5 Dhjetor, 2022

Rrëfimi i rrallë i Sofikës, gruas së Koçi Xoxes, për arrestimin e tij

 Rrëfimi i rrallë i Sofikës, gruas së Koçi Xoxes, për arrestimin e tij

Memorie.al publikon historinë e rrallë dhe të panjohur të Koçi Xoxes me origjinë nga Kolonja, por i lindur në vitin 1911 në fshatin Negovan të Follorinës në Greqi ku familja e tyre ishte vendosur për arsye ekonomike, i cili pasi studioi dhe u diplomua shkëlqyeshëm në gjimnazin klasik të Selanikut në vitin 1929, ku u njoh për herë të parë me idetë dhe literaturën komuniste e grupet marksiste-leniniste që vepronin asokohe në Greqi, u kthye në qytetin e Korçës, duke u bërë më pas një nga themeluesit e celulës së parë komuniste në Shqipëri dhe nënkryetar i Grupit Komunist të Korçës, që në fillimin e viteve ’30-të, e kryetar i Shoqërisë ‘Puna’ në vitin 1936, ku në votimet që u mbajtën atë vit, populli i Korçës e zgjodhi në funksionin e kryetarit të Bashkisë, por nuk u lejua nga qeveria e Mbrertit Zog, pasi ishte arrestuar e burgosur disa herë për veprimtari komuniste. Pjesëmarrja e Koçi Xoxes në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste të Shqipërisë në nëntorin e ’41-it, (ku ai shkoi një ditë me vonesë, për shkak se u mor me organizimin e demonstratës së 7 nëntorit të atij viti në qytetin e Korçës ku mbeti i vrarë i riu komunist, Koci Bako), ku për kontributin e madh në lëvizjen komuniste, u zgjodh në mungesë, si antar i Komitetit Qendror provizor, e më pas si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare që nga 10 korriku i vitit 1942 në mbledhjen e Labinotit, delegat në Kongresin e Përmetit në 24 maj 1944, ku i’u dha grada gjeneral-leitnant dhe në mbledhjen e Beratit në tetorin e atij viti u zgjodh nënkryetar i qeverisë së kryesuar nga Enver Hoxha. Karriera brilante e Xoxes menjëherë pas mbarimit të Luftës duke ngjitur shkallët e hierarkisë partiake dhe shtetërore, si sekretar organizativ i Partisë Komuniste Shqiptare, anëtar i Kryesisë së Përgjithshme të Frontit Demokratik të Shqipërisë, deputet i Kuvendit Popullor, ministër i Punëve të Brendshme dhe zv/kryeministër i ‘qeverisë demokratike’, duke qenë figura numër dy e Shqipërisë komuniste, pas gjeneral-kolonel Enver Hoxhës. Fotot e panjohura dhe dëshmitë e rralla të dy djemve të tij, Gencit dhe Fatosit, të cilët për herë të parë hedhin dritë rreth historisë së panjohur të familjes së tyre dhe babait, Koçi Xoxe, marrëdhëniet dhe raportet e tij me Enverin, si dhe arsyet e vërteta të goditjes dhe eliminimit fizik të tij, si dhe fatin tragjik të tyre pas vitit 1949, kur atë e pushkatuan diku në një pyll në periferi të Tiranës, (aty ku është ish-Kinostudio “Shqipëria e Re”), ku ndodhen edhe sot eshtrat e tij!

Nga Dashnor Kaloçi

(Vijon nga numrat e kaluar)

Dredhia e Enverit pas arrestimit të Koçi Xoxes!  

Pas shkarkimit të Koçi Xoxes nga posti i Ministrit të Punëve të Brendshme, në vend të tij Enveri projektoi gjeneral-major Mehmet Shehun, i cili menjëherë mbas marrjes së detyrës, vuri në postet kyçe të asaj ministrie, njerëzit më besnik të tij dhe Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit, e morën në dorë këshilltarët sovjetike (kolonelët Sokolov dhe Voleskini), të cilët kontrollonin pothuaj gjithçka në Ministrinë e Brendshme. Duke parë pozitat e forta të vartësit apo dhe rivalit të tij Koçi Xoxe, Enveri fillimisht, nuk e pa të arsyeshme që ta shkarkonte atë menjëherë nga të gjitha postet dhe të bënte arrestimin tij, sepse në Ministrinë e Brendshme, ishin akoma të gjithë njerëzit më të besuar dhe besnik të Xoxes. Sipas dëshmive të disa ushtarakëve të lartë që kanë shërbyer asokohe në Ministrinë e Brendshme dhe atë të Mbrojtjes, Enver Hoxha, për t’ju shmangur ndonjë incidenti apo puçi ushtarak të mbështetësve të Koçit, nuk e arrestoi menjëherë atë pas shkarkimit si Ministër i Brendshëm. Ndonëse Enveri e kishte para planifikuar fundin e rivalit të tij, ai përdori një dredhi të hollë për të “amortizuar” ndonjë reaksion të përkrahësve të Xoxes në radhët e Ministrisë së Brendshme.

Kështu, pas shkarkimit të Xoxes, Enveri emëroi menjëherë në vend të tij në postin e Ministrit të Brendshëm, kolonel Nesti Kerenxhin, një nga njerëzit më besnik të Koçit. Me atë gjë, ai dukej sikur ju thoshte njerëzve të Xoxes se: “Vërtetë ua hoqa njeriun tuaj nga ajo ministri, por nuk po e flak në rrugë, pasi po e caktoj ministër në një vend tjetër dhe aty po u sjell, zëvendësin e tij dhe njeriun me besnik të Koçit dhe tuajin”. Skema e Enverit funksionoi ashtu siç e kishte menduar ai dhe në radhët e kolonelëve dhe ushtarakëve të tjerë të lartë që mbanin pozitat kyçe në atë ministri, nuk pati reagime të mëdha. Kur nuk kishin kaluar veçse pak ditë nga emërimi i Koçit si Ministër i Industrisë, më 31 tetor 1948, ai u përjashtua nga të gjitha funksionet zyrtare, partiake e shtetërore dhe më 22 nëntor me vendim unanim të Kongresit, u përjashtua dhe nga partia. Pas kësaj Enver Hoxha urdhëroi arrestimin e menjëhershëm të tij dhe Pandi Kristos, bashkëpunëtorit më të ngushtë të Xoxes. Pas këtyre, u arrestuan dhe një numër i madh ushtarakësh të lartë që kishin qenë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Koçi Xoxes, si Nesti Kerenxhi, Vaskë Koleci e Myftar Tare të cilët kishin mbajtur postet e zv/ministrave të Brendshëm, si dhe shumë pasues të tjerë të tyre.

Bashkëshortja Sofika: Ja si e arrestuan Koçin!

Lidhur me arrestimin e Koçi Xoxes, bashkëshortja e tij Sofika, pak kohë para se të ndërronte jetë, kur ishte afër të 90-ve, dëshmonte: “Ditën e arrestimit të Koçit, unë dhe fëmijët e përjetuam me shumë dhimbje, por pa u alarmuar për shkak se unë isha mësuar me arrestimet dhe burgosjet e shumta të tija, që nga koha e Luftës. E mbaj mënd si tani atë ditë të 28 nëntorit të vitit 1948, kur Koçi pasi kishte biseduar në telefon me Bedri Spahiun, i cili i kishte kërkuar atij që ai të shkonte me një shërbim diku. Në atë kohë para shtëpisë sonë mbërriti makina e Koçit me shoferin dhe një shoqërues. Koçi doli dhe u nis vetëm për tek Bedri Spahiu, i pashoqëruar nga asnjeri. Më pas na telefonuan nga Ministria e Brendshme dhe na kërkuan rrobat e tija. Pas kësaj ne e kuptuam se e kishin arrestuar dhe prisnim me ankth se çfarë do të ndodhte me të.

Ankthi im për Koçin kishte filluar që para Kongresit të Parë të PKSH-së, kur filluan sulmet ndaj tij në plenumet e aktivet e tjera të Partisë. Fillimisht Koçin e dërguan duke e izoluar në kazermat e ‘Pallatit të Brigadave’, ku ishte një shtëpi e vjetër që nga koha e Zogut që nuk e di se përse funksiononte. Më pas atë e dërguan në ‘Burgun e Vjetër’ të Tiranës, (burgu te “Mine Peza”, ku e mbanin nën masa të rrepta sigurie të rrethuar me shumë policë dhe ushtarë. Pas një muaj shkuam për ta takuar unë me vjehrrin (babain e Koçit, Dhimitrin), motrën time, dhe fëmijët e rritur. Dy muaj më pare, unë kisha lindur djalin e vogël, Besnikun që ishte fëmija i gjashtë. Pas asaj dite, na lejuan që ta takonim dhe njëherë, që ishte dhe takimi ynë i fundit me të. Duhet të ketë qenë fundi i muajit maj kur shkuam për ta takuar dhe ishim të gjithë të familjes, bashkë me motrën time dhe babanë e Koçit.

Teksa fëmijët rrinin si të mpirë me kokën ulur, Koçi ju drejtua djalit të madh Gencit, duke i thënë: Mos e mbaj kokën ulur. Ty nuk ka pse të vijë turp që unë jam këtu në burg. Unë kam luftuar dhe punuar 20 vjet për Shqipërinë, kurse tani për këto dy vjet, po më thonë se kam gabuar! Por ja ku po ua them të gjithëve, unë nuk kam bërë asgjë me kokën time, nga këto që më akuzojnë këta. Unë kam vepruar vetëm në bazë të vendimeve të Byrosë politike dhe të Komandantit, Enver Hoxhës.

Unë jam i pafajshëm dhe po më akuzojnë për arsye të padrejta politike. Teksa Koçi po na thoshte këto fjalë, ndërhyri kolonel Halim Xheloja (më vonë gjeneral dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), i cili ishte i pranishëm në takimin tonë. Ai na tha që të bisedonim vetëm për probleme familjare dhe të mos zinim në gojë gjëra të tjera. Ndërkohë, Koçi i tha: Jo, dhe familja ime duhet ta dijë të vërtetën, që unë nuk kam bërë asnjë faj. Po kështu në atë takim, më kujtohet që ai u tha fëmijëve të dëgjonin mamanë dhe gjyshin për atë kohë që ai nuk ishte në shtëpi dhe vajzës Lirikës, që ajo të mos e linte mësimin e pianos, por të vazhdonte atë me Jorigjinë (Truja).

Për herë të fundit ne e kemi takuar Koçin në fundin e muajit maj 1948, pak para se ta pushkatonin. Ai ishte dobësuar shumë nga torturat që i kishin bërë dhe mezi e njohëm. Ai ishte i veshur me pizhame dhe përsëri na porositi ato që na kishte thënë në takimin e pare, se ai ishte i pafajshëm dhe nuk qëndronte asgjë nga ato akuza që i bëheshin. Ai ju drejtua babait të tij, Dhimitrit: Baba, ti i di mirë detyrat e tua. Të lutem, mos ju drejto askujt për mua. Të jesh i bindur se unë jam i pafajshëm dhe një ditë historia do t’a thotë fjalën e saj. Këtë gjë, t’i bashkë me Sofikën, t’ua thoni dhe fëmijëve që edhe ata ta dinë këtë.

Të keni besim se një ditë do të dalë e vërteta. Unë jam i pafajshëm. Pas kësaj ne nuk e takuam më. Siç kemi marrë vesh më vonë, atë e kanë pushkatuar natën e dhjetë korrikut të vitit 1949, në një vend të fshehtë, që ne as sot e kësaj dite nuk kemi mundur që ta mësojmë. Të paktën të ketë dhe ai një varr si gjithë të tjerët”, kujtonte Sofika, bashkëshortja e Xoxes, lidhur me takimin e fundit dhe amanetet që i’u la bashkëshorti i saj, Koçi, pa kohë para se ta pushkatonin.

Enveri në Moskë për procesin e Xoxes

Rënien dhe dënimin e Koçi Xoxes, Moska zyrtare nuk e la thjeshtë si dënim të një kundërshtari të Enver Hoxhës. Sipas disidentit hungarez, Georges Herman Hodos, i cili është marrë gjerësisht me çështjen Xoxe, Stalini me Berian, urdhëruan që Xoxe nuk duhej zhdukur vetëm fizikisht, por ai duhej të bëhej shembull, si një udhëheqës i orientimit jugosllav dhe duhej demaskuar si një kriminel, tradhtar dhe vegël ordinere e imperializmit. Por më e rëndësishmja dhe më kryesorja sipas analistit Hodos, për sovjetikët në atë çështje, i akuzuari kryesor duhet të dilte jo Xoxe, por Josif Broz Tito. Në “rolin e ri”, që sovjetikët i kishin caktuar Xoxes, i duhej që ai t’i griste maskën padronit të tij jugosllav, Marshallit Tito, duke e paraqitur atë si agjent kryesor të shërbimeve perëndimore të Zbulimit. Për këtë gjë, këshilltarët sovjetik punuan dhe e zgjidhën detyrën që u ishte ngarkuar, aq sa ç’mund të kryhej në ato rrethana. Kështu, Xoxe dhe grupi i tij torturoheshin natë e ditë, që nga fundi i nëntorit 1948 kur ata u arrestuan.

Aty nga marsi i vitit 1949, Ministria e Punëve të Brendshme, mundi më në fund të lajmëronte Stalinin, se ishin nënshkruar protokollet e para inkriminuese. Në atë kohë, në fundin e muajit mars të atij viti, Enver Hoxha u thirr në Moskë për të marrë udhëzimet përkatëse rreth procesit të Xoxes e grupit të tij që po përgatitej të inskenohej. Procesi kundër Koçi Xoxes dhe të ashtuquajtur “bandë e tij” të akuzuar si “agjentë, sabotatorë dhe bashkëpunëtorë të jugosllavëve”, u zhvillua me dyer të mbyllura, duke filluar nga 12 maji vitit 1949. Në akt-akuzë, ata fajësoheshin se kishin organizuar një komplot për rrëzimin e qeverisë shqiptare në bashkëpunim me Titon dhe se kishin planifikuar vrasjen e udhëheqësve të partisë, duke synuar t’ia bashkonin Shqipërinë, Republikës Federative të Jugosllavisë.

Po kështu në atë akt-akuzë, thuhej se ai grup vepronte i ngarkuar nga shërbimet imperialiste perëndimore, për të krijuar me shtetet Ballkanike, një bllok antisovjetik. Xoxe u akuzua se kishte vendosur në pozita kyçe të Partisë, pjesëmarrës të komplotit, më ndihmën e Pandi Kristos, shefit të Komisionit Qendror të Kontrollit, se ai kishte ngarkuar Vango Mitrojorgjin, shefin e tij të Sigurimit, që të arrestonte elementët armiq të Titos, në udhëheqjen e Partisë, se detyrat që i kishte dhënë Nesti Kerenxhit, Kryetarit të Zyrës Shtetërore të Planifikimit, paskej qenë sabotimi i ekonomisë shqiptare dhe integrimi i saj në ekonominë jugosllave.

Pas këtyre, në 8 korrik 1949, shtypi njoftoi me një lajm të shkurtër vendimin e Gjykatës së Popullit, se Xoxe ishte dënuar me vdekje, kurse Pandi Kristo, me njëzet vjet punë të detyruar. Kundër Kerenxhit, Mitrojorgjit, zëvendës Ministrit të Brendshëm, Vaskë Kolecit dhe shefit të Seksionit Qendror të propagandës Nuri Hutës, u dhanë afate të gjata burgimi. Pas dy ditësh, me 10 korrik 1949, u krye dhe ekzekutimi i Koçi Xoxes. Pas këtij procesi, vijuan dhe procese të tjera ku u burgosën, pushkatuan apo u internuan, me dhjetëra të tjerë të akuzuar si “koçixoxistë dhe titistë”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *