30 Nëntor, 2022

Rrëfimi: Vizita e parë e Edi Ramës në PD, si u përplas me Gramoz Pashkon (dhe përqafimi me Berishën)

 Rrëfimi: Vizita e parë e Edi Ramës në PD, si u përplas me Gramoz Pashkon (dhe përqafimi me Berishën)

Është një ndër anëtarët e shumtë që dezertoi nga PPSH-ja në ditët më të vështira të saj, për t’iu bashkuar themelimit të PD-së, por ndër të rrallët që flasin hapur. Në diktaturë ishte pedagog që referonte edhe tema të edukimit politik, ndërkohë që ka mbajtur dhe postin e zëvendësministri të Mjedisit.

Protagonisti i ngjarjeve historike që përmbysën komunizmin në Shqipëri, Arben Demeti, vjen  me një rrëfim origjinal sipas togfjalëshit “mbaj mend”. I njëjti stil që është përdorur edhe nga 49 autorë të tjerë, që së bashku ia kanë besuar në një libër kujtimet dhe refleksionet e tyre Bislim Ahmetajt, kryetarit të grupimit “Dhjetor ’90”.

Si grupimi, quhet edhe libri. Të 50-të autorët sjellin dëshmi të pastra, autentike, nga të gjitha auditorët: të Universitetit të Tiranës, atij të Shkodrës, Universitetit Bujqësor, atij Ushtarak etj. Raportime nga kryqëzimi para Liceut Artistik, nga rrugët dhe hyrjet e ngushta për në Qytetin Studenti, nga sheshi “Demokracia”, nga Godina 15 e Qytetit Studenti, nga salla e pritjeve të Pallatit të Brigadave, nga mensat 7-8, nga Amfiteatri i ILB-së, nga Kinoklubi i Qytetit Studenti, nga auditorët e Shkodrës, nga sheshi “Skënderbej” etj.

Pra, nga ajo çfarë flitej “nën dritën e diellit” e deri te bisedat sekrete në skutat më të thella të Tiranës. Nga të gjitha këto vende kemi përzgjedhur me shkurtime momentet më interesante të kujtimeve të Arben Demetit, pikërisht atë çfarë ai vetë mban mend…

Nga Arben Demeti

Pas mbarimit të degës Elektrike në Fakultetin e Inxhinierisë, në periudhën 1978-1988 kam punuar si inxhinier elektrik në TEC-in e Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit. Viti 1990 më gjeti në këtë pozicion pune… Në pranverën e vitit 1990, gjatë zborit ushtarak të fakultetit, isha caktuar të referoja tema të edukimit politik. Kjo më dha mundësinë që të flisja për disa tema të guximshme për kohën. Ndërkaq, ngjarjet e 2 korrikut të ambasadave patën rëndësi dhe ndikim të jashtëzakonshëm. Në shtator filloi viti i ri akademik. Në atë periudhë kryheshin zgjedhjet e rinisë. Unë isha i deleguar nga organizata e Partisë në disa organizata rinie.

Vura re që studentët i kishin përjetuar shumë fort ngjarjet e 2 korrikut, ishin të traumatizuar dhe të terrorizuar. Populli kishte fituar një natyrë reflektive dhe vetëmbrojtëse. Konstatova një apati të theksuar te studentët. Përpiqesha t’i nxitja me pyetje, por shihja pandjeshmëri të plotë nga çdo lloj ngacmimi. Këtë apati e shpjegoja me faktin se studentët, si dhe një pjesë e madhe e popullit, ishin në një fazë vetëmbrojtje. Data 25 tetor, largimi nga Shqipëria i shkrimtarit të madh Ismail Kadare, shënoi një pikë kulmore ndaj periudhës apatike disamujore. Kjo ngjarje i dha një shtysë të jashtëzakonshme ndërgjegjes së brendshme qytetare për të arritur drejt një ndryshimi të madh politik. Kam ndjekur me detaje çdo element që kish te lidhje me këtë ngjarje. Largimi i Kadaresë pati ndikim shumë të madh në mjediset universitare. Studentët u çliruan nga koraca vetëmbrojtëse, aktiviteti i tyre u gjallërua, reagimi ndaj situatës u kanalizua në drejtimin e duhur. Në javën e fundit të nëntorit, në Fakultetin e Inxhinierisë u publikua një letër e hapur që i drejtohej kryeministrit së asaj kohe, Adil Çarçanit. Kjo letër, e shkruar në një format të madh, në formë fletë-rrufeje, ishte afishuar te dera e Fakultetit. Në këtë letër, hartuar në emër të Komitetit të Rinisë së Fakultetit, renditeshin disa kërkesa ekonomike, të cilat nuk kishin të bënin vetëm me përmirësimin e kushteve të jetesës në Qytetin Studenti, por edhe me përmirësimin e kushteve të familjeve shqiptare në të gjithë vendin.

Në letër dallohej, midis rreshtave, edhe një frymë tjetër me nënkuptimin që për t’i plotësuar këto kërkesa, duheshin bërë ndryshime thelbësore, dhe kjo shprehej nëpërmjet një batute të tipit “nuk mund të bëhet xhaketë e re me copë të vjetër”. Kjo mund të interpretohej në mënyra të ndryshme. Unë pata dëshirën dhe interesin ta interpretoja në kuptimin e gjerë këtë letër. U interesova se kush e kishte shkruar dhe afishuar. Më thanë se e kishte shkruar Pandeli Majko, sekretar i Komitetit të Rinisë së Fakultetit, student në vitin e katërt të Inxhinierisë Mekanike. Unë nuk e njihja Pandeli Majkon, por nëpërmjet dy studentëve të mi, e takova. Isha shumë i interesuar për të zbuluar të gjitha elementet e letrës, sidomos ato “pas fasadës”. E pyeta rreth letrës, e pyeta se kush e kishte shkruar, e pyeta nëse e kishin shkruar letrën me mendimin dhe iniciativën e tyre, apo i kishte udhëzuar njeri se si ta shkruanin.

Ai më tha se e kishin shkruar ata vetë, ashtu siç e kishin menduar. E pyeta specifikisht për shprehjen e “xhaketës së vjetër”. Ai nuk kishte atë interpretim që prisja unë, por gjithsesi, ishte pozitiv, i qëndronte letrës dhe kishte vendosmërinë që të mbronte ato që ishin shkruar. Letra bëri efektin e duhur. Qeveria u shqetësua nga kjo afishe. Kryeministri Adil Çarçani dërgoi këshilltarët e tij për të marrë kontakt me studentët, kontakte të cilat kishin natyrë presioni më shumë, sesa interes për të dëgjuar shqetësimet e studentëve. Përgjatë dy javëve, para 8 dhjetorit, një ekip i Kryeministrisë ishte në kontakte të vazhdueshme me studentët, në Fakultetin e Inxhinierisë dhe në konviktet e Qytetit Studenti, për plotësimin e kërkesave të studentëve me qëllim që ajo të mos zgjerohej dhe shpërthente. Unë mbaja kontakte me autorët e letrës, Pandeli Majkon dhe dy studentë të Inxhinierisë Elektrike, Petrit Zeqiri dhe Arben Tahiri, djem të shkëlqyer, shumë të vendosur dhe me kontribut të jashtëzakonshëm në ato ngjarje. Në biseda me të tre ua bëra të qartë se kjo lëvizje nuk duhet të rrudhet, sepse mund të ketë pasoja për ata.

Unë këshillova që lëvizja të masivizohej me biseda nga të gjitha grupet e studentëve nëpër auditorë, ku të trajtohej letra me këto kërkesa dhe të zbërtheheshin idetë e saj. Ata nisën menjëherë takimet duke shfrytëzuar orët e leksioneve në sallat e mëdha dhe me prezencë masive të studentëve. Në atë kohë, orët e mësimit ishin 90-minutëshe. Ata, si përfaqësues të Komitetit të Rinisë, i kërkonin paraprakisht pedagogut përkatës që t’i lejonte që të zhvillonin një bisedë me studentët në auditor. Në disa prej këtyre bisedave kam qenë i pranishëm. Këto ishin takime shumë interesante, mjaft të përparuara dhe të guximshme për kohën. Biseda detyrimisht kanalizohej edhe në elemente të sistemit politik. Pandeli Majko fliste për pluralizëm mendimi, kuptohet, për aq sa ishte artikuluar në takimin e presidentit Ramiz Alia me intelektualët në gusht 1990. Idetë e tyre ishin shumë pozitive, por të pamjaftueshme për të dhënë një goditje elektrizuese dhe për të nxitur një situatë cilësisht të re.

THEMELUES I PD, ANËTAR I PPSH

Në datën 13 dhjetor, me iniciativën e dy studentëve, u organizua një takim në sallën e rektoratit me pyetje-përgjigje nga studentë, pedagogë dhe intelektualë. Nga salla jam pyetur se cili do të ishte qëndrimi im në vazhdim, pasi unë isha anëtar i PPSH-së. Kam thënë se isha shumë i lumtur që kishim fituar pluralizmin politik, kishim krijuar PD-në, që kisha dhënë kontributin tim në këto ngjarje historike, por kam deklaruar se do të vazhdoja të qëndroja në Partinë e Punës për të dhënë kontributin tim atje, sepse kjo parti kishte shumë nevojë për reformim të thellë.

Studentët reaguan fort duke më thënë që të shkoja në PD. Studenti i Elektronikës, Spiro Curra, ishte më insistuesi. Them me bindje se ishte takim i jashtëzakonshëm, ndonëse nuk është folur për të. Është takimi më i famshëm në historinë e sallës së madhe të Rektoratit të Universitetit të Tiranës. Pasditen e 13 dhjetorit u organizua një mbledhje e madhe në sallën e mbushur plot të Kinoklubit të Qytetit Studenti, ku ishin të pranishëm jo vetëm drejtuesit e Lëvizjes, por edhe studentë, intelektualë dhe qytetarë të thjeshtë të Tiranës. Mbledhja u drejtua nga një presidium i improvizuar i përbërë nga Sali Berisha, Azem Hajdari e Arben Imami. Qëllimi i mbledhjes ishte për të zgjedhur forumin drejtues provizor të Partisë Demokratike. Ky forum u quajt edhe Komisioni Nismëtar i PD-së. Saliu propozoi kryetar të Komisionit Nismëtar Azem Hajdarin, i cili kishte fituar statusin e liderit të Lëvizjes Studentore.

Propozimet për në Komisionin Nismëtar u bënë nga presidiumi ose nga persona në sallë dhe u aprovuan me votim të hapur nga të gjithë të pranishmit. Përbërja fillestare e tij prej 15 vetash ishte: nga 6 studentë – Azem Hajdari, Shenasi Ramaj, Arben Lika, Blendi Gonxhe, Tefalin Malshyti dhe Alma Bendo (Mimoza Ferraj); nga 5 intelektualë: Arben Imami, Sali Berisha, Gramoz Pashko, Preç Zogaj dhe Mitro Çela; si dhe nga 4 përfaqësues të klasës punëtore: Ilir Myftari, Sokrat Nesturi, Merita Zaloshnja dhe Zenel Hoxha. Në përbërjen fillestare të Komisionit mungojnë emrat e Eduard Selamit, Aleksandër Meksit, Genc Rulit, Edmond Budinës, Bardhyl Resos, Petrit Dodbibës, Arben Sulës, Arben Meçes etj., të cilët kanë qenë që në fillim pjesë aktive e këtij forumi drejtues. Personalisht kërkova që të mos propozohem për t’u zgjedhur, pasi do të vazhdoja jetën partiake për reformimin e Partisë së Punës.

ARDHJA DHE DËBIMI I EDI RAMËS

Mbledhja e parë (e zgjeruar) e Komisionit Nismëtar u mbajt në një zyrë në katin e dytë të Drejtorisë në Qytetin Studenti. Mbledhja u drejtua nga Gramoz Pashko. Mbledhja pati për qëllim që të bënte një ndarje të parë të detyrave për organizimin e ardhshëm të partisë, për përgatitjen e statusit, të programit elektoral, për dokumentacionin, për shtypin, për financat, për shërbimet etj. Në mbledhje u krijuan disa grupe pune, si: grupi elektoral organizativ, grupi i shtypit, grupi i financave, grupi i sekretarisë etj. Genc Pollo u caktua zëdhënës i PD-së. Gjatë kësaj mbledhjeje, papritur hyri Edi Rama. Ai ishte një figurë e njohur në rrethet intelektuale, pedagog i pikturës, protagonist në veprimtaritë progresive me studentët në Institutin e Lartë të Arteve.

Kontributi i tij pozitiv në lëvizjen demokratike ishte i padiskutueshëm, por ai mungoi në ditët më të stuhishme të Lëvizjes së Dhjetorit dhe shpalljes së pluralizmit politik në Shqipëri. Ai na tha se kishte qenë jashtë shtetit dhe ishte kthyer në Shqipëri atë ditë, pra më 13 dhjetor. Ne e mirëpritëm Edi Ramën për shkak të emrit dhe kontributit të tij pozitiv në lëvizjen demokratike. E ftuam që të merrte pjesë në mbledhje dhe e ulëm në krye të tavolinës bashkë me Gramoz Pashkon. Gjatë gjithë kohës, ndërsa ne diskutonim me shqetësim e përgjegjësi, Edi Rama ndërhynte me arrogancë duke na ndërprerë e kundërshtuar vazhdimisht.

U krijua një situatë e papranueshme. Ai, ndonëse kishte munguar në ato ditë të stuhishme me një intensitet shumë të lartë ngjarjesh e që sollën një realitet politik cilësisht të ri, nuk kishte as minimumin e modestisë, maturisë dhe përgjegjshmërisë. Ne, të gjithë, gjithsesi të kujdesshëm, filluam të shfaqnim shenja kundërshtimi dhe nervozizmi. Kur Edi Rama pa që po kundërshtohej nga të gjithë, në një moment tha: “Po të jetë kështu, unë po iki fare”. Në atë moment, Gramozi, të cilit i kishte ardhur në majë të hundës, i tha gjithë duf: “Epo, mirë, ik o Edi, se na mërzite”. Ai u ngrit duke folur me zë të lartë, përplasi derën dhe u largua. Prania e tij në mbledhje zgjati 20-30 minuta. Ky ka qenë kontakti i parë dhe i vetëm i Edi Ramës me PD-në. Ai nuk ka pasur më asnjë kontakt tjetër institucional.

BASHKIMI IM ZYRTAR ME PD

Të nesërmen, më datë 14 dhjetor, shkova në fakultet. Më njoftojnë për një mbledhje të Organizatës Bazë të Partisë. Mbledhja ishte thirrur posaçërisht për mua. Aktiviteti intensiv për pluralizmin politik dhe krijimin e Partisë Demokratike, sidomos takimi i bujshëm i datës 13 dhjetor në sallën e madhe të Rektoratit, nuk mund të kalonte aq lehtë. Që në fillim të mbledhjes m’u kërkua që të shpjegoja hollësisht veprimtarinë time të ditëve të fundit. Për rreth 45 minuta, me mjaft qetësi e siguri, shpjegova konceptin tim për pluralizmin politik, duke e lidhur me aktivitetin e ditëve të fundit. Shpreha bindjen se pluralizmi politik ishte fitore madhështore që do të ndikonte shumë pozitivisht në demokratizimin e jetës së vendit, por theksova se “unë jam këtu sepse Partia e Punës ka shumë nevojë për korrigjime dhe reformim të thellë”.

Vërshuan pyetjet, shumë prej të cilave mund të përmblidheshin në një të vetme: Si ka mundësi që ti, duke qenë anëtar i PPSH-së, të punosh kaq aktivisht për krijimin e një partie tjetër? Në vazhdim m’u kërkua në mënyrë të përsëritur që të shpjegohem më mirë dhe të reflektoja për veprimtarinë time. Me qetësi e vendosmëri theksova se kisha shpjeguar gjithçka, gjykoja se nuk kisha bërë asnjë gabim dhe prandaj nuk kisha se për çfarë të reflektoja. Ky ishte qëndrimi im, ata të vepronin si ta mendonin.

Ata hezitonin, nuk e di çfarë udhëzimesh kishin. Më në fund konkluduan: “Shko, dëgjo fjalën e shokut Ramiz dhe reflekto! Nesër do të mblidhemi përsëri dhe do të vendosim”. Pas shpalljes së pluralizmit politik, Ramiz Alia kishte mbajtur një fjalim (rreth një orë) për situatën e re në një forum të PPSH-së. Ky fjalim dëgjohej i regjistruar në mënyrë të organizuar për çdo një orë, me grupe kuadrosh komunistë në Komitetin e Partisë së Tiranës (sot godina e PS-së), në sallën e madhe të mbledhjeve (sot restorant). Në orën 18:00 ishte radha e kuadrove komunistë të Universitetit të Tiranës. Unë shkova bashkë me pedagogun Myrteza Braneshi, i cili banon te në Qytetin Studenti. Ishte hera e parë që shkelja në atë godinë. Në pritje, në hollin e madh të mbushur plot me pedagogë nga të gjitha fakultetet, ndieja shumë vështrime armiqësore; më konsideronin sikur isha “macja e zezë” në atë ambient.

U ulëm qetësisht diku nga mesi i sallës, në fillim të rreshtit. Në dukje indiferent, po dëgjoja me shumë vëmendje fjalën e Ramiz Alisë, jo vetëm përmbajtjen, por edhe tonin e timbrin e zërit. Pas disa minutash nuk po u besoja veshëve për atë çfarë dëgjoja. Presidenti Ramiz Alia i datës 12 dhjetor ishte tjetërsuar krejtësisht si Sekretar i Parë i KQ të PPSH. Aty nga mesi i fjalimit i them në vesh shokut tim: “Myrto, e vendosa. Nuk mund të rri më këtu. Do të kthehem me ty në Qytetin Studenti për t’u bashkuar me PD-në”. Atë mbrëmje u ktheva në Qytetin Studenti. Një dhomë, në katin e parë të Godinës Nr. 15, ishte kthyer në zyrën e parë të PD-së. Në korridorin e ngushtë u përballa me Sali Berishën. “U ktheva unë, Doktor. Nuk mund të qëndrohej më atje”, i thashë, duke shpjeguar shkurtimisht mbi fjalimin e Ramiz Alisë. “Shumë mirë bëre, Arben”, më tha ai duke më përqafuar. Ky ishte përqafimi i parë dhe i vetmi me Sali Berishën. Data 15 dhjetor shënon shkëputjen time përfundimtare nga Partia e Punës dhe fillimin zyrtarisht të detyrës së shefit të Organizimit të PD-së. Aktiviteti i parë ishte një takim me kuadro në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan…

“REFLEKSIONET” E RAMËS

Në ato ditë dhjetori, në Institutin e Lartë të Arteve organizoheshin seanca të një aktiviteti shumë interesant: “Refleksionet” e Edi Ramës dhe Ardian Klosit me studentë dhe qytetarë të Tiranës. Duke qenë se ne ishim shumë të interesuar për çdo lloj aktiviteti publik, sidomos ato me pjesëmarrje të studentëve, unë i kam ndjekur personalisht në sallë thuajse të gjitha seancat e “refleksioneve”. Nuk ka asnjë dyshim se “refleksionet” ishin një aktivitet shumë i mirë dhe me efekt mjaft pozitiv për kohën, por ishin vënë re disa elemente të parakohshme që mund ta acaronin situatën dhe ta radikalizonin atë, gjë për të cilën PDja nuk ishte aspak e interesuar. Edi Rama kishte mbetur praktikisht jashtë politikës. Për këtë arsye, në pozitat e anarkistit të papërgjegjshëm, ai luante rolin e “radikalit” duke artikuluar teza të parakohshme dhe të rrezikshme, që mund të çonin në konflikt social. Ai ishte thjesht një individ që përgjigjej vetëm për veten e tij, por në rast se situata radikalizohej, ai me siguri “do të fshihej mbas gaxhoit”.

Në të kundërt, PD-ja kishte një përgjegjësi shumë të madhe për mbarëvajtjen e zhvillimeve demokratike në vend. Në këto kushte, ndoshta në javën e fundit të dhjetorit, me kërkesën time dhe me ndërmjetësinë e Arben Imamit, u organizua një takim në sallën e madhe të shfaqjeve të Institutit të Lartë të Arteve, të mbushur plot, kryesisht me studentë të Arteve. Në presidium ishin: Arben Imami, Edi Rama dhe unë. Qëllimi kryesor i takimit ishte ballafaqimi i tezave të Edi Ramës me qëndrimet e PD-së. Ne synonim që ta mposhtnim dhe neutralizonim Edi Ramën pikërisht “në fushën e tij dhe para spektatorëve të tij”. Takimi ishte shumë i suksesshëm. Në ia arritëm plotësisht qëllimit. Pas takimit, Edi Rama u izolua thuajse plotësisht dhe u bë praktikisht i parrezikshëm. Ai pati edhe një tentativë tjetër të veçuar personale.

Në një miting te stadiumi “Qemal Stafa” rrëmbeu mikrofonin dhe u bëri thirrje njerëzve për t’iu sulur Bllokut qeveritar. Situata u bë shumë e rrezikshme, por me ndërhyrjen e aktivistëve të PDsë dhe të qytetarëve të përgjegjshëm, ajo u qetësua dhe u normalizua, duke u shmangur kështu ndoshta një gjakderdhje me pasoja të paparashikuara. Dhjetori ’90 dhe ditët në vijim ishin një periudhë kohe e papërsëritshme, e një pune madhështore shumë intensive, mbushur me ngjarje të panumërta, nga më të ndryshmet. Në atë periudhë koha kishte tjetër dimension: dita dukej javë, java dukej muaj, muaji dukej vit. Pas zgjedhjeve parlamentare të datës 31 mars 1991, kisha ndjesinë se periudha dhjetor ’90 – mars ’91 kishte zgjatur disa vite. Këtë ndjesi vazhdoj ta kem edhe sot.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *