10 Qershor, 2023

Sabit Brokaj: Dy njerëzit që u futën kriminalisht në jetën time! E kuptova shumë vonë se nuk isha burra

 Sabit Brokaj: Dy njerëzit që u futën kriminalisht në jetën time! E kuptova shumë vonë se nuk isha burra

Dalja e Nanos nga burgu:

U takuam në PS. Këmbyem mendime për vizitat në Tepelenë, Vlorë etj. Ai iku në Selanik për 2-3 javë. Pasi u kthye nuk u përshëndetëm. Një mbrëmje, pas orës 21°°, më telefonon dhe, në stilin e tij më thotë: – Vendi ka nevojë për burra…

E kundërshtova në telefon. Më kërkoi të shkoja në shtëpi. Prej kohës që kishte dalë nga burgu nuk i kisha shkuar më në shtëpi, qoftë edhe ta uroja për lirimin nga burgu.

Pasi u përshëndeta me Xhinën dhe Thanasin, veçmas më hapi bisedën për qeverinë. I thashë se nuk e mendoja veten ministër në asnjë ministri, pasi për mua ishte më mirë deputet dhe pedagog-klinike. Në qoftë se do të bëhej fjalë, mund të ishte për Ministër të Shëndetësisë. Më thotë se kjo ministri i është lënë PBDNJ-së, pasi nuk mund t`u japë atyre ministri të tjera.

Më nxori një letër ku ishte lista e qeverisë së ardhshme, e shkruar me stilolaps. Më tha se e kishte këshilluar me Y. Bufin. Unë përsëri kundërshtova për ministër Mbrojtje. Më tha që emrin tim për atë ministri e kishte konsultuar edhe me ambasadoren Lino. Natyrisht, që nuk e besova, por dihet që në atë kohë si unë edhe ai ishim në të njëjtën mendje që qeveria duhej krijuar sa më parë dhe shteti duhej vënë në punë pas gjithë asaj masakre të vitit 1997.

Iu futa punës me të gjitha forcat e mundësitë e mia të sinqerta e shtetndërtuese. Riktheva në shërbim ushtarakët më të devotshëm e më të përkushtuar. Po ndihej besimi te shteti dhe në sajë të tyre u arrit që, nga një ushtri e shpartalluar, të organizohej edhe një paradë.

Isha tërësisht i përqendruar te detyra. Nuk dija dhe nuk kisha kohë të mendoja që pas asaj katrahure nga e cila doli vendi ynë, Fatos Nano të kish në mendje të prishte aq shpejt qeverinë e sapovënë në punë, duke më larguar mua si ministër i Mbrojtjes, Neritan Cekën si ministër i Rendit dhe Arta Daden si ministre e Kulturës.

Nuk dua të merrem me sjelljen dhe trajtimin që i bëri F. Nano detyrës së tij si kryeministër, as për marrëdhëniet tona të ftohta deri edhe acaruese, por më ka ardhur keq që ai nuk vlerësoi devotshmërinë dhe prezentabilitetin si ministër të Neritan Cekës dhe Arta Dades.

Megjithatë, duhet të them se janë dy njerëz që u futën kriminalisht në jetën time: Sali Berisha dhe Fatos Nano që, për të dy në periudha të ndryshme, kam qenë njeriu, i cili u dhash besnikërinë dhe mbështetjen e një dashamirësi dhe një njeriu të hapur. Kur e bëra këtë, isha në majat e forcave të mia publike dhe shkencore, por që e kuptova shumë vonë se  mirënjohja, besa dhe burrëria nuk ishin cilësitë e karakterit të tyre!…

Konfliktet e mia me Fatos Nanon

Përpara se të shtjelloj arsyet e konflikteve të mia me Fatosin, më duhet të bëj një shënim e të them se, deri para daljes së tij nga burgu, mendoj se kam qenë një nga njerëzit e tij të afërt që, për arsye të profesionit, hyja në shtëpinë e tij për kujdesin shëndetësor të prindërve, edhe kur ai ishte i dënuar.

Gjithashtu, ish-bashkëshortja e tij, Rexhina, në takimet e saj të shpeshta me mua, mendoj se ndiente në familjen time një nga shokët besnikë të Fatosit, gjë që e kam dëshmuar në disa raste, sidomos kur u punua peticioni, atëherë, kur disa prej anëtarëve të kryesisë diskutonin deri qenien e tij si kryetar i PS-së. Si mbështetja, edhe kritikat e mia dashamirëse për të, kanë qenë gjithmonë për ushtrimin korrekt dhe me përgjegjësi të  detyrës  si kryetar i PS dhe si kryeministër.

Ka qenë ai, që pozicionin tim ndaj tij e trajtoi me ligësi e cinizëm, deri në prishjen e marrëdhënieve tona. Ndonëse pati dy raste reflektimi pendese ndaj meje, të shfaqura në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, e ashtuquajtura për “katarsis”, dhe e dyta, në një mbledhje me strukturat e PS-së në Durrës, ai për mua mbeti një njeri që i bashkoi armët kundër meje bashkë me Sali Berishën. Unë ndaj tij dhe PS-së nuk ndryshova. Ai ndryshoi ndaj meje dhe ndaj PS-së.

Edhe ju që mbështetni F. Nanon, edhe unë që nuk i thërras në këtë emër, jemi socialistë…

(Diskutim përballë disa ithtarëve të F. Nanos )

Fatos Nano nuk është as i juaji dhe as imi. Atëherë, ku dallojmë ne, pra, unë nga ju? Ju jeni lënda, kontingjenti i fundit që ai e përdor dhe e shfrytëzon. Ju e doni Nanon se e shihni si personifikim i PS-së. Këtu ndikon edhe mentaliteti tradicional dhe që ju gabimisht e konsideroni si armik konsekuent të Berishës.

Unë dalloj nga ju, duke qenë si ju socialist, se nuk pëlqej dhe nuk pranoj mënyrën si e mori karrigen e k/ministrit, duke e mbajtur vendin në krizë gati dy vjet, duke hipur dhe hequr nga karrigia tri qeveri socialiste me kryeministra, siç thuhet, pa bordero, në mënyrë që t’i hiqte kur të donte dhe të diskreditonte këtë gjeneratë, duke mos ndier asnjë përgjegjësi se ata po qeverisnin një popull të tërë dhe jo shtëpitë e tyre. Ata po qeverisnin një vend në krizë, ku kërkohej përvoja, aftësitë dhe pjekuria. Pas kësaj, çfarë vlere kanë kritikat ndaj tyre, kur ky, F.Nano, ishte njeriu që kurdisi çudira të tilla?…

Unë dalloj nga ju, se mendoj që F. Nano është pikërisht personi, i cili e mbajti dhe e mban Berishën direkt dhe indirekt, nëpërmjet k/ministrave që zgjodhi.

Unë dalloj nga ju, se nuk mund të pranoj se si e përdor ai pushtetin, duke kryer veprime të paligjshme, madje edhe në dëm të interesave kombëtare.

Unë dalloj nga ju, duke qenë socialist si ju, pasi mendoj se Nano e ka shkëputur, ose po e shkëput fatin e tij nga socialistët edhe prej naivitetit politik, duke qenë kryetar i PS-ës.

Unë jam socialist si ju, që e dua partinë të bashkuar, pasi e di që, në një parti të copëzuar, të rrudhur në kushtet e luftës politike në Shqipëri dhe terrenit shoqëror në të, është vështirë të fitosh, por, në dallim nga ju, mendoj se tashmë, pas kaq vitesh plot me konflikte, turpe, denigrime etj. Nano nuk mund ta bashkojë Partinë.

Unë jam socialist si ju, por dalloj nga ju se nuk pranoj justifikimin e rënies në përqindje të fitores në këto zgjedhje për shkak të konsumimit të pushtetit. Unë them se pushteti konsumon vetëm ata që keqqeverisin, ndërsa rrit ata që mirëqeverisin.

Unë jam socialist si ju, por që mendoj se konferencat dhe kongreset që kthehen në tifozeri dhe nuk bëhen me përgjegjësi duke zgjidhur probleme, por me ulërima, jo vetëm nuk i sheshojnë konfliktet, por i radikalizojnë ato.

Unë jam si ju, socialist, por në dallim nga ju, ndjehem keq për ju, sepse, sa herë konfliktohem me Nanon, nuk kam bërë asnjë veprim të papranueshëm ndaj Partisë, ose ndaj jush. Për këtë më vjen turp, që kjo klimë krijohet pikërisht kur ne pushtetërojmë.

Unë dalloj nga ju, se nuk përtyp dot e të pranoj që kryetari im jo vetëm nuk parandalon krizën, por e thellon atë për më keq akoma. Ai arrin të dezertojë dhe për këtë as nuk i skuqet faqja fare dhe nuk ndien asnjë përgjegjësi ligjore si garanti ynë për sigurinë kombëtare.

Unë, në dallim nga ju, e kam të vështirë të pranoj që, në kushtet e fjalimeve euroantlantike të integrimit, kryetari im dhe juaji, nga gjykime apo paragjykime, mund të gjejë siguri te maqedonët, por që nuk është i mirëpritur në trevat e tjera shqiptare për veprimet politike mendjelehta ose të qëllimshme, që kanë dëmtuar atë dhe ne.

Unë dalloj nga ju, se mendoj që zotësia e kryetarit është:

–           Të bashkojë Partinë.

–           Të rritë prestigjin e saj.

–           Të kompaktësojë Partinë.

–           Të jetë model politik i formuar.

–           Të ruajë prestigjin e vet me guxim.

–           Të sigurojë dhe t’i rritë aleancat.

–           Të jetë model i ushtrimit të pushtetit.

Ju e doni edhe pa këto cilësi. Unë fola dhe do të jem kështu për ata socialistë si dhe për njerëzit e mi, që, nga qëndrimet e mia ndaj Nanos, e kanë pësuar nga politika. Unë fola për ata socialistë prej jush, që kanë luftuar me mua në vitet e opozitës, që nuk kanë bredhur pas gavetës që mund t‘u ofronte Berisha, ose Nano, pasi këta janë socialistë të sojit tjetër…

Pse them se F.Nano nuk mund të jetë kryeministër i Shqipërisë?

–           Sepse koha tregoi (1991,1993) që nocioni i tij nuk kishte synim rinovimin e partisë, pavarësisht nga tezat parimore, por u bë me synim që të ruante postin në një kohë që vërejti se po ia rrezikonin. (Zhvillimet provuan se ai e kërkoi mbështetjen, pikërisht kur ishte kryeministër, se më 1997-98, kur ne kishim mundësi të plota ta çmontonim me themel pushtetin e korruptuar dhe kriminal të Sali Berishës, ai lejoi të plekseshin segmente të PS-së me ato të PD-së, duke e vështirësuar shumë luftën kundër korrupsionit dhe trafiqeve.)

–           Sepse, pikërisht në ato vite, ai me gjithë informacionet e vazhdueshme për grushtin e shtetit, bëri ndryshimet në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Ministrinë e Rendit (Në prokurori është dorëzuar një urdhër i brendshëm mbi dorëzimin e ministrisë turmave, por që u kundërshtua deri nga oficerë, pikërisht nga ata që ishin larguar nga shërbimi në ushtri në vitin 1997-98).

–           Sepse asnjëherë nuk arriti të vendosë unitet dhe solidaritet në PS, përkundrazi, ishte mbjellës i përçarjeve dhe i uljes së prestigjit të saj.

–           Sepse kapriçot e tij kishin më shumë rëndësi se vetë Partia Socialiste.

–           Sepse ka një mospërputhje të sensit kritik me aftësinë për t’u korrigjuar.

–           Sepse ka një dashuri të madhe për njerëzit me vese e të kompromentuar, pranon që bizneset të kenë një shtyllë të paligjshme për të qenë imponues mbi zotëruesit e tyre; sejmenët, mercenarët, duke ndier kështu kënaqësinë perverse të poshtërimit të tyre.

Për Dritëro Agollin

(poet, shkrimtar, person publik)

Dritëroi ishte dhe do të kujtohet si një personalitet me cilësi të rralla si njeri, si politikan, si krijues dhe si familjar. Në të tri këto pozicione ai të sfidonte me ndershmërinë, patriotizmin, dinjitetin, trimërinë, mençurinë dhe dashurinë njerëzore.  Ai rëndonte shumë në partinë socialiste   dhe për mua ka qënë një krenari frymëzuese, një model NJERIU i kohës së sotme. Në të gjitha planet që ta shikosh Dritëroin, ai është  i mirënjohur në të gjithë vendin.

Nuk ka krahinë, ku të mos ketë shkelur e ku të mos jetë miqësuar me njerëz të thjeshtë, intelektualë, punëtorë e fshatarë. I hapur dhe miqësor, i ndjeshëm e njerëzor, gatishmëria për të ndihmuar cilindo nevojtar, ishin disa tipare të tjera thelbësosre të tij. Në çdo rast ishte vetvetja. Me inteligjencë e shpesh herë me humor thumbues, krejt të papritur, dilte nga situata, sado e vështirë që të ishte. Po veçoj një nga ngjarjet, ku unë kam qenë me të.

Në gjysmën e parë të viteve ’90 u kërkua nga banorët e Dropullit një takim me Dritëroin. Dihej që një nga problemet më delikate dhe të rëndësishme për ta do të ishte pronësimi mbi tokën.

Sipas ligjit 7501 banorët bëheshin pronarë të tokës, por këtë e kundërshtonin pronarët e vjetër. Kjo ishte arsyeja që zbatimi i këtij ligji po vonohej dhe banorët e kësaj zone ishin të shqetësuar. Momenti ishte delikat për Dritëroin, sepse ai kishte votuar kundër këtij ligji dhe në favor të pronarëve të vjetër.

Në Derviçan banorët na pritën ngrohtë, si kudo ku shkonte Dritëroi. Para takimit, Dritëroi më tha që ta merrja  unë fjalën i pari, kurse ai do t‘u përgjigjej pyetjeve. Dhe ashtu u bë. Natyrisht, pyetja qendrore ishte ajo e pronësisë së tokës.

Pasi u diskutua gjatë me argumetet pro dhe me rezerva në zbatimin e tij, u krijua një situatë nervoze dhe atmosferë e mërzitshme. Në këtë moment ndërhyn Dritëroi:

“Ju siguroj zbatimin e ligjit edhe këtu tek ju (atë ligj që ai nuk e kishte votuar në parlament). Lidhur me pretendimin e pronarëve të vjetër, do të vendoset një kufi përcaktues i pronës sipas përkatësisë së pronarëve; atyre të vjetër dhe atyre të rinj. Mos e teproni me vjetërsinë e pronarëve, se të gjithë pronarët janë kalimtarë në këtë jetë. Pronarë të patjetërsueshëm do të mbeteshin banorët e parë të tokës. Ata janë pronarët e parë të vërtetë.”

Pas kësaj ndërhyrjeje të mençur, takimi u mbyll me duartrokitje.  Për të respektuar Dritëroin, për drekë na çuan në Janinë, ku morën pjesë edhe ca miq grekë të Dritëroit, midis tyre edhe një shkrimtar që e simpatizonte Shqipërinë, por që i vinte keq për shkatërrimet që kishin ndodhur.

Dhjetë vitet e fundit të jetës së Dritëroit ndoqa nga afër gjendjen e tij shëndetësore. Ngaqë ai nuk ankohej, vështirësohej ekzaminimi mjekësor. Sikur të mos ishte Sadija, një kujdestare shumë e vëmendshme dhe e ndjeshme, gjendja shëndetësore nuk do të mund të ndiqej mirë.

Pasi e bindëm që të bënim një bilanc tërësor të shëndetit të tij, u kryen ekzaminimet dhe analizat për të gjitha organet. Në fund të ekzaminimeve u kënaqa që tre organet jetësore të prekshme nga alkooli (dihej që prej vitesh ai konsumonte rregullisht shumë alkool), nuk ishin prekur. Organi më i dëmtuar ishte mushkëria, pasojë e duhanpirjes së shumtë dhe prej një kohe të gjatë.

Kur Dritëroi më pyeti për gjendjen, i thashë: -Je me fat që ke qeliza cerebrale disa miliarda mbi normë që, megjithëse alkooli ka dëmtuar shumë prej tyre, juve ju kanë mbetur miliarda të tjera që ju lejojnë jetë cerebrale normale, madje krijuese. Të njëjtin gjykim do të thosha edhe për mëlçinë dhe zemrën. I erdhi mirë, por njëkohësisht, ai e shfrytëzoi këtë si argument për të refuzuar ekzaminimet mjekësore të mëpastajme.

Në krijimtarinë e tij Dritëroi ka shkruar, ndoshta më shumë se kushdo tjetër, për vdekjen. Ka biseduar dhe ka pirë raki me të dhe e ka sfiduar. Njerëzit e ditur e kanë të ndërgjegjësuar këtë fenomen të pashmangshëm jetësor. Ka disa prej tyre, përfshirë edhe Dritëroin, që duke mos patur fobi për atë, të mos ankohen për sëmundjen dhe të përballojnë shqetësimet që për njerëzit e zakonshëm janë të padurueshme. Për këtë arsye, ekzaminimet mjekësore lidheshin vetëm me shqetësimet që na transmetonte “doktori” i shtëpisë, Sadija.

Me rëndimin e gjendjes, ndonjëherë kërkohej edhe trajtimi në kushtet spitalore, por Dritëroi kundërshtonte. Ai mund ta pranonte sëmundjen, por jo psikozën e të sëmurit.

Ndaj, ankesat e tij ishin të pakta. Kohët e fundit, megjithëse atij i duhej të merrte oksigjen, sepse vështirësia në frymëmarrje ishte e dukshme, ai nuk ankohej për bezdinë që i krijonin tubat e vegjël të oksigjenit.

Në çaste të tilla të vështira të jetës së tij, kur shumica, për të mos thënë të gjithë të sëmurët, e kalojnë me ankth e me shumë ankesa, ai vizitat mjekësore i kalonte si një takim i zakonshëm jomjekësor, ku biseda zhvendosej nga sëmundja në probleme të tjera shoqërore, politike, me shqetësimin e njeriut të vërtetë, që e do vendin dhe popullin e tij.

 

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *