përbotshme në këtë planet të globalizuar, pa pranuar ai vetë, si kryetar i qeverisë, asnjë përgjegjësi për kushtet ekonomike ende shumë të vështira për një pjesë të madhe të popullsisë së vendit, që detyrohet të largohet.

Por, unë nuk pajtohem edhe më shumë me të gjithë ata—në radhë të parë me Berishën dhe Metën—që shkakun kryesor, në mos edhe të vetëm të emigrimit të shqiptarëve sot e shohim te qeverisja e kundërshtarit të tyre politik, kryeministrit Rama. Rama është vërtet një politikan narcisist, por dy të tjerët janë demagogë të rrezikshëm.

Çdo emigrant, shqiptar ose nga cilido vend i botës, ka një histori të vetën personale e familjare për shkak të së cilës vendos të emigrojë. Por ka, gjithashtu—madje kryesisht—faktorë strukturorë, që janë faktorë socialë dhe institucionalë, pjesë e fabrikës sociale të një shoqërie të dhënë (varfëria, diskriminimi i çdo lloji, krimi dhe pasiguria e jetesës), që i detyrojnë njerëzit të emigrojnë.

Nëse do të ishim të interesuar të mësonim se cilat kanë qenë arsyet që i shtynë miliona italianë, grekë apo skandinavë të linin vendet e tyre deri një shekull më parë, për t’u vendosur kryesisht në Shtetet e Bashkuara (por në n një shkallë më të vogël edhe në Australi, në Kanada apo në Argjentinë), burimet dokumentare dhe një literaturë e gjerë e shkruar për këtë çështje veçojnë dy shkaqe kryesore (I) varfërinë ekonomike në vendin e tyre të origjinës dhe dëshirën për një jetë më të mirë në “tokën e mundësive”, pra “ëndrrën amerikane”, Nju Jorkun, Çikagon dhe Kaliforninë, rrugët e të cilave, në fantazinë e shumë prej tyre, ishin  “të shtruara me ar” dhe (II) lidhjet familjare që kishin në Shtetet e Bashkuara ose në vende të tjera dhe dëshirën për t’u bashkuar me familjet apo të afërmit e tyre. Këto, natyrisht, nuk kanë qenë të vetmet shkaqe dhe nuk janë të vetmet shkaqe të emigrimit as sot.

Deri në prag të Luftës së Parë Botërore, nga një vend si Suedia, në atë kohë me 5.5 milionë banorë, kishin emigruar në Shtetet e Bashkuara mbi 1.2 milionë suedezë. Në prag të Luftës së Parë Botërore, Greqia kishte rreth 4.7 milion banorë, por afërsisht rreth 1 milion grekë ishin vendosur ndërkohë në Shtetet e Bashkuara. Po në të njëjtën periudhë, numri i emigrantëve italianë në Shtetet e Bashkuara ishte më shumë se 4 milionë, afërsisht sa një e teta e italianëve që jetonin në Itali në atë kohë.

Do të ishte absurde të besoje se 1 në çdo 4 ose 5 suedezë e lanë vendin e tyre në atë periudhë për shkak të mbretërve Oscar II apo Gustaf V. Do të ishte po kaq absurde të besoje se, afërsisht 1 në çdo 5 grekë, ose 1 në çdo 3 ose 4 meshkuj e lanë në atë periudhë Greqinë për shkak të mbretit të saj George I, ose për shkak të keqqeverisjes së vendit të tyre nga kryeministrat e asaj kohe.

Njëlloj absurde do të ishte të besoje se, deri në prag të Luftës së Parë Botërore, disa milionë italianë e lanë Italinë për Amerikën për shkak të mbretit të saj Victor Emmanuel III, ose të një vargu kryeministrash që e drejtuan atë vend në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të.

* * *

Qeverisja e Edi Ramës mund të kritikohet për shumë gjëra dhe, sa herë ka qenë rasti, autori i këtyre radhëve nuk ka nguruar ta kritikojë atë. Këtë e kam bërë mbështetur në njohuritë dhe përvojën time, si dhe në aftësinë e arsyes për të analizuar e vlerësuar në mënyrë kritike, jo thjesht për shkak të pëlqimeve ose mospëlqimeve personale për të si individ.

Por, asnjë njeri i vetëm nuk mund të fajësohet për gjithçka. As Hitleri, as Putini. As Mao, as Enveri. As Berisha dhe askush tjetër. Pa milionat e njerëzve, ose masat e gjëra që i besojnë demagogjisë dhe propagandës së tyre dhe pa një grup njerëzisht që e mbështesin dhe i shërbejnë atij devotshmërisht ose për shkak të frikës nga ndëshkimi, asnjë individ me pushtet, sado i fortë që të ndihet, nuk mund të bëjë siç do ai vetë.

Berisha u thotë sot ndjekësve të tij se kryeministri Rama po i largon shqiptarët nga vendi i tyre për ta bërë Shqipërinë një safe heaven për oligarkët dhe kriminelët. Oligarkë pa njerëz që të punojnë për ta! Kriminelë në një shtet të pushtuar prej tyre! E kush mund ta besojë këtë haluçinant!

Unë e kuptoj se janë të shumtë ata që nuk e pëlqejnë Edi Ramën, ose që nuk e duan atë edhe më gjatë në krye të qeverisë, por nuk kuptoj se ç’mendje është ajo që mund t’i besojë dhe t’i shkojë pas një njeriu si Berisha. Gjatë këtyre 32 viteve të fundit, edhe atëherë kur kishte në dorë drejtimin e shtetit dhe të qeverisë dhe i kishte mundësitë, ky njeri kurrë nuk u hapi shqiptarëve ndonjë perspektivë zhvillimi dhe mirëqenieje dhe nuk u dha shqiptarëve asnjë shpresë për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre!

Firmat e korruptuara piramidale, që Berisha i inkurajoi, sepse kështu e kuptonte kapitalizmin, si një skemë prej së cilës kushdo mund të pasurohet shpejt—get rich quick—u morën jetën më shumë se dy mijë shqiptarëve dhe i lanë pa shtëpi e katandi mijëra të tjerë. Si mundet shqiptarët që vazhdojnë të brohorasin për Berishën ta harrojnë gjëmën që u shkaktoi ai?!

Ç’perspektivë u ofron sot dhe ç’shpresa ngjall te shqiptarët, sidomos te gjenerata më e re e shqiptarëve, ky njeri dhe ky politikan i pa shpresë?

Edhe pse një politikan inatçor dhe maverik, Berisha është një politikan krejtësisht i konsumuar dhe i padëshiruar jo vetëm për aleatët tanë përtej Atlantikut dhe për ata përtej Lamanshit, por edhe për shumicën e shqiptarëve, madje edhe për një pjesë të partisë, që ai thotë se e krijoi.

Filozofia politike e Berishës, narrativa dhe metodat e tij të qeverisjes janë krejt të huaja për Shqipërinë e shekullit të 21-të. Ato janë një anakronizëm historik për masën e gjerë të shqiptarëve që janë lindur në dy dekadat e para të këtij shekulli, ose që u socializuan si adoleshentë dhe të rinj në këto dy dekada. Këmbëngulja e Berishës për të mos dalë nga politika, agjenda dhe sjellja e tij sot jo vetëm nuk i pëlqejnë kësaj mase të gjerë të rinjsh, por edhe e bëjnë më të pasigurt të ardhmen e tyre dhe të vendit të tyre.

Berisha nuk frymëzon; ai dekurajon. Berisha nuk ngjall shpresë; ai e vret shpresën. Raporti i Berishës me të Vërtetën është antihistorik dhe antikombëtar. Ai genjen nga mëngjesi në mbrëmje—morning, noon and night. Ai mashtron pa asnjë skrupull. Dje ai u tha përkrahësve të tij të “rithemelimit” se “Rama dhe ministrat e tij kanë vjedhur 8.2 miliardë euro”!!! Kjo shumë është gati sa gjysma e vlerës së GDP-së së vendit tonë për një vit. Cili njeri me dy para mend në kokë mund ta besojë këtë mashtrim kolosal?!

Dhe ky nuk është i vetmi mashtrim. Berisha mashtron publikisht për ditë, 3, 4, 5 herë në ditë, çdo herë që i vënë një mikrofon përpara dhe çdo herë që u shkruan ndjekësve të tij digjitalë. Berisha jeton me mashtrimin. Ai krijon jo paqe, por kaos dhe pasiguri.

* * *

Nëse do të pranonim se qeverisja e sotme i ka zhgënjyer një pjesë të madhe të shqitarëve (por jo autorin e këtyre radhëve) dhe të rinisë së këtij vendi dhe i ka vrarë shpresat e tyre, më parë duhet thënë se zhgënjimet më të mëdha shqiptarët i kanë pësuar nga qeverisja e Berishës. Ishte ky i pari që ua vrau shpresat të rinjve të këtij vendi, duke i detyruar dhjetëra mijëra prej tyre të largoheshin nga vendi i tyre.

Logjika e Berishës kthehet kundër vetë Berishës.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *