27 Janar, 2023

Rama zbut Koço Kokëdhimën 6 vite pasi e përzuri nga PS, i jep 500 mijë euro tender. A do rikthehet plani i pleqërimit në Vuno?

 Rama zbut Koço Kokëdhimën 6 vite pasi e përzuri nga PS, i jep 500 mijë euro tender. A do rikthehet plani i pleqërimit në Vuno?

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një sinjal reflektimi dhe ndoshta pendese për goditjen dhe dëbimin e pamëshirshëm të Koço Kokëdhimës nga Parlamenti dhe më pas nga Partia Socialiste në vitin 2016.

Gjashtë vite nga ndarja më epike e politikës shqiptare gjatë tre dekadave të fundit, Rama ka demostruar shenja zbutje në raport me Kokëdhimën, për të cilin thonë se flet më shumë me yjet se sa me njerëzit.

Prapaskena mëson se një nga nëndegët e qeverisë së Ramës, konkretisht Posta Shqiptare, i ka dhënë ditët e fundit Koço Kokëdhimës një tender me vlerë rreth 500 mijë euro për shërbim interneti.

Kompani fituese është Abissnet, me administrator Koço Kokëdhima. 100 % të aksioneve të Abissnet posedohen nga kompani 2 K Group, e cila kontrollohet nga familjarët e Koços.

Tenderi duket si një mesazh afrimi mes Ramës dhe Koços, pas ndarjes së bujshme në 2016, ku Rama përzuri Kokëdhimën nga çdo funksion të Partisë Socialiste, ndërsa Kokëdhima artikuloi akuza të forta ndaj Ramës, deri tek pretendimi se Rama është i çmendur.

Vetëm disa muaj para goditjes, Rama kishte shprehur idenë për të kaluar pleqërinë me Kokëdhimën në Vuno, ndërsa Koço konsiderohej si kryeministri në hije, pashai i jugut, beu i jugut etj.

Rama e lëshoi Koçon pas protagonizmit të tij në rritje në jug të vendit, ku krijoi edhe struktura paralele.

Kupa u mbush kur Koço propozoi një projekt për reformimin e PS.

Pas goditjes që mori nga Rama, të cilin e konsideronte si bir, Koço u pozicionua fort në krah të Metës. Ky i fundit njihet për një afeksion misterioz ndaj Koços, deri në atë shkallë saqë e ka kopjuar edhe emrat e fëmijëve të Koços.

Kulmi ishte kur Koço, në prani të një spiuni rus, u takua me Lulzim Bashën, në kuadër të një aleance politike, ndërsa e mori në mbrojtje edhe Sali Berisha, njeriu që ka artikuluar akuzat më intensive, sistematike dhe të rënda ndaj Koços.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *