4 Dhjetor, 2022

Saimir Tahiri në burg, Sali Berisha i lirë

 Saimir Tahiri në burg, Sali Berisha i lirë

Nga Carlo Bollino

Nuk kam besuar kurrë në fajësinë e Saimir Tahirit, të cilin personalisht nuk e kam renditur kurrë krah trafiqeve kriminale. Në të vërtetë nuk isha në dijeni as se një i afërm i tij ishte supertrafikant që vazhdonte trafikun e drogës duke përdorur makinën e ministrit të Brendshëm deri në momentin kur lajmi doli në media. Për vite me radhë i besoja pafajsisë së tij, edhe pasi pashë se provat që vinin nga Italia nuk e gozhdonin Saimir Tahirin përballë asnjë përgjegjësie konkrete. Dënimi, edhe pse i çuditshëm për shpërdorim detyre dhe jo edhe për bashkëpunim me trafikun e drogës që shpërdorimi i tij i detyrës do të kishte favorizuar, më detyron gjithësesi të rishoh bindjet e mia. Dua të bësoj në Drejtësinë e re dhe në këtë mënyrë duhet të pranoj idenë se Saimir Tahiri është me të vërtetë me faj. Por ama, pikërisht sepse besoj në këtë Drejtësinë e re e shoh të pabesueshme që Sali Berisha të jetë akoma i lirë nga çdo dënim.

Dje, në një nga monologët e tij të pafundë e të sikletshëm televizivë (si gjithmone intervistë pa pyetje) iu kthye në mënyrën e tij temës së pasurisë së fëmijëve të vet: ”Fëmijët e mi nuk janë të varfër, në një kuptim relativisht. A kanë të drejtë fëmijët e mi të bëjnë biznes?  Nëse fëmijët e mi kanë përfituar ndonjë qindarkë në marrëdhënie me sektorin publik me sektorin qeveritar me shtetin ajo është e paligjshme. Nëse kanë fituar një qindarkë nga nën kontraktorë të shtetit e paligjshme, s’ka ndodhur dhe as nuk ka për të ndodhur kurrë”.  Kështu gënjen prej 15 vitesh. Fëmijët e tij ne fakt janë miliarderë dhe vetëm fakti që dy të rinj pa ndonjë talent specifik, të lindur në vendin më të varfër të Europës, të bëhen miliarderë ndërsa babai i tyre ishte kryeministër, është një element i një dyshimi të madh.

Por mistifikimi i vërtetë është se Sali Berisha shtiret se i beson që paratë e vjedhura janë vëtëm ato të marra ilegalisht nga arkat e Shtetit. Korrupsioni është edhe një gjë tjetër. Shpesh korrupsioni prodhon para ”të pastra”, por të gjeneruara nga burime klienteliste. Fakti që Argita Berisha ka arkëtuar qindra mijëra euro në konsulenca ligjore të paguara nga biznesmenë që ndërkohë përfitonin favore nga Sali Berisha kryeministër, e bën atë një avokate të ndershme? Fakti që dhëndri i tij Jamarber Berisha ka investuar dhjetëra milionë euro në ndërtimin e 19 kullave pa treguar asnjëherë prejardhjen e atyre parave, e bën atë një ambjentalist me kapitale trasparente?

Fakti që djali i tij Shkëlzen Berisha është pasuruar falë konsulencave misterioze apo ndërmjetësimeve në afera që shpesh vareshin nga leje dhe konçesione me origjinë qeveritare, e bën atë një konsulent të pastër? Përgjigja e gjithë ketyre pyetjeve është “JO!”. E megjithatë Sali Berisha ia lejon ende vetes luksin që të gënjejë për origjinën e pasurimit të familjes së tij, thjeshtë për faktin se ndryshe nga sa po i ndodh Saimir Tahirit, asnjë prokurori nuk ka guxuar ta hetojë atë.

Eshtë kjo dhe arsyeja që ai këmbëngul duke thënë se Departamenti i Shtetit nuk ka prova kur akuzon gjithë familjen për korrupsion: pasi është i bindur se ka bërë “një punë të pastër”, duke penguar çdo prokurori të gjejë provat që e fajësojnë. Në realitet provat janë dhe shumë janë publikuar edhe nga pak gazetarë që kanë kurajon t’i tregojnë (ne mes tyre), e do të mjaftonte pak për SPAK-un që të përdorte ato prova për të bërë më në fund hetime të thelluara. I pari që duhet t’i kërkojë këto hetime duhet të jetë vetë Sali Berisha, nëse është i sigurtë për ndershmërinë e tij. Përkundrazi, jo vetëm që kundërshton çdo lloj trasparence, por është i gatshëm të sulmojë, shpifë, kërcënojë çdo institucion që i afrohet atij dhe familjes së tij, duke konsideruar si atentat politik edhe kërkesën më të thjeshtë për zbatimin e ligjit.

Sali Berisha është simboli i vërtetë i Anti-Shtetit. Denimi i Saimir Tahirit mund të tregojë se Shteti me ne fund ka nisur të funksionojë, por me kusht që të funksionojë njësoj për të gjithë, ndryshe është një formë akoma më e keqe e padrejtësisë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *