5 Dhjetor, 2022

Sali Berisha, ky gënjeshtar ordiner që po nxit vetëgjyqësinë në PD

 Sali Berisha, ky gënjeshtar ordiner që po nxit vetëgjyqësinë në PD

Nga Preç Zogaj

Dikush më kishte dërguar të dielën një foto me dytre gardistë mbi tarracën e një godine, shoqëruar me pyetjen retorike: “A e more vesh që Rama dërgoi forcat e RENEA-s dhe Gardës për të mbrojtur Bashën? A bindesh tani se Bashën e mbron Rama”? Injoranca është fyese për inteligjencën jo vetëm kur nuk ofron argumente, por sidomos kur ofron foshnjorizma si kjo që po të shohim ndonjë polic në selinë e PD-së automatikisht duhet të mendojnë se Rama po mbron Bashën.

Sidoqoftë, mesazhi që mora më bëri të mësoja se Sali Berisha paskësh postuar si të vërtetë një fotomontazh humoristik te portalit “Bërryli broadway” ku një foto e vitit 2019 me dy-tre gardistë mbi tarracën e Kryeministrisë ishte “transferuar” në tarracën e selisë së PD-së në dhjetor të vitit 2021. E kuptonte edhe bufi se ishte një blof nga ato që Berisha ka përdorur e përdor pa doganë për t’u “vërtetuar” të vetëve pretencën e tij se Basha është peng i Ramës. Pa ofruar asnjë argument dhe asnjë fakt konkret të verifikuar a të verifikueshëm…

Kryetari i opozitës mund të jetë efikas ose jo, mund të jetë i suksesshëm ose jo, por që të jetë peng i kundërshtarit politik të cilit synon t’i zërë vendin, këtë nuk e honeps asnjë mendje normale. Aq më tepër të jetë peng i një Kryeministri në tatëpjetën më të madhe të karrierës së tij, siç është Edi Rama, rrethuar gjithnjë e më shumë me megaskandale korruptive që po udhëtojnë njëri pas tjetrit drejt aulave të drejtësisë së re.

PD dhe Basha po bëjnë në Kuvend prej tre -katër muajsh një opozitë nga më efikaset, që është eklipsuar në pikasje të vëmendjes mediatike nga përplasjet e brendshme në PD. Por nuk është nevoja të referohen këtu nismat dhe aksionet parlamentare të PD-së. Fakti që Berisha joshet të përdorë pa u menduar dy herë një fotomontazh pa vlerë politike, që është sajuar për të qeshur apo edhe si karrem për idiotët, mjafton për të kuptuar mungesën e plotë të fakteve reale rreth të ashtuquajturës pengmarrje të Bashës nga Rama. Po të kishte fakte, s’do të kishte nevojë për sajime.

Postimi i fotomontazhit si foto e vërtetë është një gjest tipik i servirjes së rrenave për ndjekësit fanatikë, për të cilët fakti real dhe e vërteta nuk kanë më asnjë rendësi. Mjaft që gënjeshtra t’u shërbejë qëllimeve të liderit, besnikëria ndaj të cilit shprehet jo kur ka të drejtë- kjo është pak-, por kur i del në krah kur gënjen, kur e ka gabim.

E gjithë kjo të sjell në mendje përçmimin për të vërtetën që është tarbiati i përbashkët i politikanëve autarkistë e populistë të çdo ngjyre. Për ta “mesazhi është të gënjesh. Të gënjehesh për të vënë pushtetin mbi vetë të vërteten”, siç theksojnë në librin e tyre “Drita nuk u shua”, Stephen Holms dhe Iban Krastev.

Fotomontazhi me gardistë mbi tarracën e PD-së është vetëm një episod i vogël në rendin gënjeshtrave, spekulimeve, absurditeteve dhe akuzave me destinacion fantazinë- “kush ta besojë, ta besojë”- që Berisha u ka hedhur e vazhdon t’u hedhë ndjekësve të tij.

Në krye të listës, duke lënë mënjanë xhalon me paratë që Basha ka ndarë me Taulant Ballën apo njoftimet e bujshme se foltorja po mbështetet në mbarë botën, pa thënë një emër të vetëm, qëndron pretendimi i tij i përsëritur se SHBA e kanë shpallur “non grata” sepse ka mbrojtur Kosovën. E dinë të gjithë të interesuarit në Shqipëri, në Kosovë dhe në botë se Presidenti Biden dhe administrata e tij e kanë përjashtuar në mënyrë kategorike opsionin e një marrëveshjeje Kosovë-Shqipëri me shkëmbim territoresh. Si u shpallke non grata për një gjë që SHBA e mendon njëlloj? Si u shpallke non grata si mbrojtës i Kosovës nga çliruesit e saj? Pse vetëm ti dhe jo Ramush Haradinaj apo Albin Kurti?

Gjithçka është kokëposhtë në narrativën e Berishës për këtë çështje. Pa u kujdesur për logjikën elementare, ai kërkon të shfaqet si faktor në një çështje të protagonizmit absolut të SHBA. Fati ynë që interesat e superfuqisë mike dhe demokratike u përputhen një ditë të madhe me interesat tona dhe të Kosovës dhe u mundësua realizimi i tyre pas shumë dekadash izolimi për ne e pushtimi për Kosovën. Kjo është autostrada që ka shtruar për sot dhe për të ardhmen kjo marrëdhënie e jashtëzakonshme. Le të mos tolloviten politikanët shqiptarë me nisma “sovraniste” që u ngatërrohen nëpër këmbë partnerëve strategjikë, apo më keq akoma, i pengojnë dhe i minojnë nismat e tyre.

Njëherë që ka dashur të marrë një rol-dhe fjala është për Konferencën e Rambujesë-, Berisha ka gabuar në qëndrimin që pati mbajtur duke i kërkuar delegacionit të Kosovës në ketë konferencë të mos e firmoste marrëveshjen e përgatitur nga SHBA. Në dritën e asaj që ndodhi, kur Serbia që nuk nënshkroi u bombardua dhe shqiptarët që nënshkruan i hapën rrugën çlirimit të Kosovës, mund të kuptohet shumë qartë se sa e gabuar ka qenë këshilla e tij dhe sa e dëmshme do të kishte qenë po të ishte pranuar nga delegacioni kosovar. Në atë kohë, Berisha përpiqej të çante mbylljen për shkak të krizës së vitit 1997 duke u sjellë si radikal.

Por ja që radikalizmi qëllon të jetë më i dëmshëm se minimalizmi në zhvillime që zgjidhin padrejtësi shekullore. Koha sjell në skenë sfida të reja, që sugjerojnë, këshillojnë e kërkojnë nga aktorët shqiptarë një gjë: të dëgjojmë SHBA, të shkojmë përkrah SHBA-se, në respekt të BE-së gjithashtu. Kjo është edhe më e rëndësishme sot, pas dy dekadash në liri, kur investimet amerikane në Kosovë janë shumë më të mëdha. Spekulimet patriotike jashtë bashkërendimit me SHBA nuk pinë ujë.

Për t’u kthyer te fotomontazhi ku e nisëm këtë shkrim: Efektet e postimit të tij në kulmin e përplasjeve brenda PD-së janë të dyfishta, s’ka rëndësi i mendon apo jo postuesi: në një anë mund të nxisin militantët berishistë të sulmojnë selinë e PD-së me alibinë se ajo është marrë peng nga “Policia e Edi Ramës”.

Nga ana tjetër mund të të venë në sedër Bashën dhe drejtuesit e tjerë zyrtarë të PD-së që të refuzojnë mbrojtjen policore, nëse ajo do të duhej, për të mos u dukur se po kërkojnë ndihmën e “Policisë së Edi Ramës”. Dikush mund të dëshirojë ta mendojë selinë e PD-së si një zonë të lirë jashtë juridiksionit të ligjeve të shtetit. Apo, më keq akoma, si arenë vetëgjyqësie. Në fakt, mjedisi politik në PD po minohet me gënjeshtra dhe spekulime shpërthyese që ndërsa apelojnë urtësinë e atyre që kanë shumë për të humbur në një përplasje force, kërkojnë të veprojë ligji i shtetit.

Kush duhet të reagojë kur një person i akuzuar nga Partia Demokratike si trafikant shqelmon dhe hap me forcë dyert e selisë së saj siç ndodhi dje? Janë naivitete dhe budallallëqe këto që nuk e thërras Policinë sepse do më thonë është e Edi Ramës apo po të mbrojti Policia të ka mbrojtur Edi Rama! Policia është e shtetit. Para Ramës, gjatë Ramës, pas Ramës, gjithmonë. Policia ka përgjegjësi të mbrojë rendin, institucionet, njerëzit, kudo ku është e nevojshme ndërhyrja e saj.

Nuk i duhet lenë asnjë centimetër hapësirë dhe asnjë sekondë kohë vetëgjyqësisë që nxitet me lloj-lloj gënjeshtrash. Gënjeshtrat vërtet i kanë këmbët e shkurtra, por dëmin mund ta bëjnë sa pa u dalë boja sheshit. Kjo nuk duhet të ndodhë. Partia Demokratike është institucion që funksionon në bazë të Kushtetutës, ligjit organik për Partitë, statutit dhe rregulloreve të saj të brendshme. Opozita është vetë demokracia. PD zyrtare po sillet drejt dhe me maturi, në shmangie të çdo provokimi, duke thënë se selia është e demokratëve, pavarësisht se kë mbështesin e kë kontestojnë ata. Kjo është një betejë nervash që po kanalizohet si betejë ligjore dhe duhet të përfundojë si e tillë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *