‘Resmet’ e kundërta Rama-Basha për buxhetin 2022

Edi Rama dhe Lulzim Basha i bënë një interpretim krejtësisht të kundër projekbuxhetit për vitin 2022. Duke prezantuar pikat kryesore të tij, Kryeministri foli për një buxhet ambicioz, që nxit zhvillim dhe mbron shtresat në nevojë.
Kreu i Qeverisë tha se nga shëndetësia, te arsimi, teknologjia, investimet, bujqësia, mjedisi, turizmi e politikat sociale, paketa fiskale dhe projektbuxheti i propozuar i adresojnë që të gjitha.
“Nga buxheti janë alokuar 7 mln dollarë në nxitje të ndërkombëtarizmit për ato universitet që do të ecin më shpejt pë rtë krijuar raporte me universitete Europiane. Pastërtia e vendit është një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm. Këtu do të hyjmë edhe me një buxhet specifik të posaçëm në funksion të një ndryshimi thelbësor ndaj pastrimit të territorit të vendit. Buxheti i 2022 është kuptimplotë edhe në zhvillimin e bujqësisë. Nuk kemi ulur fonde, por kemi rritur fonde duke i dyfishuar ato”, tha Rama.
Digjitalizimi në shërbime dhe mbrojten e territorit përcaktohen gjithashtu si një prioritet, sipas Kryeministrit.
“Mbrojtja inteligjente e territorit dhe e sigurisë publike hyn në një fazë tjetër, qoftë me sigurimin e satelitëve dhe dronëve inteligjentë, që do na japin të dhënë të besueshme reale ndaj ngjarjeve kriminale të mjedisit në territor që nga mbetjet tek ndërtimet pa leje dhe aspekte që ka të bëjnë më bujqësinë, hektar e kultivuar, me energjinë, burimet hidrike , zjarret dhe pa lënë mënjanë edhe luftën kundër krimit të identifikimit dhe ndjekjes së kiminelave”, u shpreh ai.
Në fushën e shërbimeve, Kryeministri tha se digjitalizimi do të hyjë në një fazë tjetër, atë të ofrimit të tyre online edhe për Kadastrën. “Kadastrat digjitale është edhe ajo duke u bërë, e dimë të gjithë se çfarë plage është ajo. Me digjitalizim përfundimtar edhe kadastra do të jetë një institucione i aksesueshëm përmes smartphone-it dhe pa sportele”, u shpreh ai.
Rama premtoi ngritjen e qendrave inteligjente për të ndihmuar të rinjtë në qytetet më të mëdha të vendit. Sa u takon pagave, Rama përsëriti rritjen e tyre në shëndetësi, arsim dhe në sigurinë publike.
Lulzim Basha e cilësoi të rremë projekbuxhetin. Ai tha se ligji parashikon 113 milionë euro që do të shkojnë për PPP-të.
“Nuk duhet të jesh ekonomist, apo ekspert financash, që të kuptosh se si në traditën tuaj më të keqe, këmbëngulni në mënyrë tinëzare ta vendosni buxhetin e shtetit në funksion të klientëve të qeverisë. Nëpërmjet PPP-ve, që përsëri bëjnë motin e mirë e të keq në ekonominë shqiptare, ndërkohë gjithçka tjetër është një përpjekje për të gënjyer me indeksime vrapin e pandalshëm të çmimeve”, tha Basha.
Basha akuzoi për marrjen e miliarda eurove borxh në kurriz të shqiptarëve për të financuar korrupsionin dhe makuterinë e Qeverisë.
“Miliardat që keni marrë borxh në emër të shqiptarëve, taksat që keni rritur për të financuar makutërinë tuaj, kanë shërbyer për ndërtimin e një ekonomie të përqëndruar në pak duar. Me shtetin e përdorur si punëdhënës patronazhistësh dhe i pak oligarkëve, me të cilët keni vrarë konkurencën e lirë, keni ndrydhur zhvillimin ekonomik, keni penguar investimet e huaja. E keni bërë Shqipërinë një vend nga i cili largohen të rinjtë e të rejat, largohen profesionistët dhe forca prodhuese e shoqërisë”, u shpreh ai.
Një tjetër barrë financiare, që Basha akuzoi Qeverinë se po ua transferon qytetarëve për vendimet e saj arbitrare janë gjyqet ndërkombëtare dhe fatura e tyre.
“388 mln euro dëm për Arbitrazhet. Një shumë e frikshme, që mund të ishte përdorur për bujqësinë, për ata familjarë që sot dalin në rrugë për të kërkuar ndihmën që meritojnë. Por ju, ne, të gjithë shqiptarët e dimë, që ky nuk është i vetmi dëm që i keni shkaktuar ekonomisë. Mjafton të shohim raportin e KLSH-së, ku thuhet se shteti shqiptar duhet të paguaj nga bxheti 388 milionë euro për vendiimet e gjykatave ndërkombëtare”, tha ai.