Sabit Brokaj: Takimi sekret i Fatos Nanos në SHBA dhe si ndihmoi Berishën të vinte në pushtet, vetëm që të bëhej ministër

Në kujtimet e tij, Sabit Brokaj shkruan për një takim sekret të Fatos Nanos në SHBA.
“Në janar të vitit 1992 Nano njofton në kryesinë e PS-së se duhej të shkonte në Romë për një vizitë. Në fakt, prej Rome ai shkoi në Nju Jork në një takim, ku midis bashkëbiseduesve ishin edhe Biberajt.
Në takim, që zgjati për orë të tëra pa ndërprerje, Nano, me përulësi, u kish kërkuar mbështetësve të ardhjes në pushtet të PD-së, në shkëmbim të ndihmës për fitoren, të paktën, t’i jepnin postin e ministrit të Jashtëm.
Kohë më vonë, kur ky takim u muarr vesh, Nano në konfidencë më tha se ishte nën një presion të fortë psikologjik.
Meqenëse mendoja se Nano kishte njoftuar të paktën shokët kryesorë të kryesisë (nënkryetar, sekretar) për këtë takim dhe se nuk duhej bërë publik, këtë informacion nuk ia tregova njeriu.
Ishte e pamundur që unë të mendoja atëherë se kryetari i partisë shkon në një takim kaq të rëndësishëm për fatin e PS-së dhe të vetë vendit, pa folur me njerëzit e tij më të ngushtë.
Aty nga fundi i vitit 1993, kur një grup deputetësh ishin në Zvicër për një seminar, duke biseduar me E.R, vura re se ai kishte përshtypjet më të këqija për Nanon.
Unë, duke e ditur se për të ishte e njohur historia e takimit të Nju Jorkut, i thashë konkluzionin për ngjarjen, që tashmë mendoja se ai e dinte. Ai u befasua dhe më tha se nuk kishte dijeni, gjë që më habiti.
Duke qenë se ky takim ishte mbajtur i fshehtë nga shokët kryesorë të PS-së, por që në njëfarë mënyre shpjegonte edhe pasivitetin aq shumë të kritikuar të Nanos në fushatën e vitit 1992, unë, pasi u ktheva në Tiranë, e bisedova me S.P, i cili, gjithashtu, nuk kishte dijeni deri atëherë…”, shkruan Brokaj.