Rrëzohet helikopteri, ministri bën 12 orë me not për të shpëtuar

Ministri i Rendit të Madagaskarit notoi për gati 12 orë për të arritur në breg pasi helikopteri i tij u rrëzua në det të martën.
Serge Gelle ishte një nga dy të mbijetuarit. Dy persona të tjerë, një xhandar dhe piloti, janë të zhdukur dhe dyshohet se kanë vdekur.
“Unë nuk do të vdes ende, falë Zotit, fshatarëve dhe peshkatarëve të Mahambo,” – deklaroi ministri.
“Nuk kam asnjë lëndim, vetëm jam ftohur. Do të kthehem në punë brenda 24 orëve,” – shtoi ai.
Ministri Gelle dhe një xhandar u gjetën të ndarë në brigjet e plazhit Mahambo, rreth 75 km në veri të Toamasina, qyteti port kryesor në Madagaskarin lindor.
Drejtori i autoritetit detar, Jean-Edmond Randrianantenaina deklaroi se dy burrat u gjetën nga banorët vendas në vende të ndryshme.