Roli i Sali Berishës në politikën e tanishme në Shqipëri

Partia e Punës së Shqipërisë-partia komuniste, e cila sundoi Shqipërinë për 47 vjet, e tregoi veten të jetë një organizëm me imunitet shumë të lartë vetëmbrojtës nga rreziqet. PPSH ndryshoi emrin në 1991 në Partia Socialiste dhe sot e ka mbetur e vetmja parti ish-komuniste europiane dikur në pushtet, e cila është në pushtet.
Lufta e brendshme politike në PPSH zhvillohej sipas logjikës se mekanizmi imunitar i partisë me të cilin e kishte identifikuar veten Enver Hoxha, eliminonte “viruset”, pra ata që i shihte si kundërshtarë, ose thjesht të papëlqyeshëm. Por ndodhte që në këtë luftë të brendshme Enver Hoxha të ishte i detyruar që të përdorte disa nga ata që i shihte si “viruse”, por që i shërbenin për të asgjësuar të tjerët. Të dytëve do t’ u vinte radha më vonë. Enver Hoxha ngriti Mehmet Shehun në 1948 për ta përdorur kundër Koçi Xoxes dhe të tjerëve që i shikonte si kundërshtarë ose të padëshiruar dhe më vonë pasi nuk i duheshin më shërbimet e tij si spastrues, e eliminoi me anë të të tjerëve.
Sali Berisha si politikan është një produkt i luftës së brendshme politike brenda PPSH. Në këtë kuptim ai është një “virus” i prodhuar në laboratorin politik të Ramiz Alisë në 1990. Ramiz Alia e dinte që për të mund të kishte një rol në politikë vetëm si arbitër i nevojshëm mes palëve që në këtë rast do të ishin Fatos Nano, të cilit Alia i la trashëgim partinë dhe Sali Berisha, si lider opozitar. Alia mendonte se edhe partnerët e rinj të huaj të Shqipërisë do ta çmonin vlerën e tij në këtë rol stabilizues në politikën shqiptare.
Ramiz Alia e kuptonte që Sali Berisha për nga karakteri ishte një njeri i vështirë për t’ u kontrolluar, por Ramiz Alisë i duhej një njeri si Berisha për ta pasur si kundërpeshë ndaj Fatos Nanos dinak dhe për të dalë vetë si arbitri mes tyre.
Por Ramiz Alinë e shpërfilli i pari Nano i cili nuk i dha as teserën e anëtarësisë së PS, gjë për të cilën Alia ankohet në librat e tij me kujtime. Sali Berisha kur mori pushtetin në 1992 u soll me Ramiz Alinë si Enver Hoxha me Koço Tashkon. Koço Tashko e ngjiti Enver Hoxhën në skenën e politikës së lartë duke e marrë me vete në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste në 1941. Enver Hoxha më pas e burgosi Tashkon për të treguar se nuk ia detyronte atij ngjitjen në politikë. Për të njëjtën arsye Sali Berisha e burgosi dy herë Ramiz Alinë.
Politika shqiptare e pas vitit 1990 nuk është gjë tjetër veçse një luftë e brendshme midis grupeve të ndryshme të shkëputur nga PPSH, të cilët sipas rastit gjejnë aleatë nga lëvizjet politike më të vogla të krijuara në vend, me prejardhje politike të para vitit 1945.
Lufta e armatosur e vitit 1997 në Shqipëri ishte në realitet një luftë civile brenda ish-PPSH për të eliminuar kundërshtarin e brendshëm që kishte marrë pushtetin duke dalë nga kontrolli i partisë.
Problemi kryesor i politikës shqiptare sot është se në thelb partitë më të rëndësishme politike janë zhvillime me prejardhje të drejtpërdrejtë nga struktura e PPSH. Pra, e keqja e politikës shqiptare sot është se nuk po çlirohet dot nga PPSH, e cila sundon vendin drejtpërdrejt nëpërmjet PS dhe kontrollon opozitën me PD dhe LSI.
Sali Berisha tani është në rolin e “virusit” të dalë jashtë kontrollit laboratorik dhe kjo është një gjë e dobishme për mjedisin politik shqiptar sepse ky “virus” tani po sulmon organizmin politik të 1990-ës që sot përfaqësohet nga dyshja Edi Rama-Lulzim Basha.
Sa më shumë dëm që t’ i bëjë këtij organizmi politik, “virusi” Sali, aq më mirë është./Kastriot Myftaraj