5 Dhjetor, 2022

Sa lehtë iu griska maska Erion Veliajt

 Sa lehtë iu griska maska Erion Veliajt

Nga Andi Bushati

Ka mjaftuar një ‘incident” i vogël, pak guxim aktivistësh revolucionarë që nuk i tremben të vërtetës, për të na provuar edhe njëherë sa e dobët dhe e paqëndrueshme është fasada butaforike pas të cilës fshihet pushteti. Në 8 dhjetor, në ditën e Rinisë, Erion Veliaj kishte organizuar një show nga ato të zakonshmit në Pallatin e Kongreseve. Asgjë nuk mungonte aty nga repertori i tij.

As mburja me Tiranën si kryeqyteti Europian i rinisë, as servilosja e pështirë ndaj Ramës përmes sloganit: “Tirona në zemrat tona”, as hipokrizia e zakonshme: “jemi pak për tu përçarë”, as tingujt e çiftit Marsela Çibukaj- Vitmar Basha, as pjesmarrja e ministrave dhe ambasadorëve.

Por tollumbacja popmoze e këtij manifestimi, një prej të shumtëve në funksion të shplarjes masive të trurit, u shfry shumë shpejt nga disa aktivistë të majtë. Pak të rinj të Organizatës Politike, nga ata që nuk kanë nguruar ti hedhin bojë apo tu’a nxjerrin atë edhe kryeministrit, kryeparlamentares së sotme edhe qendrave tregtare të oligarkëve, dolën në skenë.

Duke shkallmuar etikën e të qenit politikisht korrekt, ata i kujtuan kryebashkiakut, vrasjen e Ardit Gjoklajt në Sharrë, 20%-shin për lejet e ndërtimit në Tiranë, betonizimin e qytetit dhe tarifat e larta për studentët. “E vërteta e rinisë nuk është tek spektakli, por tek kushtet e mjerueshme tek të cilat ata punojnë” klithi njëri nga protestuesit, ndërkohë që kryebashkiaku fliste, duke i yshtur badigardët e tij ta nxirrnin jashtë.

E gjitha kjo do të kalonte si një sherr episodik, nga ato që shumica e mediave të regjimit përpiqen ti fshehin, sikur me marazin e një fëmije të përkëdhelur dhe me symbylltësinë e një politikani që beson vetëm tek manipulimi, Veliaj të mos kishte reaguar. Ai nxori me nxitim në rrugë punonjësit e pastrimit të bashkisë për të fshirë grafitet murale të Organizatës Politike. Ai akuzoi për këtë marksistët e rinj që po stërmundonin klasën punëtore në një ditë pushimi. Sikur të mos mjaftohej me këto ai yshti TV e mëdha të godisnin lëvizjen e Arlind Qorrit.

Pra mjaftuan vetëm një grusht kurajozësh, që besojnë në kauzat që mbrojnë dhe që nuk kanë frikë ti bërtasin ato ditën për diell, për ta nxjerë si qesharake dhe treguar si jo efikase makinerinë gjigande të propagandës bashkiake. Vetëm disa mesazhe të thjeshta, i bënë pluhur dhe hi gjithë milionat e harxhuara për të celebruar ditën e rinisë në Pallatin e Kongreseve.

Dhe më pas, ky “provokim” qe i mjaftë për të na përplasur para syve Veliajn e vërtetë. Atë që në një ditë feste, thyen kodin e punës duke i përdorur bojaxhinjtë e bashkisë, njësoj siç përdoret vetë prej Edi Ramës: për të ngjyrosur muret. Atë që me një sms i urdhëron mediat për botimin e lajmeve të manipuluara.

Ata që na e mundësuan këtë qenë aktivistët e rinj të Organizatës politike. Ata e bënë pa u trmbur, madje duke marë parasysh edhe koston e dhunës së badigardëve edhe atë të përgojimit nga mediat e regjimit. Ata e bënë duke e ditur, se ashtu sikurse thoshte që në shekullin e XVII, Blaise Pascal, e vërteta i dëmton ata që e thonë, ndonëse u bën mirë atyre që e dëgjojnë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *