3 Shkurt, 2023

Rrëfimi i gazetarit: Si snaiperët amerikanë ishin duke e vrarë Edi Ramën dhe kush e shpëtoi

 Rrëfimi i gazetarit: Si snaiperët amerikanë ishin duke e vrarë Edi Ramën dhe kush e shpëtoi

Nga Kastriot Myftaraj

Në një nga këto ditë e gjeta Ylli Dylgjerin të dëshpëruar, në një nga kafeteritë e bllokut në Tiranë kur rri shpesh.

-Kjo është periudha më e gjatë në jetën time pa punë dhe pa rrogë- më tha.

-E ke merituar si Osman Gazepi, por qoftë me kaq – i thashë unë duke pasur parasysh një histori që Ylli Dylgjeri e di.

Osman Gazepi kishte qenë një oficer i lartë i Monarkisë, i afërt me Zogun dhe i njohur për shakatë e tij. Një djalë, Piro Gazepin e kishte partizan me Brigadën e Parë Partizane ku ai u vra. Osmani doli të kërkonte djalin.

Gjatë udhëtimit të tij nëpër male gjeti Enver Hoxhën të cilit kishte shpëtuar jetën në 1938 kur deshi ta vrasë një oficer matjan i Gardës mbretërore sepse Enveri kishte marrëdhënie dashurore me Princeshën Maxhide, motrën e Zogut.

Osmani ia shpëtoi jetën Enverit se kishte pasur mik kunatin e Enverit, Bahri Omarin. Kur Enveri e takoi përsëri Osmanin në 1944 ishte udhëheqës komunist. Enveri i premtoi Osmanit se kur të fitonin komunistët do ta bënte gjeneral.

Në të vërtetë Enveri me të marrë pushtetin e futi Osmanin në burg nga ku e nxorri Mehmet Shehu se kishte pasur djalin e tij në brigadë. Por Osmani me të dalë nga burgu vdiq në rrethana të dyshimta sepse dinte një histori kompromentuese për Enver Hoxhën.

Në 19 shkurt 2000 Madeleine Albright, në atë kohë Sekretare e Departamentit të Shtetit vizitoi Tiranën. Meqënëse Zonja Albright kishte pasur ndikim vendimtar në kryerjen e fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë, për clirimin e Kosovës dhe në Beograd në shkurt 2000 ishte ende në pushtet Miloshevici, kishte rrezik për ndonjë atentat serb ndaj Sekretares së Shtetit. Prandaj vizitën e Zonjës Albright në Tiranë u morën masa të posacme sigurie edhe nga amerikanët.

Përgjatë itinerarit që do të përshkonte Zonja Albright dhe përreth ndërtesave ku ajo do të hynte kishte snaiperë amerikanë të pozicionuar mbi ndërtesa. Vecanërisht në ndërtesa të caktuara përreth Kryeministrisë dhe Presidencës ishte ndaluar hapja e dritareve dhe dalja e njerëzve në dritare. Në atë kohë nuk ishin kullat binjake përballë Kryeministrisë, as ndërtesa të tjera të larta që janë sot në zonën përreth.

Në atë kohë selia e Ministrisë së Kulturës ishte në pjesën anësore të ndërtesës përballë Kryeministrisë (selia e Kuvendit) Dritaret shikonin pikërisht në hyrjen e Kryeministrisë ku do të zbriste Zonja Albright. Ministër i Kulturës ishte Edi Rama.

Kur pritej ardhja e Zonjës Albright hapet një dritare në zyrat e Ministrisë së Kulturës dhe shfaqet Edi Rama me një send të gjatë në dorë, që i alarmoi snaiperët amerikanë të vendosur mbi lartësinë e Piramidës.

Sendi që mbante në dorë Edi Rama ishte një nga ato dylbitë e vjetra-tub me zgjatje të segmentuar, që atij ia kishte dhënë Artan Lame, miku dhe vartësi i tij. Dylbia mund të ngatërrohej fare mirë për një armë të maskuar.

Snaiperët amerikanë e vunë në shënjestër dhe me siguri do ta kishin qëlluar por ndërhyri sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Rendit Publik (Ministria e Brendshme) Ylli Dylgjeri i cili mbikqyrte operacionin me porosi të ministrit të Brendshëm. Ylli Dylgjeri i shpëtoi jetën Edi Ramës.

Sot Ylli Dylgjeri duhet t’ ia dijë për nder Edi Ramës që nuk e ka pësuar si Osman Gazepi. Dhe ta mbajë gojën mbyllur.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *