27 Mars, 2023

“Ramën e njoh vetëm përmes televizorit”, flet pronari i firmës që i dha me qera makinën luksoze kryeministrit

 “Ramën e njoh vetëm përmes televizorit”, flet pronari i firmës që i dha me qera makinën luksoze kryeministrit

Detaje të reja janë mësuar lidhur me automjetin e fundit që ka marrë në përdorim kryeministri Edi Rama.

Kompania të cilës i është marrë me qera mjeti luksoz, është regjistruar më 02.06.2016 në Qendrën Kombëtare të Biznesit, duke zgjedhur si fushë veprimi: Tregti të pjesëve të vjetra të këmbimit për automjete dhe tregti të automjeteve të përdorura.

Ky fakt hedh poshtë deklaratën e zyrës së Kryeministrisë, ku pretendohej se kompania kishte më shumë se 5 vite që operonte në fushën e dhënies së makinave me qera. Gjë që rezultoi e pavërtetë…

“Partia Socialiste ka një kontratë qeraje me subjektin, i cili ushtron prej më shumë se 5 vitesh aktivitet në fushën e shitjes dhe dhënies me qera të automjeteve”, thuhej në reagimin e Kryeministrisë.

Për të mësuar më shumë detaje lidhur me kontratën që edhe më sot nuk është publikuar nga Kryeministria, ka folur administratori i kompanisë, Erjon Hoxhallari që është bashkëshorti i pronares.

Ai tha se kryeministrin e njeh si çdo qytetar shqiptar, dhe se ka nënshkruar një kontratë të ligjshme për të cilën disponon dokumentat.

“Jam në Livorno momentalisht. Dokumentet i kam në dyqan. Do kthehem pas 4 ditësh. Nuk kam asgjë për të fshehur. Disponoj të gjitha dokumentat e kontratës. Është e rregullt.

Çdo veprim që është bërë është i pasqyruar në dokumenta. E njoh kryeministrin aq sa e njeh çdo qytetar i zakonshëm i këtij vendi, përmes televizorit,”– tha ai.

Mediat raportuan se kryeministri Rama e ka modifikuar këtë makinë duke e kthyer në një ‘avion privat’ me vlerë 500 mijë dollarë.

Sipas medias, makina e Ramës ka dy ndenjëse VIP me mbështetëse këmbësh, sediljet janë italiane ndërsa rimesoja është me dru arre origjinale. Tavani është i ndriçuar dhe është i gjithi me lëkurë kastori.

Ndërkohë që ende nuk dihet se sa para kushton ky mjet nga arka e taksapaguesëve shqiptarë. Kryeministria e pranoi marrjen me qera, por nuk tha asnjë detaj tjetër.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *