5 Dhjetor, 2022

Raportimet sekrete, si populli shqiptar refuzoi Kushtetutën e vitit 1976: Këta janë çmendur

 Raportimet sekrete, si populli shqiptar refuzoi Kushtetutën e vitit 1976: Këta janë çmendur

Nga Hasan Bello

Kushtetuta e vitit 1976 është një nga pikat më kritike në historinë moderne të shtetit shqiptar. Kjo për shkak se në këtë dokument kaq të rëndësishëm që përcaktonte arkitekturën politike dhe juridike të institucioneve, PPSH-ja dhe Byroja Politike vendosnin një kontroll absolut mbi të gjitha pushtetet. Ajo njihet si Kushtetuta më staliniste e të gjitha vendeve të lindjes.

Në këtë Kushtetutë, për herë të parë në historinë e legjislacionit shqiptar, Shqipëria shpallej si vendi i parë ateist në botë. Koncepte të tilla si “të drejtat e njeriut” dhe “liria e shprehjes” përjashtoheshin kategorikisht dhe as që nënkuptoheshin.

Por cili ishte konteksti historik kur u hartua Kushtetuta e 1976-tës? Në këtë periudhë Shqipëria kishte shkëputur marrëdhëniet me të gjitha vendet kryesore të kampit komunist dhe po shkonte nga dita në ditë në izolim të plotë.

Përjashtim bënin pak vende lindore me të cilat nuk kishte asnjë interes ekonomik. Ndërsa vendi kryesor i Perëndimit me të cilën kishte marrëdhënie diplomatike mbetej Franca. Populli vuante për ushqimet më bazike dhe për gjëra luksi as që bëhej fjalë.

Nga ana tjetër lufta politike ishte në kulmin e saj. Për arsye nga më absurdet Enver Hoxha dhe Sigurimi i Shtetit sajonin grupe armiqësore dhe po eleminonin njëri pas tjetrit drejtues të PPSH-së në fushën e ekonomisë dhe ushtrisë. Pas tyre vinin ata të kulturës dhe simpantizantët e tyre, duke goditur kështu me qindra persona në të gjith administratën. Kjo bënte që frika dhe tensioni se mund të arrestoheshe nga momemnti në moment të shpërndahej në formën e rrathëve nga qendra drejt periferisë.

Pikërisht në një kontekst të tillë me urdhër të Enver Hoxhës dhe organeve drejtuese të Komitetit Qendror do të ngrihet një grup pune për të hartuar një Kushtetutë të re, e cila do t`i përshtatej kësaj situate. Në krye të këtij grupi qëndronin disa burokratë besnikë të Enver Hoxhës, siç ishte Foto Çami, etj, por dhe njëri nga nipat dhe personat e besuar të familjes, Prof.Luan Omari. Drafti i kësaj Kushtetute u shtrua për diskutim në disa instanca shtetërore dhe partiake të kohës.

Përveç sugjerimeve nga organizatat e partisë dhe burokratët e rëndomtë të regjimit, populli shqiptar nuk e priti aspak mirë këtë Kushtetutë. Me intuitë shoqëria shqiptare e kuptoi se ajo nuk ishte asgjë veçse “shtrëngim vidash”; legjitimim i terrorit stalinist dhe i mjerimit ekonomik që kishte përfshirë të gjith vendin.

Në arkivat e Sigurimit të Shtetit me siguri që për këtë problem do të ketë informacione të detajuara për persona të caktuar që janë shprehur kundër projekt-Kushtetutës. Por në pamundësi të studimit të tyre, për arsye objektive dhe subjektive, do t`i referohemi disa dokumenteve të gjetura në Arkivin e Komitetit Qendror të PPSH-së.

Si kampionë kemi zgjedhur disa parrulla të hedhura kundër projekt-Kushtetutës së vitit 1976 në dy qytete veriore, në Shkodër dhe Peshkopi.

Nga kërkimi që kemi bërë rezulton se sekretarët e Komiteteve të Partisë në Rrethe, para të cilëve jepnin llogari edhe Kryetarët e Degëve të Punëve të Brenshme (operativët dhe shefat e Sigurimit), për këtë problem informonin rregullisht Komitetin Qendror të PPSH-së në Tiranë.

Kjo vigjilencë vinte për shkak detyrës që ata kishin, për ta paraqitur e propaganduar projektin në fjalë si një dokument që do të ndryshonte jetesën e shoqërisë shqiptare; do të forconte akoma më shumë shtetin shqiptar si në planin e brendshëm ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Në fakt ky hap nuk ishte asgjë tjetër veçse konsolidim i pozitave të Enver Hoxhës e PPSH-së dhe shtim i masave represive.

Më 1 shkurt 1976, Sekretari i Komitetit të Partisë në Shkodër, informonte Komitetin Qendror të PPSH-së se elementët armiq lidhur me projekt-Kushtetutën e re kishin bërë këto komente:

“Këtë ligj që kan nxjerrë e kanë vendosur vetë, por gjoja e diskutojnë në popull. Këtë gjë e bëjnë për të parë se çfarë thotë populli, i pëlqen ose jo popullit. Por kuj ia mban me thanë gja për të? Këta duan me shpall botërisht sikur projekt-Kushtetuta është aprovuar edhe nga populli.”

“Kushtetuta është sa për dokument, këta nuk pyesin as për Kushtetutë as për gjë, e ndryshojnë si të duan po t`jua lypi puna. Këtu flet njëri, ndërsa të tjerët bëjnë amin, pa qenë të zotët me diskutue as me veten e tyre nga frika.”

“Kushtetutën dhe çdo gjë këta e vendosin vetë, sepse vetë shkruajnë dhe vetë vulosin, guxo me diskutue po deshe.”

“Kushtetuta duhet të matet me konditat që i krijon popullit.”

“Lufta e klasave që përmendet edhe në Kushtetutë, nuk është pa qëllim, këta po hanë njëri tjetrin, prandaj që të tjerët të mos kënaqen nga kjo, nuk i lënë pa trazue, 31 vjet çlirim dhe s`kemi siguruar bukën. Kjo nuk besohet, por duket si fantazi. Vjedhësit çohen e thonë se, pse X të punojë aty, se ka këtë kleçkë. Rrezik me të heq bukën e fëmijëve. Është fatkeqësi për ne, që po e kalojmë dhe po e jetojmë këtë periudhë.”

“Çfarë mos me pas frikë, këta nuk e kanë të sigurtë, as punën dhe as pozitën e tyre.”

“Kushtetuta ska gjë për ne, me këto rroga nuk kalohet.”

Këto komente armiqsore, sipas Sekretarit të Partisë së Rrethit të Shkodrës Adem Tukaj, po demaskoheshin nëpërmjet punës ideologjike, që mekanizmat partiakë dhe organizatat bazë po zhvillonin me masat e punonjësve.

Në fakt komentet ishin perceptim i saktë. Ato pasqyronin pakënaqësinë që shkodranët ashtu si të gjith shqiptarët kishin ndaj regjimit komunist. Sipas tyre, Kushtetuta ishte një fasadë, jo për ruajtjen, po për shkeljen e ligjit.

Në një shkresë tjetër që mban datën 23 shkurt 1976, po ky Sekretar Partie i Rrethit të Shkodrës, informonte Komitetin Qendror të PPSH-së mbi pikëpamjet armiqësore të disa klerikëve, lidhur me nenin ku thuhej se: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të vendosur tek njerëzit botëkuptimin materialist shkencor”.

Këta klerikë deklaronin se, kur të pyeteshin për këtë nen do t`i preknin në ndërgjegje. Ndërsa disa klerikë të tjerë thonin se “këta do ta shpallin veten ateistë, të shohim se çfarë do të bëjë OKB-ja, sepse një ndër kushtet për të qenë anëtar i saj, është të pranosh e të njohësh fenë”.

Por imponimi me forcë i ateizmit tek besimtarët e komuniteteve të ndryshme, do të hasë në një rezistencë pasive.

Sipas këtij relacioni, ata propagandonin se: “Fenë le ta nxjerrin jasht ligjit, por nga zemrat nuk mund t`ua heqin njerëzve Zotin. Kjo Kushtetutë është si të tjerat, nuk ka asgjë për tu gëzuar. Nuk e kuptojmë këtë bujë që bëhet për projekt-Kushtetutën. Flasin se punëtorët janë shumë të gëzuar. Bërtasin se po na hapen perspektiva. Po cila janë këto perspektiva? Me ato që kemi jetuar deri tani? Përse është shkruar të mbështetetmi në forcat tona?”

Sipas Sekretarit të Partisë, këta elementë armiq propogandonin se të mbështeteshe në forcat tona do të thoshte të “shtrëngoje rrypin”. “Ç`na duhet ne pavarësia, dua të jem mirë për vete. Kinezët po bëjnë të kundërtën. Ata po ia hapin dyert Perëndimit. Ata kanë miqësi me jugosllavët, rumunët etj. Nuk po marrim vesh se çfarë bëhet, si do ta kalojmë ne të izoluar?”

Në fakt Kushtetuta e 1976 ishte “shtrëngim rrypash” në të gjitha fushat. Por nga autoritetet lokale të PPSH-së këto pohime interpretoheshin si tendencë për të mohuar demokracinë, vijën e masave dhe faktin se populli ishte në fuqi.

Sipas shkodranëve “çfarë Kushtetute ishte kjo? Këta me thanë fluturon gomari, populli thotë flutoron, nuk guxon kush me thanë ndryshe. A mendojnë se jemi të marrë? Qorra e që nuk shofim kurrgja? Ne dimë e shohim më shumë se këta, por nuk mund të flasim.

Si nuk iu vjen turp kur flasin për papunësinë në shtetet e Perëndimit? Sa milion ashtë Italia? Kurse në Shkodër ka me mijëra. Për pak kohë edhe sheqerin me vajin ke me i pasë me rracion. Bile i vjen turp se dhe triskat i vendosin edhe një herë”.

Kjo tregon se pakënaqësia dhe zhgënjimi ndaj regjimit ishte i pranishëm në çdo familje.

Prandaj, më të vjetrit e kujtonin me nostalgji, ndërsa më të rinjtë lakmonin jetën që bëhej në Perëndim. Ata deklaronin plot pesimizëm se “tek ne nuk ka asgjë përveç vuajtjeve. Kjo është motoja e jetës dhe jo ato që flasin këta në letra e fjalime.

Ato janë vetëm demagogji. Këta kanë luajtur mendësh. Duan të dërgojnë maturantët 1-3 vite për të punuar në fshat. Këta shohin ëndrra. Pse nuk i çojnë udhëheqësit fëmijët e tyre në fshat?”

Kjo propagandë kundër projekt-Kushtetutës e vendosi në pozitë tepër të vështirë Komitetin e Partisë.

Ai dha alarmin në organizatat bazë në të gjitha fabrikat dhe ndërmarrjet bujqësore. Problem mbetej intesifikimi i punës në zonat kufitare, për shkak të ndonjë kontakti me jasht.

E njëjta situatë konstatohej edhe nga Sekretari i Partisë së Rrethit të Dibrës Tefta Cami, e cila më 20 shkurt 1976 informonte Komitetin Qendror të PPSH-së mbi parrullat armiqësore në drejtim të projekt-Kushtetutës.

Sipas tyre “ky derr populli nuk është për asgjë, megjithëse ju hoq edhe feja, nuk ishte në gjendje të bënte gjë…More burra po si është e mundur që një popull 2 milion nuk njeh Zot e pejgamber, ndërsa të gjith komshinjt e botës me miliarda besojnë në fe…Edhe kjo projekt-Kushtetutë, nuk ka ndryshim nga e para ose si me thanë është si e para «hu e litar» për këtë popull që nuk din të bëjë asgjë, veçse të zbatojë urdhërat që i japin…Për ne nuk ka ku të vejë më keq me Kushtetutën e re që do të dalë. Edhe fenë nuk e kan pas të ligjëruar, por tani e ndaluan me ligj.

Tani për pak ose për shumë gjë, të dënojnë, i kanë shtrënguar ligjet shumë”.

Kjo tregon se dhe në qytetin e Peshkopisë pakënaqësia e popullit ishte shumë e madhe.

Ajo arriti kulmin me nenin që e shpallte Shqipërinë vend ateist dhe që ndalonte çdo praktikë fetare. Në popull thuhej se “Propaganda e tyre për këtë projekt-Kushtetutë është shumë e fortë, të bën për vete, të vendos në gjumë. Por ajo në përgjithësi është ëndërr e gjitha…Këta duan të bëjnë mbledhje për të ngritur normat. Un u kam thënë shokëve të mi se për një vit e gjysëm dal në pension dhe skam shumë gajle, le t`i ngrenë për mua, por ju mos i ngrini më, mos u gënjeni se mjaft janë ngritur”.

“Në vitin 1840 Napolon Bonaparti bëri shumë punë, por në fund u shpartallua mbasi bëri Kushtetutën e tretë.”

“Në Kushtetutë bëhet fjalë se Shqipëria do të shpallet socialiste, por ajo nuk mund të shpallet e tillë pa bërë faljen e të dënuarve, ashtu siç kanë bërë edhe shtetet e tjera.”

“Ç`na duhet ne të dënuarve Kushtetuta, derisa qeveria nuk bën faljen e të dënuarve, ndërsa shtetet e tjera kanë ndryshuar Kushtetutën për të burgosurit, kanë bërë amnisti.

Kështu, mos pritni lirime se këta po arrestojnë njerëz. Bile edhe natën i arrestojnë dhe i internojnë pa gjykim fare!”

“Greqia është shtet borgjez dhe të dënuarit i fali. Kjo tregon sesa i fortë është shteti, ndërsa këtu për gjërat më të vogla të fusin brenda.”

“Mos pritni liri fare me Kushtetutën e re, se shteti shikon pozitën e vet dhe nuk ka nevojë fare për ne të dënuarit. Këta nuk pyetën për kokat kryesore si Beqir Balluku me shokë që i pushkatuan. Në Tiranë kanë internuar 2000 familje.”

“Po nuk u liruan të dënuarit sivjet kot e ndërrojnë Kushtetutën dhe shesin dëngla jo u shpall Republikë Socialiste dhe dreqi i marrtë.”

“Kot e nxjerrin për diskutim në popull projekt-Kushtetutën. Ata e bëjnë sa për sy e faqe, se vetë e nxjerrin dhe vetë vulosin e hajde mos je dakord, pastaj të zhdukin.”

Një pjesë e mirë e këtyre parrullave ishin hedhur nga të burgosurit. Por edhe nga populli i thjeshtë jasht burgjeve. Në “burgun e madh” perceptimi lidhur me projekt-Kushtetutën ishte tej mase skeptik, për të mos thënë negativ.

Pavrësisht kësaj drejtuesit e PPSH-së dhe vetë diktatori nuk do të marin në konsideratë se mendimet e popullit. Ai do ta miratoi këtë Kushtetutë me “shumicë votash”, ashtu siç kishte miratuar çdo ligj.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *