1 Shkurt, 2023

Rezart Taçi: E vërteta e miqësisë sime me familjen Berisha dhe si u bëra milioner

 Rezart Taçi: E vërteta e miqësisë sime me familjen Berisha dhe si u bëra milioner

“Për marrëdhenien time me zotin Berisha është folur shumë, ishte shtetar, është shtetar pasiv, formal i cili delegon punët e qeverisë në ministritë e linjës dhe jo person që krijon në mënyrë të lehtë miqësi me persona apo sipërmarës të ndryshëm. Bashkëpunimi i sipërmarrjeve të mija ishte me ministritë e linjës”.

Kështu shprehet Rezart Taçi për Top Channel.

Edhe pse kurrë nuk e ka pranuar, Taçi shihej gjerësisht si një prej biznesmenëve të preferuar të Berishës. Ai u bë i famshëm për takimet e “bamirësisë” ku merrte pjesë, të cilat organizoheshin nga Liri Berisha. Kjo po e çonte drejt përmbushjes së një dëshire të madhe të tij, privatizimit të kompanisë shtetërore të përpunimit të naftës ARMO. E kishte bërë një përpjekje të tillë në vitin 2003, kur në pushtet ishin socialistët, por pa sukses.

“Nuk kishte rastësi ky privatizim sepse ishim duke monitoruar cdo qeveri, momentin që këto qëveri do të nxirrnin në privatizim, qeveria Berisha vendos të privatizojë disa sektorë dhe  naftën, ishim gati.

Ofruam ofertën 128 mln para kamerave, nuk shikoj ku zoti Berisha mund të ketë pasur një ndikim se u shpall fitues ai që ofroi vlerën me të lartë” u shpreh Rezart Taçi.

“Amra Oil” ishte konsorciumi pas të cilit qëndronte Taçi, i prezantuar me bujë si kompani amerikane në ankandin për blerjen e ARMO. Pjesë e konsorciumit ishin “Anika Enterprises”, “Mercuria Energy”, dhe Refinery Associates of Texas”. Skema ishte pefekte. Opinioni e besoi në fillim se amerikanët po blinin uzinën e Ballshit.

“Këtij konsorciumi iu bashkua dhe një kompani zvicerane me 10 %, Mercura Energy, që ishte lidër në atë kohë me volum pune 40 MLD në vit, atë kohë në tregtimin e karburanteve. Gjithashtu më 20 % u bashkua një kompani ameirkane me 40 vite eksperiencë. Krijuam këtë konsorcium” u shpreh Rezart Taçi.

Në fakt, Taçi ishte njeriu kyç dhe aksioneri kryesor i konsorciumit përmes “Anika Enterprises”. Oferta e atyre që kamufloheshin si amerikanë rezultoi fituese. Madje sot, Taçi flet me krenari se i bëri nder të madh vendit të tij duke e mbivlerësuar asetin.

“Ofruam në Maj të vitit 2008, 128 mln e 750 mijë dhe këtu dua të ndalem dhe në një princip që sipërmarrja jonë ofroi, nuk ofruam për blerjen shifra sa ishte vlerësuar nga konsulenti shtetit paton bogs, që e vlerësoi 60 mln, por aplikuam principin e vlerësimit të aseteve të vendit tim” u shpreh Rezart Taçi.

Rezart Taçin, te gjithe e njohin si biznesmenin e fuqishem te hidrokarbureve. Por, ai ka nje te kaluar si shahist, një fushe ku nuk u bë dot i madh.

“Fëmijëria ka qenë e lidhur me një kujtim në atë kohë familja më përfshiu në një moshë shumë të re me problemet e saj me regjimin. Dua të vecoj përfshirjen time në nivel profesionist në lojën e bukur të shahut. Kujtoj humbejn e finales në moshën 14 vjecare në kampionatin shqiptar. Humbje që la shenjë në adoleshencën time”u shpreh Rezart Taçi

Rezart Taçi fillon fakultetin në degën e Inxhinierisë Mekanike. Studimet, e kapin në periudhën e ndryshimeve të mëdha të vendit.

Shahisti që nuk u bë dot i madh, niset drejt Italisë me ëndrra të mëdha për të qenë një shahist në biznes. Atje, regjistrohet në universitet dhe i futet punës për të siguruar jetesën.

“Puna ime e parë dhe e vetme si punëmarrës ka qenë kamarier, me kohë të shkurtër u regjistrova në Universitetin në Inxhinieri Mekanike, po aty dega juridik, por pas fillimit të biznesit nuk arrita ta përfundoj” u shpreh Rezart Taçi.

Emigracioni ishte ëndrra e tij për tu bërë i rëndësishëm. Puna e kamarierit ishte e para dhe e vetmja që ai bëri si punëmarrës.

“Ndërkohë që bëja kamerier, fillova të merrem me disa biznese të vogla, shitje produkte kozmetike, shitje dokumente publicitare, pastaj drejtimi i një kompanie amerikane në Europë” u shpreh Rezart Taçi.

Tregtari i vogël filloi të shikonte pak më larg. Ai ishte i fiksuar pas risive. Atyre që sillnin shumë fitime.Taçi fillon të angazhohet si një lojtar burse online. Fillimisht duke realizuar transaksione të vogla, e më pas, duke tërhequr një grup investitorësh përmes një fondi.

“Arritëm që të gjithë të shumëfishonim kapitalin tonë në bursë. Pas disa vitesh para monitorit isha kthyer në asocial, kisha arritur limitet e mija fizike e mendore. Vendosa të ndërpres këtë inciativë, të shoh dicka tjetër.  Këtu ndoshta është momenti që krijoj 1-milionëshin e parë” u shpreh Rezart Taçi.

Deri tani, kemi folur për historinë e panjohur të Rezart Taçit deri te krijimi i milionit të parë të dollarëve. Kjo shumë e ktheu në atdhe. Ai ishte gati të luante në një ekonomi dinamike, plot hapësira të errëta siç ishte ajo e Shqipërisë, një terren i volitshëm për lojtarë si Taçi. Fillimisht e nis si tregtar produktesh ushqimore dhe lëndësh të para, e më pas, hedh hapin e madh drejt naftës. Fillimisht e fusin në lojë disa italianë.

“Kompania italiane vendos të tërhiqet, në atë moment kishim krijuar një strukturë, dhe një staf të caktuar, vendosa të vijoj vetëm me një kompani timen të importimit dhe shitjes së produkteve të hidrokarbureve, gjithashtu krijuam një rrjet prej 320 pikash karburante”

Këtu, nis historia e një njeriu që i kërkonte problemet gjithë kohës, mjaft që fitimet të ishin në anën e tij. Në vitin 2003, Rezart Taçi do të krijonte kompaninë “Taçi Oil”. Në vitin 2004 themeloi “Anika Enterprises” me seli në Zvicër ndërsa në vitin 2006 kompaninë e tregtimit me pakicë të naftës “Kuid”. Emri i Taçit bëri bujë mediatike nga fundi i vitit 2005, depozitat me mijëra ton naftë të tij në Shëngjin u shkrumbuan. Pas 16 vitesh, ai komenton për herë të parë atë ngjarje.

“Në fund viteve 2005 është e vërtetë kjo ndodhi, dikush ka vendosur dinamit kur depozitat ishin të tejbushura. Unë nuk krijoj armiqësi, ndoshta pozicioni ynë në treg, zotërimi i një përqindje të tregut ka krijuar reaksione. Autori nuk është zbuluar” u shpreh Rezart Taçi.

Taçi duket se doli më i fortë pas ngjarjes në depozitat e Shëngjinit. Ndërrimi i pushtetit në vitin 2005 nga Fatos Nano te Sali Berisha i dha një hov të ri ngjitjes së tij drejt majave.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *